Anton Çehov – I trashi dhe i holli

Në stacionin hekurudhor të Nikollajevskit u takuan dy miq: njëri ishte i trashë, tjetri i hollë. I trashi sapo kishte ngrënë drekë në stacion dhe buzët e lyera me yndyrë i shkëlqenin si qershi të pjekura. Goja i mbante erë heres* dhe flër d’oranzh**. Kurse i holli sapo kishte dalë nga vagoni, i ngarkuar me valixhe, me bohçe dhe me pako. I mante goja era pastërma dhe kafe e rëndë. Pas tij dukej një grua thatanike me qafë të gjatë – e shoqja, dhe një gjimnazist i gjatë, me një sy të sëmurë – i biri.

-Porfirij! – thirri i trashi, kur e pa të hollin. – A je ti, apo më bëjnë sytë. Pëllumbi im! Sa kohë kemi që s’jemi parë!

-Butjushki! – foli i habitur i holli. – Misha! Shoku i vogëlisë! Nga dole?

Miqtë u puthën tri herë me radhë dhe me sy të përlotur shikonin njëri-tjetrin të përmalluar. Të dy ishin të kënaqur nga ky takim.

-I dashuri im, – filloi i holli pas të puthurave, – ç’surprizë! As që e prisja! Hë, pa shih njëherë! As që ke ndryshuar fare, ashtu bukurosh siç ke qenë. Elegant si gjithmonë! O zot i madh! Po si i ke punët? Ke vënë ndonjë çikë pasuri? Unë jam martuar, siç e sheh… Ja, kjo është gruaja ime, Luiza, nga familja vancenbah…Luteriane… Dhe ky është im bir, Nafanaili, nxënës i klasës IV. Që thua ti, Nafanja, këtë e kam shok fëmijërie: kemi qenë bashkë shokë në gjimnaz.

Nafanaili u mendua një copë herë, pastaj hoqi kapelën.

-Kemi qenë bashkë në gjimnaz, – vazhdoii holli. – A të kujtohet si të ngacmonin shokët? Të ngacmonin duke të thënë Herostrat, meqë kishe djegur librin me cigare. Kurse mua ma kishin ngjitur Efialt, meqë ma kishte qejfi të shpifja. Ha, ha, ha… Ishim çiliminj atëherë. Mos u tremb, Nafanja! Qasu më afër… Kurse kjo është gruaja, nga familja Vancebah… Luteriane…

Nafanaili u mendua prapë, pastaj u fsheh pas kurrizit të t’et.

-Po si ia shpie, o mik? – pyeti i trashi, duke e parë shokun në mënyrë triumfuese. – A punon gjëkundi? Ç’pozitë ke fituar?

-Punoj, i dashur, punoj! Kam dy vjet që jam sesor kolegjial. Kam edhe “Urdhrin e Stanisllavit”. Rroga e vogël është… po gjene mirë! Gruaja jep mësime muzike, unë bëj kuti cigaresh prej druri. Kuti cigaresh të shkëlqyera. I shes një rubël copën. Po të dojë kush ndonja dhjetë copë a më tepër, atëherë, kuptohet, i bëj zbritje. Njëfarë zbritjeje. Po nejse. E ti, ç’na thua, si i ke punët? Ndonjë shef në ministri?

-Jo, i dashur, ngjitu edhe më, – i tha i trashi. – Jam Këshilltar sekret. Kam edhe dy yje.

I holli përnjëherësh u zbeh, ngriu në vend, sakaq fytyra iu ngërdhesh nga një buzëqeshje e madhe. Dukej sikur nga sytë dhe fytyra i dilnin shkëndija. U tkurr, u përmblodh e u zvogëlua si kurrizdalë. Qafa e gjatë e së shoqes u zgjat edhe më. Nafanaili mori qëndrim gatitu dhe kopsiti të gjitha kopsat e kapotës.

-Unë, shkëlqesë, jam shumë i kënaqur! Shok, nëse më lejoni, fëmijërie… dhe hajde pozitë, hajde! H-hi-hi.

-Po mjaft-o tani, lëri këto! – i tha i trashi me keqardhje. – Ç’është ky qëndrim? Jemi apo s’jemi shokë fëmijërie, përse këto reverenca!

-Ju lutem, ç’thoni kështu? – tha duke qeshur si me zor i holli dhe duke u tkurrur akoma më tepër. – Kujdesi atëror i Shkëlqesisë Suaj… është si një avull jetëdhënës. Ja, Shkëlqesia Juaj, ku është biri im, Nafanaili… kurse kjo, ime shoqe Luiza, luteriane, si të thuash…

I trashi desh të thoshte diçka, por në fytyrën e të hollit shprehej një respekt kaq i thellë, njëfarë ëmbëlsie dhe përvuajtje, saqë këshilltarit sekret i erdhi për të vjellë. U kthye nga i holli, i dha dorënn dhe i tha lamtumirë.

I holli zgjati tre gishtat, përshendeti duke përkulur gjithë trupin dhe qeshi me zor, si kinez: Hi-hi-hi. E shoqja buzëqeshi edhe ajo. Nafanaili përpoqi takat e këpucëve në qëndrim gatitu me shpejtësi aq të madhe, saqë i ra kapela nga dora. Të tre ishin shumë të tronditur.

 

*Heres: verë spanjolle e cilësisë së mirë

**Flër d’oranzh: markë parfumi francez (lule portokalli)

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.