Alberto Moravia – Mbretëresha kërkon t’i largohet mbretit

Pasi hëngrën një drekë të lehtë, të qetë e pa thënë asnjë fjalë, u nisën drejt limanit.

Kudo mbizotëronte një heshtje e thellë. Moli dukej më i bardhë nga drita e diellit. Ashtu të ngjeshur pas njëri-tjetrit, skafet e vogla dukeshin të lodhura dhe, pa njeri në bord, të jepnin përshtypjen se ishin lënë të harruar e të braktisur. Po kështu në dy fushat e vogla në cep të limanit, vilat e strukura pas pemëve ngjanin si të pabanuara. Livio tha:

– “Këtu s’ka njeri, është ora e gjumit të drekës, a shkojmë në hotel?”

Fortunata, gruaja e tij, e shikoi disi shpërfillëse.

– “E çfarë të bëjmë në hotel”, tha.

– “Çfarë të duash. Për shembull, bëjmë dashuri.”

– “E keqja është se tani nuk ma ka qejfi.”

Lëvizje e gabuar, mendoi Livio, mbretin nuk e lejojnë të sulmojë. Si zakonisht, ai nuk mundi t’i largohej për asnjë çast logjikës së tij të hekurt, pa ato kompromiset anësore, në kundërshtim me Fortunata-n dhe me mënyrën gjithmonë të paparashikuar të sjelljeve të saj. Me fjalë të tjera, ishte njëlloj sikur ata të dy të luanin një ndeshje shahu, që s’mbaronte kurrë. Duke i parë nga kjo pikë vështrimi të gjitha lëvizjet e saj, pabesitë e saj, skenat delikate e romantike me njerëz që kalonin qoftë edhe një natë të vetme me të, dhimbja nuk i dukej dhe aq e rëndë, madje shpesh i zbutej duke kuptuar se, në fund të fundit, ai mbetej më i forti, sepse gjithmonë arrinte t’i zhdukte gjithë të tjerët, pikërisht se mendimet dhe idetë e tij bazoheshin në një logjikë të shkëlqyer.

Fortunata tha:

– “Po shkoj t’i hedh një sy skafit, është kaq i mrekullueshëm.”

Tani mbretëresha kërkon t’i largohet mbretit, mendoi Livio: pa ta shohim përse?

Gruaja filloi të ecte ngadalë, por me trupin drejt dhe me një hap të lehtë e të madh. Atij iu kujtuan pushimet në Hawi dhe e shoqja me atë fustanin e ngushtë, që i shtrëngonte fort gjinjtë e mëdhenj e shpatullat e gjera. Përherë e kishte pasur zakon, edhe atëherë kur dilnin shëtitje së bashku, të tregonte hapur se sa e pavarur ishte, duke mbajtur njëfarë distance me të, ose duke ecur përpara, ose duke e ndjekur mbrapa. Livio priti që ajo të afrohej. Po shihte me vëmendje një skaf krejt të veçantë nga të tjerët. Ishte i gjatë, i zi, luksoz dhe me kabina druri.

– “Shiko sa i bukur është!”

– “Po”, u përgjigj Fortunata, “është i …”

Shqiptoi emrin e një personi shumë të njohur publik. Livio tregoi në mënyrë të dukshme habi, si ishte e mundur që ajo e njihte! Pas pak, me idenë se kishte bërë një lëvizje të gabuar në ndeshjen e tij imagjinare të shahut, tha:

– “Aha, ai… Përpara tij presidenti i shoqatës sime është një varfanjak.”

Gruaja u përgjigj shpejt e në mënyrë dashakeqe:

– “Po ti atëherë, çfarë je?”

Livio tha me vete: “Lëvizje e gabuar.” Dhe u përgjigj thuajse shpërfillës:

– “Unë jam një varfanjak i mjerë i mbyllur në kafaz!”

Pasi tha këto fjalë, i mërzitur filloi të ecte përpara, duke dashur edhe ai të mbante njëfarë distance nga e shoqja. Ndërkaq, me bisht të syrit pa Fortunata-n të bisedonte me një burrë flokëthinjur, por të krehur bukur që, siç dukej, sapo kishte dalë nga kabina e një skafi dhe po kalonte në urën lidhëse me molin. Ajo i buzëqeshi dhe burri iu përgjigj po ashtu. Atëherë Livio, me sinqeritetin e një shahisti profesionist, mendoi: Sulm i bukur i mbretëreshës. Po mbreti çfarë duhet të bëjë tani?

