5 poezi nga Charles Bukowski

përderja

sikur shumica prej jush, edhe unë kam pasur vende të ndryshme pune
ashtu që ndihem sikur të m’i kishin nxjerrë rropullitë e barkut e t’m’i
kishin flakur në erë.
rrugës kam takuar disa njerëz të mirë
e po ashtu
edhe asi të llojit tjetër.
ende kur i kujtoj të gjithë ata
me të cilët kam punuar –
bile sado që kanë kaluar dekada –
Karli
më bie ndër mend i
pari.

më kujtohet Karli: puna jonë e kërkonte që
të dytë të mbanim përparëse
të lidhura mbrapa dhe rreth
qafës me lidhëse.

isha vartës i Karlit.
“e kemi një punë të lehtë”, më
pati thënë.

secilën ditë derisa një nga një arrinin shefat tanë
Karli do të bënte një përulje të lehtë në bel,
buzëqeshte, dhe me nojmë koke
përshëndeste secilin: “mirë mëngjesi Dr. Stein”,
ose “mirë mëngjesi z. Day” apo
Zonja Knight ose nëse dama ishte beqare
“mirë mëngjesi, Lilly” apo Betty ose Fran.

Unë kurrë
s’flisja.

Karli dukej i brengosur lidhur me këtë dhe
një ditë më mori mënjanë: “hej,
ku n’hamam tjetërkund do t’i
kesh dy orë pushim dreke siç i kemi
këtu?

“askund, ma thotë mendja…”

“ani de, në rregull, për tipat si ti dhe unë,
punë më të mirë s’mund të gjejmë, krejt ç’na duhet
këtu e kemi.”
prisja.

“prandaj shiko, është vështirë t’u bësh lajka në fillim, as
unë nuk e kisha aq lehtë
por pas pak kohe e kuptova se kjo
s’kishte kurrfarë rëndësie.
sall u mbylla në lëvozhgë,
tash e kam lëvozhgën time, a e ke të
qartë?

e shikova dhe vërtet dukej si të kishte
lëvozhgë, kishte çehre si të maskuar
dhe sytë i kishte të pakuptimtë, bosh dhe
të pashqetësuar; shikoja në guaskë të shkokëluar e të rrahur nga
era dhe shiu.

disa javë kaluan.
asgjë nuk ndryshoi: Karli përkulej e laritej dhe buzëqeshte
i paepur, i përkryer në rolin
e vet.
që ne ishim të dëmtueshëm, kjo ndoshta s’kishte rëndësi për

apo
që zotat e mëdhenj mund t’na
shikonin.

E bëja punën
time.

atëherë, një ditë, Karli përsëri më
tërhoqi mënjanë.

“dëgjo, Dr. Morely më ka biseduar
për ty.”

“po?”

“më ka pyetur se ç’dreqin
ke.”

“çka i ke
thënë?”

“i kam thënë se je i
ri.”

“të falemnderit.”

si e mora rrogën, e braktisa
punën

megjithatë

edhe më tej
duhej
të pranoja punë të
ngjashme
dhe
derisa shikoja
Karlët e rinj
më në fund i fala të gjithë
përveç veten:

duke qenë i dëmtueshëm ngandonjëherë e bën
njeriun
të çuditshëm
pothuajse
të papunësueshëm
shumë të
urryer –
shërbëtor të paaftë të
iniciativës
së lirë.

 

 

 

 

 

vdekja po m’i pi purot

ta dini; sërish jam këtu
i dehur
po e dëgjoj Çajkovskin
në radio.
Jezu, e kam dëgjuar para 47
vjetësh
kur isha shkrimtar që vdiste urie
e ja tash këtu
prapë
e tash kam fituar famë të pjesërishme si
shkrimtar
e vdekja bredh
nëpër këtë dhomë
poshtë-lart
duke m’i pirë purot e mia
dhe verën time me gllënjka
të vockëla
derisa Çajku me ngulm merr hakun
me Pathetiquen e vet,
njëfarë rrugëtimi ka qenë
e i gjithë fati që pata pasur qe
ai që zaret i pata hedhur bash
ashtu si duhej:
vdisja urie për artin tim, vdisja sall që t’i
shtija në dorë 5 minuta të mallkuar, 5 orë,
5 ditë –
e krejt çka doja ishte ta nxirrja fjalën
prej vetes;
fama, paraja, s’e çaja fare kokën për to:
doja sall ta nxirrja atë fjalë nga vetja
e ata më donin buzë presës së stampimit,
linjës së montimit në fabrikë
donin të bëhesha magacinier në
shtëpi mallrash.

mirë de, thotë vdekja, derisa endej nëpër dhomë,
kot e ke do të të rrëmbej
çfarëdo që të kesh qenë:
shkrimtar, shofer taksie, kodosh, kasap,
parashutist, do të të kap…

mirë e ke zemër, i them.

e tash pijmë së bashku
derisa 1 pas mesnate kalon mengadalë në 2
pas mesnate dhe
sall ajo e di çastin
e duhur, por unë përnjëmend e
kam mashtruar: i kam pasur
5 minutat e mi të mallkuar
e bile, bile edhe më
tepër.

