6 poezi nga Pol Elyar

“T’i them të gjitha” Pol Elyar
1.
Dua t’i them të gjitha, po fjalët s’mjaftojnë
Dhe koha s’mjafton, s’mjafton as guximi.
Endërroj dhe vargjet i gjej me hamendje,
Mundohem dhe vuaj për fjalën e qartë.
Dua të flas për të gjitha: për rrugët e kalldrëmet,
Për udhët e udhëtarët, pllajat e barinjtë,
Për pushin e pranverës dhe ndryshkun e dimrit,
Për të ftohtin dhe vapën mbledhur brenda një fryti.
Kam qejf t’ju tregoj dhe cdo njeri më vete,
Cdo gjë që krah i jep dhe cdo gjë që përdhe e rrëzon,
Cdo moshë njeriu dhe cdo qenie që merr dritë njeriu,
Shpresën e tij dhe gjakun e tij, historinë e tij dhe mundimin.
Kam qejf t’ju tregoj të madhen e të vecuarën turmë
Të ndarë me catma si në varrezë,
Dhe turmën më të fortë se hija e saj e papastër,
Turmën që muret rrëzon dhe ngrihet lart mbi padronët.
Kam qejf t’u tregoj familjen e duarve dhe familjen e fletëve,
Dhe hapin tinëzar të kafshës pa emër,
Dhe vlagën pjellore të lumit dhe vesës,
Drejtësinë në këmbë, lumturinë në lule.
2.
Lumturinë e fëmijës a mund ta shpjegoj
Me kukullën e tij, me topin e tij a ditën me diell?
A kam guxim ta tregoj lumturinë e burrit
Me sytë e gruas së tij dhe të fëmijëve?
A mundet ta shpjegoj dashurinë dhe burimin e saj,
Dramat e saj prej plumbi e farsat prej kashte,
Veprimet dhe shenjat e saj të castit që e bëjnë të zakonshme,
Përkëdhelitë e saj që ia sjellin sërish pavdekësinë?
Vallë a di t’i lidh ndonjëherë të korrat me plehërimin
Dhe pasurinë ta vësh përkrah bukurisë?
Vallë a jam i fuqishëm nevojën ta krahasoj me dëshirën
Dhe skemën e rendit pa shpirt me skemën e ngrohtë e të gjallë?
A kam aq fuqi që nën zjarr zemërimi
Urrejtjes me shpatë urrejtjeje kokën t’ia pres
Dhe të tregoj se viktima pluhur xhelatin e bën
Dhe fjala revolucion e tëra ndizet nga ngjyra?
Floriri i aurorës të lirë praron në sytë e aurorës,
Të djeshmes asgjë nuk i ngjan dhe vlerat rinohen,
Dëgjoj nëpër fjalët e vogla gjëmimin e madh të proverbave,
Dëgjoj mencurinë tek ngjitet mes dhembjesh drejt thjeshtësisë.
3.
A do të di të flas kundër kur jam me shpirt e me zemër
Kundër manive absurde që polli diku vetmia?
Unë u sfilita prej tyre pa ditur të fshihem,
Unë u sfilita ashtu si martiri me lakun në grykë.
Mes tyre sfilitur m’u shkrinë trupi, zemra, mendimi,
M’u shkrinë mes togut pa formë të mbushur me forma lajthitjesh
Mbuluar me plot kalbësira, myk e dështime,
Me lajka dhe luftë, moskokëcarje dhe krime.
Sikur të zgjaste kjo vorbull, vëllezërit e mi do të më flaknin,
Se veten e mburrja dhe luftën e tyre s’e shihja
Se jetës kërkoja t’ia merrja ato që s’i kishte
Dhe fare s’ia dija fytyrën ditës së nesërme.
Dua të jem kundër fundit të gjithë fillimeve të mia,
Se borxh u kam mbetur njerëzve që njohën thelbin e jetës,
Se borxh i kam mbetur kryengritësit që besoi në shënjestrën e pushkës,
Që besoi në zemrën dhe dorën njerëzve u zgjati.
