Agron Tufa – KU PO SHKON, BABË…

-Po a kjo paska kenë vullnesa e Hyjit, moj Djellë?! – iu drejtova gruas teme fatkeqe, fill mbasi shtiva në dhé Marën, të mbramin rob të familjes time jetëpréme.
E vorrova në të djathtë të nanës së tyne. Pa i mbushë 5 pranverat. Tash ajo i ka dy djemtë në të majtë, dy çikat në të djathtë.
Po falesha me robtë e mi ndën dhé, kur erdhën dashamirët. “Hajde, tash, Nikë! Ka ardhë lirimi! Edhe na,
sekushi, ka lanë robtë e vet…”.
Më hoqën me përdhunë.
U përzieva me turmën e lirueme. Në kâmbë.
“Mbas 7 ditësh”, – thanë, – “me ecë fort, mbërrijmë
ke shpiat tona”.
Po kur sosëm buzë Vjosës, kambët nuk m’u
bindën…
Ndieja zâne mbas shpine. Zâne lutës, qortues, ankestarë. Ato pyesnin në kor, të habitun:
– Ku po shkon, babë…?!
Mandej Djella:
– Ku po na len, Nikë?! Të kujt jena na!?
Rashë në gjunjë. Kruspull. Me sy të ngulun në vrapin e ujnave.
Kjava për herë t’parë… Me zâ. Pa e mshehë ftyrën, derisa perdja e lotëve ma verboi pamjen. Erdhën dashamirët. Me më pajtue me vedin. Më shtypnin shpatullat. Më fërkonin tamthat.
– Ngrehu, tash, Nikë… Bâhu burrë!
– Po ku me shkue, mor Zot…? Ecni ju… Unë po kthehem mbrapsht… në Komandë…
– E shka me lypë atje, Nikë!?
– Familjen! Të ma gjêjnë… Gjallë, siç e kisha… Gjallë, siç ma morën!
Shkëputur nga vëllimi me tregime “Kur këndonin gjelat e tretë”
Per me shume, lexo: KETU
Librin mund ta gjeni: LINK