3 poezi nga Borges

ANDRRA

Nata i ngarkon të fjetunit një detyrë

shtriganësh – zhbamjen e tan ksaj bote,

degzimet e saj të panumrueshme

të shkaqeve e pasojave, që kridhen në rrethin

e humertë të qarkullimit të kohnave.

Nata do, që ti t’a harrojsh për një natë

vedin, prejardhjen dhe t’parët e tu,

pikën e parrokshme me mend prej gjeometrave,

linjën, rrafshin, piramidën, kubin,

cilindrin dhe sferën, oqeanin dhe dallgët,

nënkrejsën poshtë faqes, palën e hollë të çarçafëve

të freskët…

perandoritë, perandorët e tyne, Shekspirin

dhe atë – ma t’randën e punëve – dashninë tande.

Sa çudë: ky rreth i trëndafiltë

e fshin kozmosin, tue i çilë udhë kaosit.

RONDA *

Islami, kamat e tij –

vdekja për agsholet dhe perëndimet,

dhe dridhma e tokës nën hapa rregjimentesh,

dhe shkëlqimi tok me disiplinën,

dhe ndalimi i fytyrave dhe idhujve,

dhe nënshtrimi i gjithçkaje dhe të gjithëve

një Zoti të vetëm të pamëshirshëm,

dhe sufinjtë me trëndafilat e tyre dhe venën,

dhe rimat në thëniet e Kuranit,

dhe minaretë në pasqyrën e ujrave,

dhe fundi që s’e njej gjuhën e kokrrizave,

dhe algjebra, një tjetër gjuhë ende,

dhe “Njëmijë e një netët” – kopshte të pasosur,

dhe dijetarët e traktateve të Stagiritit*,

dhe pluhuri mbi emrat e mbretënve të shkuar,

dhe vdekja e Tamerlanit dhe e Omarit,

të gjitha – në këtë Rondë,

në gjysmëterrin mëshirues të verbërisë:

oborret e saj si kupat për heshtjen,

dhe jasemini i saj që prehet,

dhe gurgullima e currilave, betimi zëulët

i kujtimeve për ranishtet amtare.

Përktheu: A. Tufa

* Qytet në provincën e Malagës, Spanjë, me 37 mijë banorë. Një ndër qendrat e qytetërimit islam deri më 1458.

**Aristotel Stagirit (Aristoteles) (Lindi 384/383, Stagir – mendje). Filozof i madh i Greqisë së Vjetër. Nxënës i Platonit, por nuk u bë dishepull i tij; edukues i Aleksandrit të Madh.

TË DREJTËT

Ai që selit kopshtin e tij, siç e ka lënë amanet Volteri.

Kush e falenderon këtë tokë për muzikën.

Kush është i lumtur, duke gjetë ngjashmëri etimologjike.

Dy shërbëtorë në një kafe të jugut

ndanë kutisë së heshtur të shahut.

Poçari, që ka peshuar që më parë ngjyrën dhe formën.

Fshesari, që rreket me këtë fletë betrre.

Çifti, që lexon tercinat përmbyllëse

të njërës prej këngëve.

Ai, që përkedhel macen e fjetur.

Kush shlyen apo rreh me shlye ligësitë e kryeme.

Kush e falenderon këtë tokë për Stivensonin.

Kush parapëlqen të drejtën e tjetrit.

Ja se kush, secili veçmas, e shpëton botën.

Përkthimi: Agron Tufa

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.