10 shprehje nga libri i Elif Shafak – “Dyzet rregullat e dashurisë”!

Libri i Elif Shafak ka marrë kritika shumë pozitive dhe është përkthyer në shumë gjuhë të botës. Me ardhjen në shqip, ky është një nga librat që ne si staf i arratisje.al e sugjerojmë, dhe javë pas jave do postojmë fragmentet më të bukura të shkëputura nga aty. Më poshtë keni të listuara 10 fragmente të shkurtra:
- Mënyra si e shohim Zotin është pasqyrimi I drejtëpërdrejtë I asaj se si e shohim veten. Nëse Zoti na sjell ndër mend më shumë frikë dhe faj, kjo do të thotë se frika dhe faji ndodhen brenda nesh. Nëse e shohim Zotin si dashuri dhe mëshirë, kështu jemi vetë ne.
- Rruga drejt së vërtetës është punë e zemrës, jo e mendjes. Përdore zemrën si udhërrëfyesen kryesore! Jo mendjen. Ndeshu, sfidoji dhe në fund mposhti me zemër cytjet për të bërë keq. Njohja e vetes do të të udhëheqë drejt njohjes së Zotit.
- Zotin mund ta studiosh nëpërmjet gjithçkaje dhe gjithkujt në gjithësi, sepse Zoti nuk qëndron I mbyllur brenda xhamisë, sinagogës apo kishës. Nëse ende kërkon të mësosh se ku banon me saktësi, ka vetëm një vend për ta kërkuar: në zemrën e të dashuruarit të vërtetë.
- Dija dhe dashuria janë gjëra të ndryshme. Dija I lidh njerëzit nyje dhe nuk rrezikon asgjë, kurse dashuria I zgjidh nyjat dhe rrezikon çdo gjë. Dija është gjithnjë e kujdesshme dhe të këshillon “Kujdes nga ngazëllimi I tepërt”, kurse dashuria thotë “Oh, mos e vrit mendjen! Hidhu dhe zhytu!” Dija nuk thyhet aq lehtë, kurse dashuria shndërrohet shumë lehtë në një pirg rrënojash. Mirëpo, mes rrënojave fshihen edhe thesare. Brenda zemrës së thyer fshihen thesare.
- Shumica e problemeve të botës rrjedh nga gabimet gjuhësore dhe keqkuptimet e thjeshta. Mos I merrni fjalët kallëp. Kur hyn në zonën e dashurisë, gjuha, siç e njohim ne, del nga përdorimi. Ajo që nuk mund të kapet me fjalë, mund të kapet vetëm me heshtje.
- Vetmia dhe veçimi janë dy gjëra të ndryshme. Kur je I vetmuar, e mashtron lehtë veten dhe beson se je në rrugë të drejtë. Veçimi është më I mirë, sepse do të thotë të jesh vetëm pa e ndjerë veten të vetmuar. Megjithatë, është më mirë të gjesh një njeri, njeriun që do të jetë pasqyra jote. Mbaj mend se vetëm në zemrën e një njeriu tjetër mund ta shohësh vërtetë veten dhe praninë e Zotit Brenda teje.
- Çfarëdo të të ndodhë në jetë, sado të trazuara të duken gjërat, mos u fut në rrethin e dëshpërimit. Edhe kur janë mbyllur të gjitha dyert, Zoti hap një shteg të ri vetëm për ty. Ji mirënjohës! Është e lehtë të jesh mirënjohës kur gjithçka shkon mirë. Por sufisti është mirënjohës jo vetëm për atë që I është dhënë, por dhe për atë që I është mohuar.
- Durim nuk do të thotë të durosh në mënyrë pasive. Do të thotë të jesh aq largpamës saqë t’I besosh përfundimit të procesit. Çdo të thotë durim? Do të thotë që te gjembi të shohësh trëndafilin, te nata të shohësh mëngjesin. Padurim do të thotë të jesh dritëshkurtër e të mos shohësh fundin. Atyre që e duan Zotin nuk u shteret kurrë durimi , sepse e dinë që edhe gjysmëhënës I duhet kohë sa të bëhet e plotë.
- Pavarësisht se kush jemi dhe se ku jetojmë, thellë brenda nesh të tërë ndjehemi të paplotë, njësoj si të kemi humbur diçka dhe kërkojmë të na kthehet. Se çfarë është kjo gjë, shumica jonë kurrë nuk e kupton. Ata pak që e kuptojnë, kurrë nuk ia dalin që të nisen e ta kërkojnë.
- Lindje, perëndim, jug apo veri nuk kanë ndonjë ndryshim të madh. Pavarësisht për ku je nisur, sigurohu që çdo udhëtim të jetë edhe një rrugë brenda teje. Nëse udhëton brenda teje, atëherë ke për të udhëtuar në tërë botën dhe përtej saj.