3 poezi nga Charles Bukowski

 
Ka mjaft pabesi, dhunë, urrejtje, absurditet në qenien
mesatare njerëzore për të furnizuar çdo ushtri në çdo ditë të dhënë

dhe vrasësit më të mëdhenj janë ata që predikojnë kundër vrasjes
dhe urryesit më të mëdhenj janë ata që predikojnë dashuri
dhe më të mëdhenjtë në luftë më në fund janë ata që predikojnë paqe

ata që predikojnë zotin, kanë mungesë të tij
ata që predikojnë paqe nuk kanë paqe
ata që predikojnë urrejtje nuk kanë dashuri

ruhuni nga predikatorët
ruhuni nga dijeshumët
ruhuni nga ata që rrinë duke lexuar libra
ruhuni nga ata që e neveritin varfërinë
ose janë krenarë për të
ruhuni nga ata që e japin vlerësimin në çast
sepse ata duan t’ua kthesh vlerësimin
ruhuni nga ata që nguten të censurojnë
ata i druhen asaj që nuk e dinë
ruhuni nga ata që janë në kërkim konstant të turmave sepse
ata vetëm filli nuk janë asgjë
ruhuni nga burri mesatar nga gruaja mesatare
ruhuni nga dashuria e tyre, dashuria e tyre është mesatare
dhe e kërkon mesataren

por ka gjeni në urrejtjen e tyre
ka mjaft gjeni në urrejtjen e tyre sa për të të vrarë ty
për të vrarë cilindo
duke mos e dashur vetminë
duke mos e kuptuar vetminë
ata do të orvaten të shkatërrojnë gjithçka
ata nuk merren vesh me veten e tyre
ata nuk janë të zotët të krijojnë art
ata nuk do ta kuptojnë kurrë artin
ata do ta konsiderojnë dështimin e tyre si krijues
vetëm si një dështim të botës
duke mos qenë të zotët të dashurojnë tamam
ata do të besojnë se ju dashuroni jo tamam
dhe pastaj ata do t’ju urrejnë juve
dhe urrejtja e tyre do të jetë e përkryer

si një diamant
si një thikë
si një mal
si një tigër
si një kukutë

arti i tyre më i përkryer

Perktheu:  Skënder Buçpapaj


Vdekja po m’i pi purot

ta dini; sërish jam këtu
i dehur
po e dëgjoj Çajkovskin
në radio.
Jezu, e kam dëgjuar para 47
vjetësh
kur isha shkrimtar që vdiste urie
e ja tash këtu
prapë
e tash kam fituar famë të pjesërishme si
shkrimtar
e vdekja bredh
nëpër këtë dhomë
poshtë-lart
duke m’i pirë purot e mia
dhe verën time me gllënjka
të vockëla
derisa Çajku me ngulm merr hakun
me Pathetiquen e vet,
njëfarë rrugëtimi ka qenë
e i gjithë fati që pata pasur qe
ai që zaret i pata hedhur bash
ashtu si duhej:
vdisja urie për artin tim, vdisja sall që t’i
shtija në dorë 5 minuta të mallkuar, 5 orë,
5 ditë –
e krejt çka doja ishte ta nxirrja fjalën
prej vetes;
fama, paraja, s’e çaja fare kokën për to:
doja sall ta nxirrja atë fjalë nga vetja
e ata më donin buzë presës së stampimit,
linjës së montimit në fabrikë
donin të bëhesha magacinier në 
shtëpi mallrash.mirë de, thotë vdekja, derisa endej nëpër dhomë,
kot e ke do të të rrëmbej
çfarëdo që të kesh qenë:
shkrimtar, shofer taksie, kodosh, kasap,
parashutist, do të të kap…

mirë e ke zemër, i them.

e tash pijmë së bashku
derisa 1 pas mesnate kalon mengadalë në 2
pas mesnate dhe 
sall ajo e di çastin
e duhur, por unë përnjëmend e 
kam mashtruar: i kam pasur 
5 minutat e mi të mallkuar
e bile, bile edhe më
tepër.

Perktheu: Bledar Meda


Jam i dashuruar

Ajo është e re, tha ajo,
por më shiko mua,
kam këmbë të bukura,
dhe shikoi kyçet e mia, kam kyçe 
të bukura
o zot, 
mendova se po funksiononte gjithçka,
dhe tani u shfaq ajo përsëri, 
sa herë që të telefonon bëhesh si i çmendur,
ti më the që ka përfunduar gjithçka
ti më the që s'ka mbetur më asgjë,
dëgjo, kam jetuar aq sa duhet për të qenë një
femër e denjë,
pse kërkon një femër të pavlerë?
ke nevojë të stërmundohesh, kështu?
mendon se jeta shkatërrohet, e nëse dikush të trajton keq 
gjithçka shpërthen,
apo s'është kështu?
më thuaj, është kështu? dëshiron të të trajtojnë si 
një plehrë?
dhe i hodha të gjitha lulet.
u ula në një kafene dhe bërtita me të madhe
JAM E DASHURUAR,
dhe tani u bëre lodër e imja...
më fal, të thashë, më fal shumë.
më mbaj, tha ajo, mund të më mbash të lutem?
nuk kam provuar kurrë gjëra të tilla, i thashë,
ajo u ngrit dhe ndezi një cigare, dridhej e gjitha
lëvizte lart e poshtë, u tërbua. ajo kishte
një trup të vogël. krahët i kishte të hollë, shumë të hollë e kur
bërtiti dhe filloi të më godasë, e kapa atë tek 
kyçet dhe pastaj e pashë drejt e në sy: urrejtje,
e thellë shekullore dhe e vërtetë. Isha gabim, i pasjellshëm dhe
i sëmurë. gjithçka që pata mësuar qe tretur.
nuk kishte asnjë qenie të gjallë aq idiot sa ç'jam unë 
dhe që të gjithë poemat e mia ishin
të rreme.

Perktheu: Bledar Meda

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.