4 poezi nga Erich Fried

 AJO QË ËSHTË

Është absurde
thotë arsyeja
është ajo që është
thotë dashuria
Është trishtim
thotë sepse llogarija
s’ është tjetër veçe dhimbje
thotë frika
është e kotë
thotë gjykimi
është ajo që është
thotë dashuria
është qesharake
thotë krenaria
është pamaturi
thotë maturia
është e pamundur
thotë eksperienca
është ajo që është
thotë dashuria


LEXOJ POEZI

Kush
pret shpëtimin
nga një poezi
duhet të mësojë
të lexojë më tepër poezi
Kush
nuk pret asnjë shpëtim
nga një poezi
duhet të mësojë më mirë
më mirë do të duhet
të mësojë
të lexojë
poezi.


GJITHNJË MË SHUMË E VESHTIRE

Të të shihja vetëm një herë
dhe kurrë më pastaj
duhet të jetë më e lehtë
se sa të shoh ende edhe një herë
dhe kurrë më pastaj
të të shoh ende dhe një herë
dhe kurrë më pastaj
duhet të jetë më e lehtë
se sa të të shoh ende edhe dy herë
dhe kurrë më pastaj
të të shoh ende dy herë
dhe kurrë më pastaj
duhet të jetë më e lehtë
se sa të shoh edhe tre herë
dhe kurrë më pastaj
Por unë jam një budalla
dhe dua të të shoh
ende edhe shumë herë
më parë
që të mos mund të të shoh
kurrë më.


KUR PUTH

Kur unë të puth
nuk është vetëm buza jote
nuk është vetëm kërthiza jote
nuk është vetëm barku yt
që unë puth.
Unë puth edhe pyetjet e tua
dhe dëshirat e tua
puth reflektimin tënd
dyshimet e tua
dhe guximin tënd
dashurinë tënde për mua
dhe lirinë tënde nga unë
këmbën tënde
që mbërriti këtu
dhe iku përsëri
unë të puth ty
kështu siç je
dhe siç do të jesh nesër
dhe ende më larg
kur koha ime do bëhet e shkuar.

Përktheu: Faslli Haliti

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.