7 poezi nga Anna Ahmatova

 APEL

Të ruaj diku te një sonatë
Me aq kujdes e nuk të heq
Oh, si thërret, rënkon çdo natë
Për fajin tënd që dot s'e ndreq,
Që s'm’u afrove dot as kaq:
Një çast të vetëm si stuhi
Dhe ëndrra jote humbi paq
Ku vdekja heshtjes iu bë fli

TË FSHEHTAT E ZANATIT

S'më duhen varg betejash, ngjarje;
Çudirat - trilli elegjik.
Për mua vargjet s'janë vargje,
Po qe se sillen me etikë.

Sikur ta dinin ç'plehu dalin,
Nuk kanë vargjet turp nga ndoti:
Porsi radhiqet tej te gardhi,
Si rrodhet rriten, si laboti

Me klithma dhe si myk i fshehtë,
Era katran, me zemërim...
Buçasin vargjet plot me jetë
Për gazin tuaj, për gazin tim.

***
O, ç 'ish ajo një dit'freskie,
Qytet i Pjetrit - mrekulli!
I purpurt muzgu ra, u shtri
Dhe qetas u mbështoll me hije.

Po lëre, sytë e mi zhbirues,
Po s'i pëlqeu (dhe po t'i shante),
Në vargje këngësh do t'm'i lusë
Përjetë buzët arrogante.

***
Nuk vura perde në dritare,
Që drejt e brenda të shikosh
Dhe kam gëzim (si mëkatare),
Se s'mund të ikësh, do qëndrosh.
Po s'është e drejtë e mos e prish,
Mëri e tallje mos i cyt,
Pagjumësia jote isha,
Dhe isha mall trishtimi yt.

MUZIKË
D.D.Sh.

Diçka e magjishme digjet paprerë,
Ia thonë dhe sytë atë zjarrmi.
Ajo, veç ajo më flet, pa të tjerë,
Më ikin, s'guxon të afrohet njeri.

Kur iku dhe miku i fundit, më la,
Ajo pas meje erdhi në varrim.
Tamam stuhi këndonte dhe ja,
Sikur po nisnin lulet kuvendim.

***
Kujtimi për diellin në zemër u mpak
Bari i zbehtë.
Flokë të hershëm dëbore që larg
Era po nget.

Kanalesh të ngushta ngrin uji, s'buçet,
sikur u shter.
Këtu asnjëherë asgjë nuk ngjet,
Oh, asnjëherë!

Shelgu në qiellin e shkretë freskore
Degët ka shtrirë.
Që unë s'u bëra gruaja jote,
Ndoshta, më mirë

Kujtimi për diellin në zemër venitet
Pse kaq zymti?
Ndoshta!...
Pas natës dimri gatitet
Të vijë.

NË PASQYRË

O quae beatam, Diva tenes Cyprum et Memphis Hor*.
Dhe bukuria - kaq e re,
Po jo nga sot e njëqind vjet,
S'u bëmë dy, se një e tretë,
Ne asnjëherë nuk na le.
I sillesh ti asaj më tepër,
E lë me ty, me bujari...
Po ç 'ndodh me ne asnjë s'e di,
Për ne çdo çast e më i egër.
Si burgaxhinjtë dim' diçka
Për njëri-tjetrin, diçka tmerri.
Na pret dënimi - një rreth ferri,
Po ndoshta s'jemi nga ata.

*O zonjë që mbretëron mbi të lumturit Qipro dhe Memfis


NË VITIN DYZET

Në varr kur kallin krejt epokën
Për të nuk ka një psallim, s'këndohet,
Po rrodhja, hithra nxjerrin kokën,
Sa ta qëndisin s'u durohet.
Lopata s'resht, shoqen s'e pret,
Varrmihës - ethe, aq i vrikëm,
Zotni, ti dale, pak më qetë
Të ndihet koha si po ikën.
Pastaj mbi një kufom e sheh,
Ta sjell vështrimi pranveror,
Po djali nënën nuk e njeh,
Në lotë u shkri dhe nip i gjorë.
Më poshtë kokat u përkulën
Lavjerrës tunden, hëna ra.

Përmbi Parisin e përhumbur
Një qetësi të tillë ka.

TRADHTIA

Jo për atë se pasqyra u thye,
Jo për atë se fryn në oxhak,
Jo se shkon me një tjetër, aspak,
jo se për ty mendimi m'u kthye,
Jo nga këto e ç'ta zgjat më...
Sot te pragu takova atë.

***
Sot mua letër s'më solli njeri;
Ka ikur ai a s'më priti ndërmend:
Pranvera - një trill, buzëqeshje e argjendtë,
Shiko anijet vozitin në gji.
Sot mua letër s'më solli njeri...

Ai me mua, pak kohë më parë,
Qe kaq i dashur e dhelës, qe imi,
Në dimrin e bardhë, po shkoi dhe dimri,
Tani pranvera m'u bë si e vrarë,
Ai me mua pak kohë më parë...

Dëgjoj një lirë, e ëmbla, e trishta,
Në ethe rënkon, lëngon e ankohet,
Kam frik' se mos kjo zemër coptohet,
Sa pa i shkruar këto vargje të brishta...

MUZA

Dhe si të rrosh me të?! Më mundon
Ajo që ende muzë i thonë.
Dhe thoni "Me të në livadhin lirik..."
Dhe thonë "Gugitje, dhunti hyjnore..."
Ajo, më e egër se ethet mizore,
Sëmbon gjith' vitin: "Rri, mos hidh çik!"

***
S'rri të qaj për vete ditë e natë,
Po edhe vdekur, kallur nën dhe,
Damkën e artë: njeri i pa fat
Në ballin tim rebel ti ma sheh.

Përktheu Qazim Shemaj

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.