2 poezi nga Pedro Salinas

Nuk dua të më largohesh

Nuk dua të më largohesh,
dhimbje, e fundit mënyrë
për të dashuruar.
Unë ndjehem gjallë
kur ti më dhemb,
jo brenda teje, as këtu, por më tej:
në tokë, në vitin që të pruri,
në vendin nga vjen,
në dashurinë me të
e gjithçka ishte.
Në atë realitet të zhytur
që mohon vetveten,
e deklaron kokëfortë
që nuk ka egzistuar kurrë,
që asgjë tjetër s’ ka qenë veçse
një pretekst imi për të jetuar.
Nëse ti nuk do të qëndroje, dhimbje, e pakundërshtueshme,
unë mund edhe ta besoja;
por ti mbetesh.
E vërteta jote më siguron
që asgjë nuk ishte gënjeshtër.
E deri kur do mund të të ndjej,
do të jesh për mua, dhimbje,
prova e një tjetër jete, ku nuk më lëndoje.
Kjo provë e madhe, e largët
që ka egzistuar, që egziston
që më ka dashur, po,
që vazhdoj ta dua akoma.

Perkthyer nga Juljana Mehmeti




Prani e amshueshme

Nuk ka rëndësi nëse s’të kam,
nëse s’të shoh.
Kohë më parë të rrokja,
t’kundroja,
t’kqyrja krejt,
të dëshëroja të gjithën.
Sot nuk u kërkoj më
as duarve, as syve,
të fundmet dëshmi.
Të më qëndroje përbri
të lypja kohë më parë,
po, pranë meje, po,
po, veçse diku aty jashtë.
Dhe gazmohesha
kur ndjeja duart e tua
më dhurëtonin duart e tua,
e që syve të mi
u besonin praninë.
T’kërkoj tash
më shumë, shumë më shumë,
se sa puthje apo kundrim:
t’kërkoj t’më qëndrosh më pranë,
t’kërkoj brenda meje.
Siç era është e padukshme,
edhe pse jetë i jep qiririt.
Siç drita është
e qetë, e paqtë, e palëvizshme,
duke shërbyer si qendër
që kurrë nuk lëkundet
nga trupi dridhës
prej zjarri që përkundet.
Siç ylli është,
i pranishëm e i pandërdymë,
i pazëshëm e që nuk çik,
në zemrën e hapur,
të kthjellët, të liqenit.
T’kërkoj
që ti të jesh
brenda damarëve të mi
veçse shpirti i shpirtiti tim,
gjaku i gjakut tim.
Të qëndrosh brenda meje
siç zemra ime
që nuk do mundem ta shohë e ta prekë askurrë
dhe rrahjet e palodhshme të së cilës
jetë do më japin
derisa të vdesë.
Siç skeleti eshtërak,
e fshehta e thellë
e qenies time,
që veç dheu do ma shohë,
por që në të gjallë
kujdeset të mbajë peshën time,
prej mishi e ëndrre,
prej gazmimi e dhimbje
fshehurazi
pa sy përgjues.
T’kërkoj
që mungesa e përkohë trupore
t’mos jetë për ne harresë,
as arratisje, as mungesë:
por t’jetë për mua
sundim i plotë
i shpirtit të largët,
prani e amshueshme.

Përkthyer nga Klodeta Dibra

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.