Të uroj kohë - Elli Michler.
Të uroj kohë
Nuk të uroj diçka dosido
të uroj atë që shumë njerëz nuk e kanë më.
Të uroj kohë për t’u kënaqur dhe për të qeshur
dhe po ta shpenzosh me mend diçka të mirë mund të kesh.
Të uroj kohë për veprimin dhe mendimin tënd
jo vetëm për vetveten por edhe për të tjerët.
Të uroj kohë jo për të nxituar dhe për të vrapuar
por për të qenë i kënaqur.
Të uroj kohë , jo vetëm për të shtyrë kohën
të uroj kohë që të të mbetet koha
për t’u habitur , për të besuar
dhe jo vetëm për të parë orën.
Të uroj kohë për të numëruar yjet
dhe kohë për t’u rritur dhe për t’u pjekur.
Të uroj kohë, që sërish të shpresosh dhe të dashurosh.
Të uroj kohë për të gjetur vetveten,
për të jetuar çdo ditë tënden, çdo orë tënden si dhuratë.
Të uroj kohë edhe për të falur.
Të uroj të kesh kohë,
kohë për jetën.
Mos hiq dorë - Edgar A. Guest
Kur gjërat shkojnë keq, siç ndonjëherë ndodh,
Kur rruga që po ecën me mundim duket e gjitha përpjetë,
Kur buxheti është i ulët dhe borxhet janë të larta,
Kur ju doni të buzëqeshni, por ju duhet të psherëtini,
Kur kujdesi po ju shtyp pak,
Pushoni nëse duhet, por mos hiqni dorë.
Jeta është e çuditshme me dredhimet dhe kthesat e saj,
Sikurse secili prej nesh nganjëherë mëson,
Dhe shumë nga njerëzit kthehen
Kur mund të kishin fituar,por ndërkohë u kthyen mbrapsht.
Mos u dorëzoni edhe pse ritmi duket i ngadalshëm -
Ju mund të keni sukses me një goditje tjetër.
Shpesh qëllimi është më afër
Pavarësisht se duket një njeri i zbehur dhe i lodhur;
Shpesh luftëtari ka hequr dorë
Kur ai mund të kishte kapur kupën e fituesit;
Dhe ai e mësoi shumë vonë, kur nata zbriti,
Sa afër kurorës së artë kishte qenë.
Suksesi është dështimi i kthyer mbrapsht -
Ngjyra e argjendtë e reve të dyshimit,
Dhe ju kurrë nuk mund të tregoni sa afër jeni,
Mund të jetë afër kur duket shumë larg;
Pra, rrini në luftë kur ju jeni goditur më fort -
Duhet që kur gjërat duken më keq atëherë nuk duhet të heqësh dorë.
Përshtatur në shqip: Kejdi Kraja
Nëse më harron - Pablo Neruda
Dua të dish diçka.
ti e di sesi është:
nëse vështroj hënën e kristaltë,
degën e kuqe të vjeshtës në dritaren time,
nëse prek pranë zjarrit
hirin e pakapshëm
apo trupin e rrudhur të cungut,
gjithçka më mbart për tek ti,
sikur çdo gjë që ekziston,
aromat, dritat, metalet,
të ishin varka të vogla
që lundrojnë
drejt ishujve të tu që presin për mua.
Epo, tani
nëse pak nga pak ndalon së më dashuri
do ndaloj të të dua pak nga pak.
Nëse papritur
më harron,
nuk më kërkon,
unë tashmë të kam harruar ty.
Nëse i mendon gjerë e gjatë
erërat e zemëruara që përshkojnë jetën time,
dhe vendos të më lësh në breg
të zemrës ku kam rrenjët,
dije se,
në atë ditë,
në atë orë,
do ngre krahët
dhe rrënjët e mia do nisen
në kërkim të një toke tjetër.
Por,
nëse çdo ditë,
çdo orë,
ndjen se je bërë për mua
me ëmbëlsi të paepur,
nëse çdo ditë një lule
ngjitet në buzët e tua për të më kërkuar,
ah dashuria ime,
tek unë gjithë ai zjarr përsëritet,
tek unë asgjë nuk është shuar apo harruar,
dashuria ime ushqehet nga dashuria jote, e dashur,
dhe gjithë jetën do jetë në krahët e tu
pa u larguar nga të mitë.
Përktheu: Arba Troshani