3 poezi nga Hans Magnus Enzensberger

Tango finlandeze

Ajo që mbrëmë qe është dhe nuk është
Varkëza që largohet
dhe varkëza që ankorohet
Flokët kaq pranë ishin flokë të huaj
Kjo është e lehtë të thuash Është gjithmonë kështu
Liqeni gri është bash liqen gri
Buka e mbrujtur mbrëmë është bërë gur e fortë
Askush nuk kërcen Askush nuk pëshpërit Askush nuk qan
Lumi është avulluar nuk është avulluar
Liqeni gri tashi është i kaltër Dikush vikat
Dikush qan Dikush ka shkuar
Ka shumë dritë Ishte gjysmerrësirë
Varkëza jo gjithnjë kthehet
Është e njëjta gjë dhe nuk është e njëjta gjë
Këtu nuk ka njeri Shkëmbi është shkëmb
Shkëmbi pushon së qeni shkëmb
Shkëmbi bëhet prapë shkëmb
Është gjithmonë kështu Asgjë s’zhduket
e asgjë nuk mbetet Ajo që ishte
është dhe nuk është dhe është Ajo
askush nuk e kupton Atë që mbrëmë
ishte Është e lehtë të thuash Sa e ndritshme
është këtu vera dhe sa e shkurtër

Perktheu: Skender Bucpapaj

Perendesha e madhe

Ajo punon papushim ditë e natë,
vendosur mbi vezullimin e saj,
një fund i perit midis buzëve të saj,
duke rregulluar të gjitha llojet e gjërave.
Vrima të reja, sythe të reja gjithmonë.
Ndonjëherë ajo kapitet
vetëm për një çast
ose për një shekull. Pastaj,
duke mbledhur veten përsëri,
ajo i kthehet punës së saj me majë të gjilpërës.
Sa e vogël është bërë,
e vogël, e rrudhur dhe e verbër!
Me gishtëzën e saj ajo ndien për vrimat në botë
dhe mbush e mbush

Perktheu: Skender Bucpapaj
Pyetje në mesnatë

Ti mike, që shtrëngon dorën time,
ku të fluturon mendja? Kur ndër kambanore
kambanat ëndërrojnë që janë thyer,
në ç`kubera endet
zemra jote?
Ku, në cilin rrah bredh ti,
kur unë ta përkëdhel faqen e brishtë?
Ç`lule nate të fshik e të trullos,
o ëndërrimtare? Cili va e njom
këmbën tënde?

Ku, e dashur, kur mugëllon agimi,
çapitesh ti mes kallamishtesh, ledhaton
dyer dhe kripta ? Me lajmësin e kujt
shkëmben puthje,ethedredhur,
goja jote ?

Ku ndodhet ai fyelli që të pëlqen?
Ku ulërima që, në heshtje, t`i ngrë
flokët përpjetë?...Dhe unë rri shtrirë,
si një ulok, i pagjumë, në përgjim
të puplajës tënde!

O ti mike, që shtrëngon dorën time,
ku, në ç`pyje të ndjell e të ngatërron
ëndrra jote?

Përktheu: Robert Shvarc

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.