3 poezi nga poetë të mëdhenj!

Nazim Hikmet – Angjinë Pektoris
Nëse gjysma e zemrës sime është këtu, doktor,
gjysma tjetër është në Kinë
rrjedh tok me ushtrinë
drejt Lumit të Verdhë.
Dhe, çdo mëngjes, doktor,
cdo mëngjes në lindje të diellit zemra ime
qëllohet në Greqi.
E çdo natë, doktor,
kur të burgosurit kanë fjetur dhe infermieria është shkretuar,
zemra ime ndalet në shtëpinë e rrënuar
në Stamboll.
Dhe pas dhjetë vjetësh
gjithë ç’kam për t’i dhënë popullit tim të gjorë
është molla që kam në dorë, doktor,
një mollë e kuqe:
zemra ime.
Dhe kjo, doktor, kjo është arsyeja
e kësaj angjine pektoris –
jo nikotina, burgu, apo arterioskleroza.
Në mbrëmje shikoj përmes kangjellave,
dhe pavarësisht nga shtrëngimit në gjoks
zemra ime ende rreh bashkë me yjet më të largëta.
Perktheu: Dorina Ferhati
Federico Garcia Lorca – Madrigal
Puthja ime qe një shegë
E hapur, e thellë,
Një trëndafil prej letre
Goja jote qe.
Në sfond një fushë me borë.
Duart e mia qenë të hekurta
Për kudhrat e rënda
Dhe trupi yt i lehtë
Qe perëndimi i një kënge.
Në sfond një fushë me borë.
Në kafkën e madhe të qiellit,
Të bërë vrima-vrima,
Si stalaktite varen
Të gjitha “të dua-t” e mia.
Në sfond një fushë me borë.
Endrrat e mia fëmijërore
Shtresa ndryshku kane zënë,
Dhimbja ime spirale
E ka zhbiruar hënën.
Në sfond një fushë me borë.
Tani le te bëhemi seriozë,
Le t’i vemë të marrin mësime
Dashuritë dhe ëndrrat e mia
(Mëza të vegjël pa sy.)
Në sfond shtrihet një fushë me borë…
Paul Eluard – Drejtesi e mire
I ngrohtë është ligji i njerëzve
kur nga rrushi bëjnë verën
nga qymyri bëjnë zjarrin
nga puthjet bëjnë njerëzit
I ashpër është ligji i njerëzve
që të mbeten ashtu bashkë
kundër luftës dhe fatkeqësive
kundër rrezikut të vdekjes
I ëmbël është ligji i njerëzve
kur ujin e kthejnë në dritë
ëndrrat në realitet
dhe në vëllezër armiqtë
Ç’ligj i hershëm dhe i ri
ashtu përmbushës vetëm ecën
nga zemra-fëmijë që s’di
deri te arsyeja supreme.
Përktheu: Visar Zhiti