Agim Baçi – Letër Odisesë, të zgjuarit të Homerit

I dashur Odise,
Të të shkruaj është më e fortë sesa të pres ende, ndaj lejomëni t’jua nis këtë letër që prej vitesh e kam brenda meje, e kërkon përgjigje (në është e thënë të kem fatin ta kem një përgjigje nga ju)
Gjithë e shkuara juaj ka mbërritur tek ne mes aftësisë për të ndërtuar kalin e drunjtë për Trojanët- një dhuratë vdekjeje që vijon të ngrejë hije dyshimi mbi dhuruesit nëpër botë – dhe dëshirës për t’u kthyer në prehrin e Penelopës që duket e shqyer nga vështrimet e rivalëve që kërkojnë të ta rrëmbejnë.
Qysh fëmijë kam përjetuar udhëtimin e gjatë dhe betejat krah Akilit, zgjuarsinë për t’iu shmangur inatit të Ciklopit, teksa fshihesh nën qengja, apo vullnetin për të mos rënë pre e tundimit të Sirenave. Por më duket se ky udhëtim i mahnitshëm në kthimin drejt dashurisë suaj për Penelopën gjithnjë është errësuar nga historia e Helenës. Përse vallë kështu? Si ka mundësi që nga ajo histori mahnitëse, që i mori dhe dritën e syve Homerit, të mbahet mend veç Kali i Drunjtë dhe Helena, ndërkohë që beteja juaj për të rifituar familjen ka mbetur diçka mahnitëse në sytë e mi.
Mos ndoshta unë i përkas një kohe tjetër dhe nuk arrij ta kuptoj gjithë këtë vëmendje ndaj Helenës që shkakton beteja?
Ju lutem Odise që të gjeni pak kohën e të më ktheni dy gisht kartë. E di, Penelopa ka nevojë pë më shumë kohë me ty pas pritjes tënde. Telemaku, yt bir, që është rritur pa ty, por me hijen tënde, kërkon më shumë minuta nga të tuat. Por të lutem, a mundesh të ma shuash këtë kureshtje që Homeri na e la dhuratë në vargje, pa e vënë pikën e fundit?
Në pritje të përgjigjes;
Agim

I dashur Agim,
Ndoshta poemat, poezia dhe arti i vërtetë nuk duhet të kenë pikë në fund. Nëse e kanë, atëherë, kam frikë se, janë veçse të përkohshëm. Pika është diçka personale, që ne kërkojmë t’ua vëmë veprimeve apo historive tona, duke i strukur veçse në vitet që jetojmë vetë. Por arti i vërtetë duhet ta ketë pikën në infinit.
Sa për Helenën, ke të drejtë. Ajo ka emrin që vijon të vigjilojë mbi të shkuarën tonë. Por mos harro, se edhe Akil Zemërluanit, më shumë i kujtohet dobësia-themër sesa trimëritë në beteja. Kështu do të ndodhë ngaherë edhe me Helenën. Dhe a e di pse miku im? Sepse njerëzit janë të dhënë më shumë pas së keqes, pas asaj që sjell shkatërrim. Si ne çdo ditë, që nxitojmë të rrëfejmë për një të keqe, ndërkohë që të mirat tona mbeten të vështira për të gjetur njeriun e duhur që të na e mbajë. Sepse e keqja duket sikur i bën bashkë më shumë njerëzit, sikur u jep të drejtën të flasin, sikur u jep lirshmërinë. E më pas, kur gëzohen, kur kanë arritur një sukses, nuk i besojnë askujt, madje shpesh nuk arrijnë të shprehen. Sepse zemrat e tyre të vogla janë përgatitur vetëm për keq, sepse kanë menduar më së shumti keq, sepse në vetminë e tyre nuk arrijnë për askënd të mendojnë me dashuri. E nëse në vetminë e vet njeriu nuk arrin të mendojë mirë për dikë, atëherë ai do të jetë gjithnjë i verbër ndaj të mirave, ndaj së mirës që mund të gjendet në veprimin e tjetrit, në fjalën e tjetrit, në jetën e tjetrit.
Të falënderoj për vëmendjen tënde që vuajtjet e mia nuk janë rrëfyer kurrë. Çdo frymëmarrje e imja ka qenë Penelopë. Unë kam qenë në vegjën e saj. Hija e fortë e një burri e mëson gjithnjë një grua të bëjë ballë, ndaj ajo gjeti rrugën për ta zhbërë pëlhurën që thurte. Ndaj më pëlqen qetësia që përjetova me Penelopën në fund të jetës sime. E kuptova më shumë se gjithçka, sepse e kisha menduar atë më shumë se gjithçka.
Sa për tim bir, ndjehem edhe më krenar, pasi atë e rriti emri im, duke më treguar se nuk kisha vepruar kurrë gabim. Ne duhet t’u lëmë fëmijëve pasurinë e emrit tonë, që ta thonë me plot gojën. E nëse duam të shohim se ç’kemi bërë, mjafton të kthejmë kokën pas, e të shohim nëse e thonë me krenari apo me gjysmë zëri emrin tonë.
Lamtumirë miku im! Le të falënderojmë Homerin që na dha vulën e udhëtarit të përhershëm, me pikën që qëndron në kokën tonë, por jo në kokën dhe kohën tuaj!
Odiseu!

 

Shkëputur nga libri “Letër Dylqinjës…”

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.