O njerëz, në gji të njerëzimit po ngrihet një këngë e re pa një rrudhë,
Po ngrihet kënga e tyre që krenarë
E hedhin të ardhmen kundër vdekjes,
Kundër bodrumeve plot lagështi ku hijet e pështira ziejnë.
4.
A mund të them më në fund se dyert i kanë të hapura
Qilarët ku butet me myk ngarkohen me mjegull
Dhe janë të lira vreshtat ku veshët e rrushit diellin e zënë në grackë,
A mund t’ju tregoj për këto me gjuhën me lëng të vreshtarit?
Me shëmbëllimin e ujit dhe të gurit janë gatuar gratë:
Janë të brishta a të ashpra, të lehta a të rënda;
Mbi male zogjtë fluturojnë e cajnë hapësira
Dhe qeni i plakur bredh pas një kocke.
Mesnata përcjell jehonën e saj në zërin e plakut
Që mpreh talentin e vet në këngën e grisur si lepitkë,
Po edhe ky cast për mua s’është aspak i humbur,
S’kam për të fjetur gjersa të zgjohen me këngë të tjerët.
A mund të flas se gjë më të bukur s’ka se rinia
Dhe rrudhat e mia në faqe të kem guxim mos t’i fsheh;
S’ka më të bukur se vargu i madh i reflekseve,
Duke filluar nga vrulli i farës e gjer te celja e lules,
Duke filluar nga fjalia e pastër e gjer te sendet e dukshme
Besimi i njeriut prapakthesa nuk njeh.
Unë do të përgjigje pa pritur të pyesnin,
Do të desha përgjigje pa folur në gjuhë të huaj.
Askush të mos ketë dëshirë të shembet një strehë.
Të digjen qytete dhe male me trupa të ngrihen.
T’i hedhim fjalët vec në ndërtim të së resë,
Të kemi besim te koha, burim i jetës.
Gëzimi nuk derdhet me dredhje valësh të lehta,
Gëzimi derdhet me valë më të furishme se deti,
Tani askush s’mund të dyshojë në poemën time,
Që sot po e shkruaj për të fshirë të djeshmen.
Shtator, 1950.
Perktheu: Dritero Agolli
“Te dua” Paul Eluard
Te dua per te gjitha grate qe nuk i njoha
Te dua per te gjitha koherat qe nuk i jetova
Per kundermimin e detit te gjere dhe per kundermimin
e bukes se ngrohte
Per boren qe shkrin per lulet e para
Per kafshet e delira qe njeriu nuk i tremb
Te dua per dashurine
Te dua per te gjitha grate qe nuk i dashuroj
Kush me pasqyron vec teje vetveten e shoh fare pak
Pa ty shoh vec nje hapesire te shkrete
Midis dikur dhe sot
Qene gjithe ata te vdekur qe i kaperceva
duke ecur mbi kashte
Nuk mund ta shpoja murin e pasqyres sime
Mu desh ta mesoja fjale per fjale
Ashtu sic harron njeriu
Te dua per urtesine tende qe nuk e kam
Per shendetin
Te dua perkunder gjithckaje qe eshte iluzion
Per kete zemer te pavdekshme qe nuk venitet
Ti pandeh se je dyshimi dhe je vetem arsyeja
Ti je dielli i madh qe me ngjitet ne koke
Kur jam i sigurt ne vetvete.
“Nushi” Paul Eluard
Për të keq:
Nush, mungesën tënde e ndiej aq të etshme
Si pema mungesën e pyllit të gjelbër,
Vargje pa ty asnjëherë s’kam shkruar,
Jam zhytur i tëri mes ujit të akullt
Dhe zemrën bryma e vetmisë ma djeg
Dhe fjalët janë të rënda si garzat mbi plagën e hapur
Dhe rrinë të ndrydhura vegimet e mia;
Çdo gjë që shkruaj e flas shpreh vetëm ndarjen,
Dita për mua i ngjan një kazme që thesarin kërkon
Dhe kohën s’di si ta vras në gëzime të tjera.
