9 poezi nga Kadare

Edhe kur Kujtesa

Edhe kur kujtesa ime e lodhur
Ashtu si ato tramvajet e pasmesnatës
Vetëm në stacionet kryesore do të ndalojë,
Une ty s’do të harroj.

Do të kujtoj
Mbrëmjen e heshtur, të pafund të syve të tu,
Dënesën e mbytur, rrëzuar mbi supin tim
Si një dëborë e pashkundshme.

Ndarja erdhi
Po iki larg teje…
Asgjë e jashtëzakonshme,
Veç ndonjë nate
Gishtat e dikujt do të mpleksen në flokët e tu
Me të largëtit gishtat e mi, me kilometra të gjatë…

 

 

Koha e Pamjaftueshme

S’kam kohë të harroj shumë gjëra
Që nga mendja ti nxjerr përjetë.
Për tragjiket e vjetër e shkreptimat
Do t’më duhen së paku dy vjet.

Dhe ndoshta po aq për Danten,
Për frengjishten tok me plazhet po aq,
Ndoshta gratë do të jem duke fshirë
Kur muzgu do të afrohet ndërkaq.

Si udhëtari me peshë të tepërt
Para avionit që niset pas pak
I ngarkuar rëndshëm ende
Do t’afrohem tek varri humbak.

Nga supet si ta heq këtë barrë?
Ku ta hedh këtë peshë, si?
Me të s’mund të zbres atje poshtë
Por as lart dot s’e lë kurrsesi.

I menduar gjer në çast të fundit
Nga mosthënia, nga pengu tragjik,
Një shenjë ndoshta të pakuptueshme
Do t’ju bëj të gjithëve e do ik.

 

 

 

Kristal

Ka kohë që s’shihemi dhe ndiej
Si të harroj unë, dalngadal,
Si vdes tek unë kujtimi yt
Si vdesin flokët dhe gjithçka
Tani kërkoj unë posht’ e lart
Një vend ku ty të të lëshoj.
Një strofë, notë a një brilant
Ku të të lë, të puth, të shkoj.

Në s’të pranoftë asnjë varr
Asnjë mermer a morg-kristal.
Mos duhet vallë prap të të mbart
Gjysëm të vdekur, gjysmë të gjallë?

Në s’gjetsha hon ku të të hedh
Të gjej një fushë a një lulnajë
Ku butësisht porsi polen
Gjithkund, gjithkund të të shpërndaj.

Të të mashtroj ndoshta kështu
Dhe të të puth e t’ik pa kthim
Dhe nuk do të dimë as ne, askush
Harrim ish ky, a s’ish harrim.

 

 

 

Ky Dimër

Ç’i gjatë ish ky dimër, ç’i pafund.
E lodhur pudra mbi fytyrën tënde.
I mpirë është gëzimi, thua s’ngjallet dot.
Apo si ai q’u dergj nga një lëngatë e gjatë.
S’do mëkëmbet kurrë ashtu siç qe?

Ç’i gjatë ish ky dimër, ç’i ftohtë ish.
Në pusin e ndërgjegjjes mezi ndihen
Tinguj kambanash si rënkim të mbyturish.
Ato gjithashtu vdiqën, dot s’i ngjall,
Sa gjëra u vyshkën, më e keqe se vetë vdekja
Ish vyshkja e tyre e ngadaltë, o zot.

Ç’i gjatë ish ky dimër, ç’i pashpresë ish.
Kinezët që s’duken më në udhëkryqë rrugësh
Por vetë ata s’kanë vdekur: qelqe dritaresh
Të stilit q’ata sollën vezullojnë ngriraz
Duke dërguar ftohtësinë e tyre
Mbi mijëra fytyra si prej maske kalimtarësh

Sa kohë vallë do ti duhet
Genit të racës atë maskë të shpëlajë.
Apo në luftën e maskës me lëkurën
Maska do të fitojë më në fund?

Ç’i gjatë ish ky dimër, ç’i acartë ish,
Mbi varrin e tiranit monoton
Shiu po bie.
Ka gjumë a s’ka nën dhè?

Ç’i gjatë ish ky dimër, ç’i vrerosur ish.
E lodhur pudra mbi fytyrën tënde.
Nën pluhur tempujsh,
i lodhur shpirti im.

 

 

 

 

Në Parkun që e Mbuluan Fletët

Në parkun q’e mbuluan fletët
Të dy ne ecim qetësisht,
Pas shijes saj ka shtruar vjeshta
Qilim të verdhë natyrisht.

Dhe ndoshta si një ëndërr e zbehtë
Ju fanit një muzg i vonë
Ky park q’e kan’ mbuluar fletët
Ku pas kaq shekujsh ti po shkon.

