Parfumi yt
Ti je? Ti je? E njëjta?
Goja jote varr i gjallë detar
Me aromën e fërnetit
Të puthitur trupat tanë nga frika
Në kërkim të mejhaneve pa garipa
të portit
Por ama me “zhurmë e tym” i kërkonim
Që askush të mos na shihte kaq pa frymë e të përkryer
E kështu s’e gjenim një të tillë, këmbët e rënduara
Si shishe na thyheshin në mes
Puthjet e rërën me brazda plagosnim
Në gjurmët tona të thella varrosnim
Gjithë vitet që kishim kaluar pa u njohur
Buzë detesh me emra të ndryshëm
Ajo natë në dritare si pulë e zezë
Ngrohte të vetmen hënë vezake
Nga ku del gjarpëri i gjithë mollëve
Mollët e tua të bardha
Bashkë i kafshuam
Dhe të nesërmen i mallkuam, kur
I njëjti autobus u nda më dysh
Për të na degëdisur në drejtime të kundërta
Tani
Me një guxim të mjerë
Nuhas gjithë ditën, të betohem
Gojët e shokëve në klub, për atë Zot
Eshtë era e saj
Permbi revolucionin
Me mbaruan cigaret ne stacion te autobuzit
Duke pritur revolucionin tjeter
Ketu kam mbetur
Gozhde e perzhitur, e shtremberuar
Neper shkrumbin e kishes se djegur.
Si neper pistoleta me mulli
Te gjithe jane futur koke me koke
Neper shtepi
Gjithe revoluconet te parafundit jane
E gjithnje jeta ime e fundme, e fundit
Lire mi bleve lotet, mi blete
Krejt trupi me dhimbte nga dashuria
Per popullin e barrikaden.
Dua te vdes e ta harroj
Ta vjell. Dua te vdes kot
Ose hic te mos vdes nese duhet
Te vdes me qellim
Do marr nje lypes te mitur mulat
Ta ngroh e ta rris ndyre
Ju ftoj te gjitheve ne strofken time
Te me peshtyni ne fytyre
Veç te mos me provokoje njeri me plaget e veta.
Por rrofte, rrofte flamuri i ri
Edhe çdo dashuri e vjeter
Ne ardhte prape dita, ne rruge prap do jem
Me gure do godas patjeter
Ata qe jane grumbull
Dhe ata qe do rrine vetem.
Kronikë nga këto ditë
I iki vetes me ditë të tëra
Me javë
Dy qënie që rrojnë si t’ua dojë qejfi
Po ti njësosh, del një jetë qeni
Ai këtu, unë tej çapitem
Kohë kam: këpucët ende mbajnë
Arna
Dhe dhëmbë të thyera të udhës së hiçit
Dhe shkoj në vete, i parruar
I ndyrë
Me plot zakone të reja rruge
Dhe vij në vete, heshtas e takoj
I marr bukë, vargje, raki
Fjalët e pakëmbyera-grenxa në zgjoin e kokës
Dhe udha e hiçit vazhdon të m’i hajë
Opingat e arnuara me lëkurën e faqes
Se unë vazhdoj kështu të jetoj
Me një lumturi të lodhur, pa bujë
Gjysmën time të jetës tonë prej qeni.