4 poezi nga Kasëm Trebeshina

DY BOTET

Dy botë
një mrekulli…
Një jet’ më vete tirret ditën
dhe nata ngre një tjetër mbretëri.
Te jet’ e ditës
nxitojmë të harruar,
të ndjekur nga një frikë e paformë
te jet’ e natës kthejmë
për t’ëndërruar.



MELANKONI

Në dritare të dy rrimë
dhe nga hëna po shikojmë
s’jemi parë dhe të mërguar
njëri-tjetrin po kërkojmë.
Jemi fare pran’në jetë
dor’ për dore gati zënë:
Diku rrugët na takojnë,
po kalojnë nëpër Hënë!



MENDIMI

Bie mendimi në mendjet e njerëzve dhe duket nuk ndalet,
s’e merr dot era s’e lag shiu që bie rrëmbimthi.
N’er’ dhe në shi, as në mendjet e njerëzve nuk mbetet mendimi…
Ne nuk do vemi më pas , kur vdekja vdekje të bëhet?!…



QENTE

Te bosht’ i natës kthehen yjet,
te gjum’ i natës zgjohet gjumi,
te heshtj’ e natës shkon mendimi
te hap’ i rëndë!
Nga larg dëgjohet një rrëmujë;
po lehin qentë!
Te pyll’ i natës së qytetit
po lehin qentë!
Dhe hap’ i rënd’ përplaset nëpër shkallë,
dhe hap’ i rënd’ përplaset nëpër rrugë,
përmes pallatesh një buçimë.
Po lehin qent’ te frik’ e natës
dhe griset befas errësira
nga nj’ ulërimë.
Po kthehen yjt’ ngadal te bosht’ i natës,
te gjumi po kërkon të fshihet gjumi,
Sa ndihen qent’ në largësi. Ushtojnë hapat.
Përmes pallatesh frik’ e heshtjes shkon si lumi.

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.