Nga vagabondët me cigare
Ti mos u tremb e dashur kot
Imazhin tënd as dinosaurët
Shekuj më parë s’e shtypën dot.

Që ti të vije kaq e bukur
Me këta flokë, me këtë hap
Toka të egrën klimë e zbuti
Dhe akullnajat ktheu mbrapsht.

Dhe s’kish se si të ndodhte ndryshe
Të ndodhte ndryshe s’kish se si.
U desh të zhdukeshin përbindshat
Që te kjo botë të vije ti…

 

 

 

 

Një Vajzë

Duke të puthur, pa të dashur
Në shpirt ai ty të plagoi
Buzëpërgjakur nga të kuqtë e tu,
si vrasës tinëz shkoi

Krenar që ty “të shtiu në dorë”
Gjith’ shokëve emrin tënd ua tha.
Pranë gotës së birrës për ty folën
në park, të dielave ata.

Dhe ti e vetme mbete, bosh
mbenë sytë e ty në net bilbilash
Si sheshi i shkretë, ku posa ndodhi
Një katastrofë automobilash.

Tani kur shkon Rrugës së Dibrës
Ata me sy të ndjekin pas
Pataj me bërryl i bien shokut
“E sheh filanen? E ka pas…”

Dhe ti ul kokën shpejton hapin
T’arrish tek shoqja sa më shpejt
Të përsërisësh fjalët standart:
“Ah, njëlloj janë të tërë djemtë”

Të dyja t’ulura pranë radios
Do ndizni heshtur një cigare
tek supi i saj, nën fjalë lajmesh
një çast dremitja do të t’marrë

Dhe do të të çojë tek një rrugë tjetër
M’e gjerë, m’e bukur dhe më e re
Atje në sfond fabrikash, njerëzit
Nga kembët s’do të të venë re.

Atje ku t’ecësh midis turmash
Në një grup djemsh, ndoshta midis
Dikush me brryl do t’i bjerë shokut:
“E sheh filanen? Ishim miq…”

 

 

 

 

Tetor

Ti ike udhës së pafundme
Ku zverdhin drurët gjetherënës
Mbi gjokse pellgjesh tani tundet
I arti medalion i hënës.

Lejleket ikën, fill pas teje
Si stof i keq u zbeh blerimi
Dhe ngjajnë toka, pylli, reja,
Me negativin e një filmi.

Tani në fusha shkoj menduar
Ku nis të fryjë erë e ftohtë,
Ku ca mullarë të gjysmuar
Duken që larg si Don Kishotë.

Ç’të bëj, po them me vehten time,
Në këtë orë të vonë të muzgut,
Ku qerrja baltave bën shkrime.
Të lashta sa të Gjon Buzukut?

Do të shkoj të ulem përmbi pellgjet,
Të pi në gjunjë duke rënë,
Në grykë e di, do të më mbetet
I ftohti medalion i hënës.

 

 

 

Të Huaj Jemi

Të huaj jemi ne prej kohësh
Ç’ish për t’u thënë është thënë.
Si gurët që zënë vend në tokë
Një jetë vend ne kemi zënë.

Drejt njëri tjetrit kemi mbyllur
Të gjitha rrugët edhe shtigjet
Si dy qytete mesjetarë
Me mure, heshta dhe me pirgje.

Por natën kur i lodhur truri
Portat i Mbyll me qetësi,
Ti gjen një shteg dhe futesh mbrenda
Një shteg që vetëm ti e di.

Futesh dhe si n’rrugica parqesh
Shetit mes cirkonvolucionesh.
Hyn nëpër ëndrra e shkujdesur,
Fanitesh, qesh, ma bën me dorë.

Po kur mëngjesi zë ofrohet
Nis shqetësohesh befas ti.
Dhe heshturazi del përjashta
Nga shtegu që veç ti e di.

E dita vjen. Rrjedh prap jeta
Dhe ne të dy si dhe më parë
Të ftohtë rrimë e të pamposhtur
Si dy qytete mesjetarë.

 

 

 

 

Ti ishe për Mua

Ti ishe për mua e pamposhtur si Troja
Troja që unë dot s’e pushtoja.
Ti ishe për mua e pakuptueshme,
Më e pakuptueshme se mbishkrimet etruske

Vetëm në ëndrra, ah, në ëndrra
T’i përqafoja flokët e dendura.
Gaz më shumë ndjeja tek të pushtoja
Se gjithë grekët kur ra Troja.

Vetëm në ëndrra m’ishe e kuptueshme,
Ti, e shtrenjta ime etruske.

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.