Agron Tufa – “Hamleti (I riu)”

Ndërgjegjia e ashpër e tokës topitet.

Shpërprush ndër ethe mijëra sy yjësia.

Një zë vjen së largu e zgripeve mbytet:

Këndon Ofelia? Vajton Ofelia?

 

Sharroj pagjumësie. Mesnatës mbaj vesh:

Fërfëllon barërash, fshan në gjethnajë,

– Ky zë që s’të lë sfilie të flesh

Është këngë apo vaj?

 

Kur ndaj agsholi dal nga kështjella

Dhe kalit i grah me galop,

Shkrehur shoh shelgjet vajesh të thella,

Yllësia shpërtheu në lotë.

 

I pabesë, tinëzar shket lumi përposh

Me shtëllunga avujsh përmbi:

“Ti Ofelinë më s’do ta dëgjosh,

S’do kesh më në Botë Ofeli!”

 

Kalin e ngava teposhtë flauri,

Mes shelgjesh të qullur në vesë…

S’më duhej më Bota pa Ofeli

Ndaj lypa një vend që të vdes.

 

Vendi s’u gjet atë ditë. As më pas.

Të vdisja më s’kish interes.

Tanimë jam plak. Kujtohem të flas:

Hamlet më thonë, – princi danez.

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.