Pylli i gjelbër u dogj i mbështjellë i tëri prej tymit,
As fletët, as flaka nuk duken mbi drurët,
O ylli im i zi, ti largohesh, largohesh,
Dhe disku yt po bëhet një pikë e vogël;
Ti, ëndrra ime, që mbete shurdhmemece,
Fshiji nga dheu reflekset dhe zërat e rrenës,
Fshima vuajtjen time të shpirtit,
Fshimi puthjet që mua s’më duhen.
Për të mirë:
E dashur, netëve në shihnim ëndrra bashkë
Dhe bashkë mëngjeseve qeshnim,
Të dy çdo gjë na shpinte në jetë.
Në shekuj bashkë
Dhe ditë pas dite në sytë e mi
Ti shkrihesh me lindjen e diellit dhe verës.
Të flesh i qetë dhe të ëndërrosh pastër,
Dhe të jetosh për njëri-tjetrin e të presësh mëngjesin –
Ky është ligji i dashurisë e i pastërtisë.
Të rrosh më lart e të rrosh më ndershëm se në ëndërr,
Të rrosh në barazi me njëri-tjetrin e në barazi besimi –
Nuk ka kënaqësi më të përsosur.
Mes botës së rinisë së përjetshme
A mundet të mendonim për akullin e vdekjen
Dhe të besonim se pranvera do të mbretëronte?
O arsye, ishim krejt të lumtur dhe ty të shëmbëllenim,
Siç shëmbëllen e skuqura e purpurt në dy faqet;
O arsye, ishim krejt të lirë e fitmimtarë!
Në shqip nga D.Agolli
Paksa i shpërfytyruar – Pol Elyar
Lamtumirë trishtim
Tungjatjeta trishtim
Ti je shkruar në vijat e tavanit
Ti je shkruar në sytë që dua
Ti nuk je tamam si skamja
Sepse buzët më të pikëlluara të shpalosin
Me një buzëqeshje
Tungjatjeta trishtim
Dashuri e trupave të dashuruar
Fuqi e dashurisë
Nga del befas dashamirësia
Si një bajloz pa trup
Kokë e zhgënjyer
Trishtim fytyrë e bukur
Përktheu: Edmond Tupe
E gjalla ime e vdekur – Pol Elyar
Në brengën time s’pipëtin asgjë,
Pres kot së koti, s’vjen njeri tek unë,
S’vjen ditën e s’vjen natën
Dhe vetë unë s’vij ashtu siç vija.
Nga sytë e tu u ndanë sytë e mi.
Besimin humbën edhe dritën humbën;
Të miat buzë u ndanë nga të tuat,
Të miat buzë u ndanë nga zbavitja,
Nga jeta dhe dëshira e dashurisë;
Dhe duart nga të tuat janë ndarë
Dhe s’mbajnë dot në gishta asnjë pupël;
Dhe këmbët janë ndarë nga të tuat,
S’çapiten dot e rrugë s’bëjnë dot.
Kështu na qenka thënë të shoh fundin,
Me fundin tënd;
Se jeta ime qenka nën pushtetin tënd,
Kjo jetë që më dukej pambarim,
E vetmja shpresë qenka varri im,
Ashtu si yti mes botës së shkujdesjes.
Kam qenë pranë teje, kam ftohtë me të tjerët.
Përktheu Dritëro Agolli
Fytyrën kam ngjitur mbi xham – Pol Elyar
Fytyrën kam ngjitur mbi xham si rojë pikëllimi
Dhe nën mua dergjet qielli i natës
Dhe në pëllëmbët e mia u shtrinë pllajat
Në heshtjen e dyfishtë të horizontit.
Fytyrën kam ngjitur në xham si rojë pikëllimi,
Ty të kërkoj tej sinoreve të pritjes,
Tej sinoreve të vetes sime;
Aq shumë të dua, sa nuk e marr vesh
Se cili mungon këtu nga ne të dy.
Në shqip nga D.Agolli