5 poezi nga Gérard de Nerval

FANTAZI
Është një melodi për të cilën do jepja
Krejt Rosinin, Moxartin edhe Veberin,
Një melodi e përzishme, lënguese, e vjetër,
Që veçse për mua ka sharme të fshehta.
Por përherë më ndodh kur mbaron dëgjimi,
Që shpirti më bëhet më i ri dyqind vjet:
Më kthen në kohën e Luigjit Trembëdhjetë...
Ku shoh një kodrinë që e zverdh perëndimi.
Pastaj një kështjellë me kënde të gurtë,
Me xhama të lyer me ngjyra të kuqe,
Rrethuar nga parqe të gjerë, dhe një lumë
Që themelet ia lag e rrjedh përmes lulesh.
Pastaj shoh një zonjë, në dritaren e vjetër,
Flokëverdhë e syzezë, me një fustan të rëndë...
Që, ka shumë gjasa, në një jetë tjetër
E kam parë tashmë – e që më vjen ndërmënd!
NJOLLA E ZEZË
Kushdo që ngultas diellin me sy ka vështruar
I duket se ka parë si fluturon me ngulm
Përreth tij, në ajër, një njollë e irnuar.
Kështu dhe unë, i ri, edhe më guximtar,
Një çast mbi lavdinë guxova sytë t’i ngul:
Një njollë e zezë m’i ngeli shikimit lakmitar.
Qysh aherë, mbi gjithçka, si shenjë ogurzezë,
Në çdo vend ku syri më ndalet ndonjëherë,
E shoh të qëndrojë dhe ajo, njollë e zezë! –
Pa reshtur mes meje dhe lumturisë! Përherë?
Oh! vetëm shqiponja – o kob, kobi ynë! –
Sodit e pandëshkuar Diellin dhe Lavdinë.
EL DESDICHADO
Jam Terrani, - Vejani, - i Pangushëlluari,
Princi i Akuitenës në Kullën e vithisur:
Ylli i vetëm më vdiq, - dhe lahutë e yjëzuar
Më sjell Diellin e zi të Melankolisë.
Në natën e Varrit, Ti që m’ke ngushëlluar,
Pozilipon dhe detin e Italisë më sill,
Lulen që ma donte zem’r e dëshpëruar,
Pjergullën ku lidhen Rrushi me Trëndafil.
Jam Erosi a Febi?... Luzinjani a Bironi?
Ballin e kam të kuq nga puthje e Mbretëreshës;
Kam ëndërruar në Guvën ku noton Sirena...
Dhe dy herë fitimtar përshkova Akeronin:
Tek luaja në lirën e Orfeut, pas radhës,
Psherëtimat e Shenjtores dhe klithmat e Zanës.
NË KOPSHTIN E LUKSEMBURGUT
E gjallë dhe e shkathët si një zog
Në shteg të kopshtit shkoi një vajzë e re:
Një lule të freskët mbante në dorë,
Në buzë kishte një këngë të re.
Ndoshta në botë ajo është e vetmja
Me zemrën e së cilës do më puqej zemra,
Që natën e thellë të shpirtit tim
Do ma ndriçonte me një vështrim!...
Por jo, - rinia ime tashmë ka mbaruar...
Lamtumirë, o rreze e ëmbël që më ndrite, -
O vajzë, o harmoni, o erëmime...
Kalonte lumturia, - por rrezja ishte shuar.
EPITAF
Jetoi herë i gëzuar si zogu në pemishtë,
I dashuruar, moskokëçarës, zemërndjerë,
Herë i zymtë e ëndërrtar si Klitandër i trishtë.
Një ditë prej ditësh i trokitën në derë.
Ishte Vdekja! Atëherë ta priste pak iu lut
Sa t’i vinte dhe pikën sonetit të fundit;
Dhe pastaj pa u prekur, shkoi drejt e u fut
N’arkëmortin e ftohtë ku i dridhej trupi.
Gjithçka desh të dinte, por asgjë nuk njohu.
Kishte qenë përtac, historitë me ç’thonë,
Pendën në kallamar e ngjyente shumë rrallë.
Dhe kur erdhi çasti, nga kjo jetë i lodhur,
Që vdekja e rrëmbeu, një natë dimri të vonë,
Iku duke thënë: “Pse kisha ardhur vallë?”
Përktheu: Alket Çani