7 poezi nga Zhak Prever!

1.TË RINJTË QË DUHEN
Të rinjtë që duhen puthen në këmbë
Përballë portës së natës
Dhe kalimtarët që kalojnë i tregojnë me gisht
Por të rinjtë që dashurohen
S´ndodhen aty për askënd
Është vetëm hija e tyre
Që dridhet në errësirë
Duke shkaktuar tërbimin e kalimtarëve
Tërbimin e tyre përbuzjen e tyre nënqeshjet e tyre
Zilinë e tyre
Të rinjtë që dashurohen s´janë aty për askënd
Ata janë gjetiu shumë më larg se nata
Shumë më lart se dielli
Janë në shkëlqimin verbues të dashurisë së tyre të parë.
 
 
2. PËR TY E DASHURA IME
Shkova në tregun e zogjve
Dhe bleva zogj
Për ty
E dashura ime
Shkova në tregun e luleve
Dhe bleva lule
Për ty
E dashura ime
Shkova në tregun e hekurishteve
Dhe bleva pranga
Për ty
E dashura ime
Shkova në tregun e skllevërve
Të kërkova atje
Por nuk të gjeta në të
E dashura ime
 
 
3. KËNGË
Ç´ditë është
Gjithë ditët
Mikja ime
Gjithë jeta
E dashura ime
Ne duhemi jetojmë
Ne jetojmë ne duhemi
Dhe nuk dimë ç´është jeta
Ç´është dita
Dhe nuk dimë ç´është dashuria.
 
 
4. KËNGË
Çfarë dite jemi ne
Ne jemi të gjitha ditët
mikja ime
Ne jemi gjithë jeta
dashuria ime
Ne duhemi dhe jetojmë
Ne jetojmë dhe dashurohemi
Dhe ne nuk e dimë se ç’është jeta
Dhe ne nuk e dimë se ç’është dita
Dhe ne nuk e dimë ç’është dashuria
 
 
5. TË DASHURUARIT E TRADHTUAR
Unë kisha një llambë me vajguri
ti dritën
kush e shiti fitilin?
 
 
6. SEZONIN I BUKUR
Esëll e përhumbur e ngrirë
Krejt e vetëm pa një lek
Në Sheshin Koncord
Qëndronte në këmbë një ditë
Një vajzë gjashtëmbëdhjetë vjeçe
Më pesëmbëdhjetë gusht në mesditë.
 
7. DITA E PARË
Çarçaf i bardhë në dollap
Çarçaf i kuq në shtrat
Fëmija në një nënë
Nëna me dhimbjet
Babai para dhomës
Dhomë në shtëpi
Shtëpia në qytet
Qyteti në natën
Vdekja në një britmë
Dhe fëmija vjen në jetë.
 
Përktheu: Faslli Haliti
Burimi: www.voal.ch

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.