 

 

 

 

turma

ata kanë qejf të mblidhen dhe të bëjnë muhabet tërë natën e
lume derisa ua mbushi gotat me verë.
gruas sime më duket se nuk i pengojnë edhe vjehrra ime
kënaqet me ta.
këmbime të vogla derisa orët i kanë
hequr duart e këmbët,
kokat i kanë çuar në **** të s’amës.
s’mund të besoj se po
rrinë këtu.
s’mund t’u besoj fjalëve e as qeshjes së
tyre.
nuk kam ide se ç’hamam kërkojnë këtu.
askënd s’e kam ftuar.
jam burrë.
më duhet të veproj në mënyrë të qytetëruar.
më duhet të sillem si ata.
megjithatë do të jetoj edhe pas tyre.
kjo natë nuk do të më shndërrojë në ta.

ka pasur raste kur i kam përzënë të
tillët.
por ma vonë dëgjoja
se çfarë bishe kam qenë.

e tash po rri me ta,
po përpiqem të dëgjoj.
bile herë pas here e them nga ndonjë fjalë.
nuk kanë ide se si ndihem.

jam posi kirurg që operon nyjen,
që ekzaminon natyrën malinje.
çuditërisht, s’ka asgjë për t’u mësuar.

“natënemirë, natënemirë, kini kujdes në
vozitje.”

pas që ikin
vendi vetvetiu rimodelohet,
macet dalin nga fshehja,
e unë e kam çastin e parë të
qetë.

gruaja ime dhe unë rrimë së bashku.
nuk them gjë për këta që
ikën.
hëna shndrit nëpër
dyert e xhamta
e jeta la në mua
sipërfaqe të këndshme.
i kam mbijetuar
edhe
një
herë.

 

 

 

 

rruga e moçme

ishte flokëzezë
nga ato që të shkallojnë fare
e që s’pushtohej lehtë
dhe për besë mbase edhe pata luajtur mendsh
por për çudi disi më priu fati dhe ajo vetë më pushtoi
në shtrat ishte vërtet mbretëreshë kënaqësie
megjithëqë ato punë nuk i bënim sall në shtrat
dhe kur ikte edhe kësaj i thosha si të tjerave
qafën e thefsh e kurrë mos u kthefsh
por rodi i tyre zakonisht kthehet
qoftë te unë qoftë te ndonjë tjetër më i mbrapshtë se unë
bile më shpesh te çorodat se te unë

bukur moti s’e kisha parë
e kur isha në hall
dhe i kisha punët pisk
më binin ndërmend
fjalët e saja dhe qeshja vetmevete
…kur rehatohej thoshte
kurrë nuk do të zbrisja nga kjo maje…
(i pëlqenin do këngë të përçudëta: ‘sytë e kaltër në të zbehtë’
dhe në ‘shenjtëri’, i thosha si mund të durosh këtë hallakamë…
trus! ma kthente…)
i përshpërisja oj shtrigë flokëkuqe rri sa të rrihet
kënaqe shpirtin loçkë e shijoje kënaqësinë sa je aty…
sado që
edhe vetë e dinte se aty s’mund të rrinte
as tërë ditën as tërë natën
shkaku i motit të ligë
shkaku i motit të bukur
shkaku i shkollës
dhe pasi që shijonte kënaqësinë
zbriste nga maja
e më thoshte
o teveqel
kot e ke
kurrë s’ke për të shkuar në parajsë
pse moj shtrigë flokëkuqe (vërtet donte t’i ngjyroste flokët
në të kuqe ngase ishte flokëzezë)
ke bërë shumë mëkate
po çfarë mëkatesh o jogurti im
dëgjo këndej dhe mbaje mend mirë kurrë më
mos gabo të quash jogurt
unë jam ajkë more dështak ma kthente
derisa i binte
një hije trishtimi
e unë e quaja jogurt ngase njëherë ia pata lyer trupin
me jogurt në vend se me mjaltë dhe ia pata lëpirë
atë siç lëpin qeni *****

…dhe tash së voni kur e takova
e pyeta për atë vakinë e moçme
‘pse më thoshe kurrë s’do të shkosh në parajsë…
ngase s’më ke martuar more dështak i përbetuar
por si të të martoj moj shtriga ime kur unë
i shkreti s’mund ta mbaj as veten gjallë e lëre më ty…

u ndamë
unë vazhdova rrugës sime të moçme
e ajo
ajo si gjithnjë ktheu diku
te ndonjë çorod.

 

 

 

 

ajri edhe drita dhe koha e hapësira

” – e di. gjithnjë kam pasur telashe
a gruaja, a puna, diç
gjithmonë më pengonte
por tash
e kam shitur shtëpinë, e kam gjetur këtë
vend, studio të madh, do të duhej ta shohësh hapësirën dhe
dritën.
Për herë të parë në jetë do të kem vend dhe kohë për
të krijuar.”

jo zemër, nëse vërtet do të krijosh
ti do të krijosh pavarësisht se a punon
16 orë në ditë në minierë
apo
do të krijosh në dhomë të vockël me 3 fëmijë
derisa jeton me ndihmë
sociale
do të krijosh me një pjesë të trurit
apo të trupit të
dëmtuar,
do të krijosh i verbër
sakat
i çmendur,
do të krijosh edhe kur macja të zvarritet
nëpër shpinë derisa
i tërë qyteti dridhet nga tërmeti, bombardimet,
vërshimet dhe zjarri.

zemër, ajri edhe drita dhe koha e hapësira
s’kanë kurrgjë të bëjnë me këtë
dhe mos krijo asgjë
përveç mbase një jete më të gjatë që
të gjesh arsyetime të
reja.

Përktheu: Fadil BAJRAJ

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.