Anton Cehov – Pilivricka

Ollga Ivanova e thërriste gjithnjë të shoqin si gjithë të njohurit e saj, jo sipas emrit, por sipas mbiemrit; emri i tij Osip nuk i pëlqente sepse i kujtonte Osipin e Gogolit dhe lojën e fjalëve “Osip-Arhip” dhe “Arhip-Osip”, kurse tanimë e thirri:

-Osip, s’është e mundur!

-Dërgo ndokënd! Nuk jam mire, -tha prapa derës Dimovi dhe ajo dëgjoi sesi ai vajti u shtri në divan. -Dërgo njeri, u dëgjua i shurdhër zëri i tij.

“C’të jetë kjo? -mendoi Ollga Ivanova dhe i ranë djersë të ftohta nga tmerri. -Kjo është e rrezikshme!”

Pa qenë nevoja, ajo mori qiriun dhe shkoi në dhomën e fjetjes; këtu, duke parafyturuar se c’duhej të bënte, pa dashur i vanë sytë te pasqyra e madhe dhe pa vetveten. Me fytyrë të hequr, të trembur, me një xhaketë me mëngë të gjata, me qëndisma të verdha përpara dhe me një rrip jo të zakonshëm, shtrënguar pas fundit, Ollga Ivanovës iu duk vetja e tmerrshme dhe e ndyrë. Papritur filloi t’i vijë shumë keq për Dimovin, për dashurinë e tij të pakufishme ndaj saj, për jetën e tij të re, madje edhe për shtratin që do të linte jetim, në të cilin ai kishte pak kohë që nuk flinte. Duke sjellë ndër mend të gjitha këto, ajo s’harronte dot buzëqeshjen e tij të zakonshme, aq të ëmbël e të përulur. Ajo qau me lot të hidhur dhe i shkroi pastaj një letër plot lutje Korosteljevit. Atë kohë ishte ora dy pas mesit të natës.

 

* Pilivricka- (pilivese) Me kuptimin figurativ, populli e perdor per ato gra qe s’jane te qendrueshme.

 

Përktheu: Nasho Jorgaqi

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.