Vazhdoi të ecte me shpresën se biseda e Fortunata-s me burrin e panjohur do të mbaronte shpejt. Por jo, ata vazhdonin të bisedonin të kënaqur, madje për një çast ajo bëri një hap prapa, duke dashur të vështronte me kujdes trupin e ngjeshur e muskulor të burrit.

“Mbretëresha e bëri lëvizjen e pritur”, tha Livio me vete.

Do të donte të qeshte, por nuk mundi. Ndjeu diçka që e pushtoi të tërin. Duhej të ishte ndjenja e xhelozisë.

– “Tashmë, pasi kishte mbaruar bisedën, Fortunata po i afrohej dalëngadalë.

– “Tip simpatik”, tha. “Por edhe i bukur. Sa vjeç të duket?”

– “Pak a shumë, në moshën time.”

– “Thotë që ka ardhur nga Portofino dhe se këtu është krejt i vetëm.”

– “E pastaj?”

– “E pastaj, pastaj asgjë! Më pyeti se ku banonim në Iscia.”

– “Po ti ç’i the?”

– “Mund të të duket e çuditshme, por a e di, pata turp t’i thoja se banonim në një pension. I thashë se rrinim në Grand-Hotel.”

Përse i tha kështu, pyeti veten Livio, mos bëhet fjalë për një lëvizje të paramenduar? Ose ajo nuk do ta shohë më këtë burrë, ose ka idenë e një lidhjeje të ardhshme me të.

– “Duhet t’i kishe thënë të vërtetën”, – foli me ton të rëndë, “nuk është turp të mos jesh milioner!”

Ajo e kapi me ëmbëlsi nga krahu duke i thënë: “O varfanjaku im i dashur!”

– “Ohu, mjaft tani!”

– “O varfanjaku im i dashur i mbyllur në kafaz!”

– “Vërtet jam i varfër, por ama jam një shahist i shkëlqyer.”

– “Më jep një të puthur.”

Dhe u puthën tërë delikatesë.

***

Livio deshi që këtë puthje ta kishte parë edhe burri i skafit, por jo. Ai ishte zhdukur brenda kabinës. Tashmë shëtitja e tyre kishte mbaruar, kështu që për kthim zgjodhën një rrugë të ngushtë midis tendave të bukura të dyqaneve pothuajse të mbyllura.

Duke marrë zemër nga e ecura lozonjare e së shoqes, Livio i kapi krahun dhe tha:

– “Do të bëjmë dashuri në pension.”

– “Të shohim.”

Si zakonisht, filloi të interpretonte ndeshjen e tij të shahut: “Të shohim: me sa duket, po përgatit lëvizjen e ardhshme.”

Në të vërtetë, duke e tërhequr fort për krahu, gruaja i tha:

– “Kam një ide. A nuk shkojmë të pimë një kafe në hollin e Grand-Hotelit?”

E meqë hoteli ishte fare afër, ajo shpejtoi hapin pa pritur përgjigjen e tij dhe, duke e hapur derën lehtazi, hyri brenda.

Burri i panjohur duhet t’i ketë lënë takim, mendoi Livio, dhe kjo duhej të ishte lëvizja që ajo kishte menduar, ndërsa po putheshin. Kurse nga ana e tij, lëvizja më e drejtë do të ishte: duhet t’ia bënte të ditur që ai i kishte kuptuar të gjitha dhe më pas ta detyronte të shkonin në pension. Kurajo, tani i duhej vetëm kurajo!

