Agron Tufa – 27 GJETHE

Agron Tufa - 27 GJETHE - ARRATISJE.AL

Shtrirë. Tej qelqit të dritares tundet kurora e një  kumbulle. Thuajse e zhveshur. Ia numëroj gjethet e mbetura në degë: janë 27. “Kur të bjerë gjethja e fundit, duhet t’i kem dhënë fund”, – mendoj. Aq ngushëllues më duket ky mendim, sa ngashërehem. Ia vjedh litarin e druve një gruaje të internuar.  Të nesërmen jepet alarmi. Policët e gjejnë litarin brenda dyshekut tim. Më marrin zvarrë nga arat.

Më rreh vetë kapiteni, me po atë litar, para portës së  shtëpisë. Nuk janë dhe aq fshikullimat e litarit që më lëndojnë, se sa vikamat dhe lutjet e gjyshes sime të paralizuar atje brenda. Askujt nuk ia mban të afrohet. Befas kapiteni ndalon. Ulet kacipup. Më sodit një copë herë, ashtu, të kruspullosur përdhe.

– A e di çfarë? Nuk po të rrah më, – thotë. – Ti më duhesh e gjallë… Dhe e di pse?

Nuk dua ta di “psenë”, po ai e thotë vetë: – Dua të të shoh të rritesh, të rritesh para syve të mi… dhe tre-katër vjet… Atëherë do të të jap një mësim të madh… që kurrë në jetë s’ke për ta harruar. Do ta nxësh mirë! – thotë.

E kuptoj aludimin e kapitenit.

Shtrirë në shtrat, me sytë nga dritarja, i kthehem mendimit ngushëllues. Edhe 12 gjethe të verdha! Sa  shpejt që ranë! Duhet gjetur një mënyrë…

Zgjohem dhe shoh se drejt shtëpisë sonë të internimit po vijnë  dy burra me një qese në dorë. Thonë se gjënë që kanë në qese, do ta hedhin nëpër vrimat nga hyjnë e dalin minjtë. Arsenik. Shtëpia jonë është e fundit. Tepricën e arsenikut ma lënë mua ta përdor kundër minjve, më vonë.

Kalojnë dy ditë. Në kumbull – 6 gjethe. Mëngjesi tjetër zbardh pashmangshëm. Në degë dridhet gjethja e fundit. E kuqërremtë. “Sot!”, – mendoj me zë. Endem nëpër oborr. Kërkoj një mënyrë pak më të lehtë se arseniku. Në hatullat e shtëpisë dalloj fijet e rrymës elektrike. E fiksoj këtë mundësi, ani pse e vendos: “pas pune”. – “Pse pas pune?”, – filloj t’i bëj gjyq vetes.

Në oborr janë mbledhë gratë. Presin të vijë kapteri. Dhe unë me to. Por, në vend të kapterit, mbërrin një kamion:

– Shpejt, plaçkat gati! Të gjithë në kamion! – ulërin kapteri. – Koha – 10 minuta!

Bërtet dhe nxjerr sahatin e xhepit.

– Për ku, zotni kapter? – e pyet njëra nga gratë.

– Në Kuçovë, në Kuçovë…! Po luani këmbët, moj dosa kulake… Se di të luaj unë dajakun pastaj…!

Vihemi në lëvizje. Më ndihmojnë dhe mua me gjyshen e paralizuar. Për 10 minuta jemi të gjithë në karroceri.

Kamioni niset… bash kur sytë e mi janë fiksuar në pemë. Shoh si këputet gjethja e fundit. Si bën një lakore pluskuese nëpër ajrin e dhjetorit. Derisa e humb sysh. Pa e parë të prekë tokën…

 

Per me shume, lexo: KETU

Librin mund ta gjeni: LINK

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.