3 poezi nga Robert Shvarc

Vargje lamtumire për një shok rinie
Për A.K

Ne vetëm ëndrra kishim asgjë tjetër!
Ende të shkurtra i mbanim pantallonat,
Dhe na pëlqente si kushtrim i vjetër:
Si shqipet lart e jo rrëshqanë si bollat!

Na i copëtuan ëndrrat, na i vranë.
S'e hidhnim këmbën dot mes gjarpërinjsh.
Dhe vanë ditët, vitet.... e na lanë:
Tejman mortor e flakërimë qirinjsh.

Tani sikur edhe botën të na falin,
S'na duhet më ia kthejmë prapë Mizorisë!
Asgjë, asgjë s'na e shuan dot më mallin
Për të pamajmet ëndrra të rinisë.

Ne vetëm ato kishim asgjë tjetër
Ende të shkurtra i mbanim pantallonat,
Hovet dhe shpresa dhe besën e vjetër
Drejt qiellit i lëshonim si balonat...
***
Tani po ikën...Më ti s'do kthehesh!
(as ty s't’i kthyen vitet e qelive!)
me vlegën e atdheut më s'do dehesh
sakaq s'të la ty trill i "perëndive"!

Maj '91



Falmë
(e pabotuar - shkruar ne vitin 1957)

Oh, falmë, falmë mikja ime
Në ta lëndova përsëri
At’ plagë që s’don më ngushëllime,
që don të mbetet si jetime
krenare pa njeri!

Oh, falmë, falmë pse kërkoj
Prej teje unë dashurinë
E dhëmshurisht pse të qortoj
Në çastet-vrer, kur shpesh harroj
Se ty ta vranë rininë …

Esht’malli im gjithë pikëllim
Që djeg e bren aq pushtetplot
E kur s’e gjen ate flijim
Që e njeh aq fort në shpirtin tim
I mbeten veçse lot!

Esht’ zemra ime q’u mësua
Çdo rrahje t’sajën ta durojë,
që kurrë s’i tha njeri “Të dua!”
që u ndez përherë dhe u shua…
pse di të dashurojë.

E pra, më fal e dashur ti,
tani t’kuptoj unë ty më mirë:
çdo ças dhe unë po ndiej mërzi
e shpesh s’kam mall, s’kam dashuri,
s’kam gaz, s’kam më dëshirë!

Oh falmë, falmë mikja ime,
s’do t’i lëndojmë ne kurrsesi
k’to plagë që s’duan ngushëllime,
që duan t’mbeten veç jetime
ashtu si une, ashtu si ti …

1957




Pa titull
***
Pa shkak të kapë ka 'i herë, o mik, trishtimi
e s'din çka ke e s'din ku të dhemb;
të duket natë kur n’qiell zbardhon agimi
e lulja vetë të duket veç nji gjemb,
kur t'kapë, o mik, trishtimi.

Pa shkak të kapë ka'i herë, o mik gazmendi,
e s'din pse qesh, kur t'vjen ma mirë me qa,
të duket reja posi tis argjendi
e lulja t'dehë kur asht zbe e tha:
kur t'kapë, o mik, gazmendi ...

1960

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.