3 poezi nga Martin Camaj

 Dështimi

Nuk e çova zanin në kor
Aty ku duhej: prej frike, turpi?
“Atëherë, del jashtë! - Më tha mjeshtri.
- Del jashtë!”
Prej të mbramit rresht në fund 
U shkëputa, spec prej vargut në tra,
E njeha shkallët nji nga nji
Deri në fund,
Nën dhé
Me peshën e njiqind syve në krahë.



Nji poeti të sotëm

Rruga jote â e mirë:
Parkat janë fytyrat ma të shëmtueme 
Të miteve klasike. Ti nuk shkrove për to, por për rrasa guri e ballë njerzorë
Me rrudha shum e për dashurinë.
Vargjet tua janë për t’i lexue në heshtje
E jo para mikrofonit
Si të çetës së poetëve tjerë,
Zemra
Ndonëse nën shtatë lëkura
Akull,
Akull
Ndonëse nën shtatë lëkura.



Alter Ego

Nji zezak i verbët
Me nji qen në mantel lëkure
Mjedis kalldremit në qytetin e madh
Te USA-s
Qëndrojnë palëvizë në kambë.
Njerzia u vjen rrotull
Ujë rreth nji curri binjok
Në zemër të lumit.
Ujë i larmë përreth plagës
Në trupin e një gjiganti.

Martin Camaj

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.