2 tregime nga Kasëm Trebeshina

AJO QË NUK MUND TË KUPTOHET

Ishte një ditë e bukur vere kur dëgjova në shtëpinë e zotnisë ku shërbeja, se atje në anën tonë kishte plasur një kryengritje kundër mbretit. Pastaj u fol se kryengritja u shtyp, kryengritësit u kapën, u burgosën dhe u vranë dhe njërin e varën. Se ata, kryengritësit, kishin vrarë edhe një gjeneral!
Mua më dukej çudi. Mbreti nuk ishte më i fortë se prifti i fshatit! Njërin e qëllonin me armë, kurse tjetrit nuk ia kthenin kurrë fjalën…
Dhe iku vera me këto ngjarje… Dhe me të tjera si këto.
Po pastaj?… Ku kishte shkruar vera e vitit të mëparshëm?!…
Nuk e kuptoja ku kishin shkuar ato ditë dhe ç’kishte qenë për mua ajo periudhë e jetës sime.
Kaloi vjeshta, dimri… Vera tjetër… Dhe vitet njëri pas tjetrit…
Erdhën ushtri të huaja… Dhe mua m’u duk se u rrita dhe u bëra më i mençur. Vura edhe një pozitë në shoqëri, por nuk guxova më të kthehesha në fshatin tim, në fshatin e vegjëlisë sime.
Pse?!…
Gjatë luftës kisha kujtuar se bota po rikrijohej, se unë i rilindur po shkoja drejt diçkaje të ndritur dhe shumë më të mirë. Por fundi i të gjitha tregoi se çupat më të bukura u martuan me komisarët më të fortë… Sigurisht më të fortë në llafe!…
Një ditë disa shokë të ministrisë ku punoja, fill pas luftës më morën gati me zor për të shkuar në festën e përvjetorit të luftimit të parë kundër gjermanëve. Vajtëm dhe na lanë të fyer sikur të kishim shkuar për të lypur.
Tashti kishin dalë disa njerëz të aftë që dinin ta meremetonin bukur historinë!…Kështu në historinë dhe gjeografinë e ribërë nga ata që kishin qenë më të aftë për këto punë nuk të bënte zemra të ndërmerrje një shëtitje… Dhe unë nuk u ktheva kurrë në fshatin e vegjëlisë sime.
Në largësi dhe i pushtuar nga një mall dhe një brengë e fshehtë, u mundova të kthehesha përsëri atje ku kisha qenë një stinë të vetme… Atje ku i kisha tradhëtuar dhe ku më kishin tradhëtuar… U mundova në ëndërrimet e mia të kthehesha tek vendi i humbur i stinës së vetme të jetës sime, tek ai vend që nuk ishte më dhe nuk mblodha veç një grumbull kujtimesh për t’i hedhur në letër.
Duket njeriu jeton me të vërtetë vetëm njëzet vjetët e parë, dhe në ata njëzet vjet ka një stinë vere plotësisht të tijën… Dhe unë e pata verën time atëherë me manastirin, me varrezat dhe vajzat që u sollën rrotull meje dhe fluturuan.
Ajo që ikën nuk kthehet më dhe ne nuk mund të kemi një stinë tjetër vere.

KUSH JAM UNË DHE KUSH NUK JAM UNË

Jo!… Unë isha tek ai vend atje poshtë dhe kisha një emër. Tashti jam këtu dhe kam një emër tjetër… Ndofta atje nuk kisha asnjë emër, pasi më kishin thirur me një emër. Dhe tashti jam…
Po, mua më quajnë…
Ata qeshin se mua më quajnë…
Ç’ka këtu për të qeshur?
Më parë kisha një emër, kurse tashti më quajnë… Më quajnë Odin Mondvalsen. Ç’punë u prish atyre se mua më quajnë kështu?… Nuk e keni dëgjuar ndonjëherë këtë emër? Shumë mirë: dëgjojeni tashti! Si?… Nuk doni ta dëgjoni? Pse?… Se nuk e keni dëgjuar? Dhe pastaj?… Nuk e keni dëgjuar më parë, dëgjojeni tashti.
Njerëz me bluza të bardha vijnë vërdallë, më bëjnë inxheksione dhe ikin. Vijnë ata pa bluza dhe nuk duan të dinë fare për emrin tim. Ata nuk duan të besojnë se unë isha në Hënë dhe pastaj, pasi varrosa katër shokë e mi, erdha këtu në Mars dhe u bëra Odin Mondvalsen!…
Jo!… Odin Mondvalsen unë isha edhe më parë se të zbrisnim në Hënë. Odin Mondvalsen unë isha atëherë kur nuk isha unë. Pastak zbritëm në Hënë ku mblodhëm kunguj, domate dhe qiqra.
Bre! Sa u bënë qiqrat atë vit!… Ne hëngrëm sa u dendëm dhe pastaj unë dola përjasht tek nata dyjavëshe e Hënës, ngaqë doja të vështroja Tokën në dritën e hënës. Ose dreqi e di në dritën e kujt…
Ishte një gjë e trishtuar të shikoje Tokën nga Hëna, kur e dije se atje ishte dikush që të kërkonte me sy, ngaqë kishte mall të të shihte dhe nuk të shihte dot.
Zot i Madh, si u ngatërruan punët!… Duket Harizit të Dajlanit i kishte humbur gomari dhe ne u nisëm për në Mars që ta gjenim. Pesë vetë për një gomar!… Dhe ne ishim që të pestë komisarë!… Po ata të katër vdiqën në Hënë dhe unë i varrosa atje. Pastaj vetëm u nisa për në Mars për të gjetur gomarin e Harizit. Duket dikush më thërriste nga pas:
– More, kthehu!… Se gomari erdhi në shtëpi!…
Mirë e kishte ai, po ku dëgjoja unë?! Isha nisur për një gomar dhe duhej patjetër ta gjeja!… Duhej patjetër të gjeja një gomar me shalë ose samar.
Djalli e mori atë punë…
Sa zbrita në Mars më diktuan, më arrestuan, më pyetën, më shanë, më rrahën dhe pastaj erdhën këta njerëzit me bluza të bardha. Këta e kanë punën me inxheksione dhe, kur heqin dorë nga ato, vinë ata të tjerët pa bluza dhe të gjitha fillojnë nga e para…

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.