7 poezi nga Rene Shar

Tre motrat

E dashura ime me fustan feneri blu,
unë puth të nxehtin e fytyrës tënde,
ku shtrihet drita që kënaqet fshehurazi.

Unë dashuroj e dënes. Jam i gjallë
dhe zemra jote është ky Yll Mëngjesit
në vazhdimin ngadhënjimtar që kuqëlon përpara
se të prishë betejën e konstelacioneve.

Larg nga ty, ç’velë që e neverit erën
bëhet mishi im.

I

Në vazon e kohërave të papërfillshme
Fëmija që do lindte ishte prej shkumësi,
Parakalimi i degëzuar i stinëve
E strehonte në bar të panjohurën.

Njohuria e pjesëtueshme
Shtynte me rrebeshe pranverën.
Një aromë fushe
Hapte ulen që përvijohet.

Komunikimi që shpërdorojnë,
Lëvore apo ngricë lëshuar përdhe;
Vesh pamjen, shpurrit gjakun;
Syri krijon misterin e puthjes.

Shuarja e plepit

Uragani ua zhvesh stolitë pemëve.
Unë nanuris rrufenë me sy të butë.
Lëre erën e madhe ku dridhem
Të puqet me tokën që i zë besë.
Flladi i saj mpreh rojën time.
Sa e turbulluar është zgavra
e gënjeshtrës së burimit me shtresa të ndragura!

Një çelës do jetë banesa ime,
Shtirja e një zjarri që zemra e vërteton;
Dhe ajri që e mbajti në kthetrat e tij.

Vënask

Kopeja e ngricave ju bën pirg,
Njerëz më gjaknxehtë se kaçuba;
Erërat e zgjatura të dimrit do ju varin.
Çatia prej guri është trekëmbëshi i një kishe që ka ngrirë në këmbë.

Paraardhësi

Kam njohur në një shkëmb vdekjen fluturake e të matshme,
krevatin e shpalosur të lakenjve të saj të vegjël poshtë vetmisë së fikut.
Asnjë shenjë grirëseje: çdo mëngjes i tokës hapte krahët e tij
në skajin e shkallëve të natës.
Mjafton me kaq, i lehtësuar nga frika e njerëzve,
unë gërmoj në ajër varrin tim e kthimin tim.

Udhëtim

Mbi rrugën që futet tutje
Një kalë s’ngrihet më.
Currili inatos një çift;
Pastaj bari i një degë të ulët
Bën një çati, e atë ia zgjat atij.
Nën lulen bojë karafili të shqopave
Nuk rënkon pikëllimi.
Skifterët, zogjtë grabitqarë, kunadhet, qentë e mive,
Dhe tarandolat e përzishme
Mbeten në krahinat barbare.
Thekra cakton kufirin
Midis fierit e grackës.
Lëshoje një të shkuar të papërfillshme.
Çfarë duhet
Shkopi i pranverës në ballë,
Që reja të përgjumet
Pa i përpirë sytë tanë?
Çfarë i mungon
Lumturisë së të qenit e galopit të shuar,
Sëpata e futur midis të dyve?
Dërrmoje- varfanjakun! Ik që këtej, rob!
Djersitja e kasapëve
Ende hipnotizon Merindolin.

Shtatë parcelat e Luberon

Të braktisur në tokë dëshpërimi,
Të kafshuar nga bulkthit e fëmijët,
Të rrëzuar nga diejt që plaken,
Frutat e ëmbël të Bremondes.

Mbi një peme të bukur pa tufa,
Fishkeni nga bashkësia,
Çaheni nga ndarja,
Rini, re e dendur flakëruese.

Mbytja jote s’ka lënë
Veç një timoni për zëmrën tonë,
Një shkëmbi zgavër për frikën tonë,
O Byu, barkë e keqpërdorur!

Si borigat që rriten,
Përmbi çdo përbetim,
Ju jeni kopja e erës,
Ditët e mia, digë zjarri.

Ishte pranë. Në vendin e lumtur.
Duke ngritur rënkimin e saj në hare,
Unë fërkoja vijën e ijëve të saj
Pas veshëve të degëve të tua,
Rozmarinë, shqopë e mbledhur.

Duroj, gur pas guri,
Shembjen e banesës sime.
Vetëm dinte përmasën e saktë
Besniku, i një mbrëmjeje, i vdekjes.

Dimri pëlqehej në Provansë
Nën vështrimin gri të Voduasve;
Turra e druve shkriu borën,
Uji rrëshqiti i valë në përrua.

Me një yll hidhërimi,
Të thash gjakun është shumë e ngadalë.
Vigan prej vajtimeve të mia, ti qeveris:
Unë s’kam ëndërruar kurrë për ty.

Perktheu: Çlirim Kokonozi

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.