Duke hyrë në holl, panë se edhe aty mbizotëronte një qetësi e plotë. Klientët e paktë i vështruan shkarazi pa u dhënë shumë rëndësi. Bari ishte i vogël e thuajse i errët. Vetëm banakieri, një trashaluq i shkurtër me ca mustaqe të përdredhura si pirat, ua nguli mirë sytë për disa çaste, pastaj filloi të përgatiste kafetë. Ndërkaq, në ndeshjen e tij të shahut, Livio po përpiqej të parashikonte lëvizjen më të afërt të gruas. Gjithçka ishte e qartë, tani ajo do të vinte në përdorim oficerin, domethënë burrin e skafit dhe me ndihmën e tij do të niste operacionin e nxjerrjes jashtë loje të mbretit. Zemra po i rrihte fort. Aq më tepër që ndihej krejtësisht i papërgatitur për këtë goditje. Burri flokëthinjur hyri në bar dhe u ul në tavolinën afër tyre. “Edhe mua një kafe”, i tha banakierit.

Fjala “edhe mua” ishte e mjaftueshme për Livion që të kuptonte se lëvizja e parashikuar kishte filluar. Dhe me të vërtetë, burri flokëthinjur u kthye menjëherë nga ata e pyeti Fortunata-n:

– “Si të quajnë?”

Çfarë do të thotë kjo mënyrë të foluri ndaj sime shoqeje, shestoi Livio me vete. Ndërkaq gruaja ia plasi së qeshurës, duke treguar dhëmbët e bardhë e të bukur. Por ai e njihte shumë mirë se ç’do të thoshte kjo e qeshur, do të thoshte se ajo ishte e nxehur, diçka duhej ta kishte turbulluar, në mos më keq, ta kishte fyer.

– “Më quajnë Fortunata. E di ç’do të thotë?”

– “Jo, çfarë do të thotë?”

Gruaja u përgjigj përsëri duke qeshur, por në mënyrë ironike:

– “Njeri me fat.”

E dinte se, sa herë donte të lidhej me dikë, Fortunata i jepte rëndësi shpjegimit të emrit të saj. Ndërsa ai gjithnjë i jepte rëndësi shpjegimit nga ana shahistike: “Qëllimi i mbretëreshës është ta heqë qafe mbretin dhe, sa më shpejt të jetë e mundur, të rrijë vetëm me oficerin. Pa ta shohim se si do t’ia arrijë kësaj here!”

– “Një emër me histori të tërë më vete?”, pyeti burri.

– “Nuk është e vërtetë.”

Fortunata vazhdoi të qeshte, jo për ato që dëgjoi, por më tepër për ato që po mendonte vetë. Nga ana e tij Livio po mendonte se përse në buzëqeshjen e saj ekzistonte diçka fiziologjike. Ajo qeshte siç qeshin disa kafshë në periudhën e shumimit, duke nxjerrë një ulërimë të zgjatur karakteristike, enkas për të ndjellë partnerin e tyre. Ishin mendime që të çonin në një udhëkryq të trishtë, të dhimbshëm, por ai e dinte shumë mirë se s’mund të bënte dot asgjë. Prandaj, besnik si gjithmonë ndaj ndeshjes së tij të shahut, foli me vete: “Tani mbreti do të bëjë një lëvizje të veçantë, të pashpresë, por ai gjithsesi do ta bëjë.” E duke u kthyer nga e shoqja, tha:

– “Fati i tij, fati im, fati yt!”

E kuptoi menjëherë se Fortunata sikur mezi po i priste këto fjalë dhe ja ku po bëhej gati “ta hante”, ose ta zinte mat, siç thonë shahistët. E shikoi drejt e në sy dhe shfryu me inat:

– “Ti nuk ke fat, as nuk ke pasur dhe as nuk do të kesh kurrë!”

***

Me hapat e saj të mëdhenj arriti te porta e hollit, e hapi e doli jashtë. Edhe burri me flokët e thinjur u ngrit më këmbë, përshëndeti Livio-n dhe u zhduk me shpejtësi. Një lëvizje e shkëlqyer! Me një goditje të vetme arriti të ikte me dashnorin e saj, ndërkaq edhe t’i thotë atij se ishte njeri pa fat.

Në atë çast iu afrua banakieri, i cili e pyeti nëse do ta paguante ai edhe kafen e burrit flokëthinjur. Iu përgjigj se po dhe pagoi. Pastaj priti disa çaste, sa për t’i dhënë kohë gruas dhe partnerit të saj për t’u larguar. Së fundi doli nga holli.

“E pra, ndeshja filloi nga e para”, tha me vete.

Përktheu Dritan Thomollari

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.