Arti Lushi – Metamorfoza e Akilit

Burri nga Elea propozon një garë midis Akil këmbëlehtit dhe breshkës duke i dhënë kësaj të fundit një përparësi prej dhjetë metrash në start. Zenoni argumenton gjithashtu se Akili nuk do t’ia kalojë kurrë breshkës për shkak se, atletit, që të mberrijë breshken, do t’i duhet më parë të pershkojë gjysmën e rruges, gjysmën e gjysmës, gjysmën e gjysmës së gjysmës, e keshtu me radhë.

 

Logjikisht, ky regressus in infinitum, e ndrydh personalitetin sportiv të Akilit deri në moslëvizje. Dhe gara fillon. Breshka ecën, Akili jo, ai qëndron në vend. Eshtë ulur këmbëkryq dhe vëzhgon lëvizjen e breshkës. Erret. Breshka vazhdon garën, Akili e ndjek me sy. Del dielli. Breshka ndalon, për një çast kthen kokën dhe moslëvizja e tjetrit i duket mendjemadhësi e pahonepsshme, dhe vazhdon ecjen. Erret sërish, del hëna, del dielli, dhe nuk ka asgjë të re për sa i përket dy garuesve. Nuk dihet sa ditë, muaj a vite zgjat ky muhabet. Por nuk mund të zgjasë përjetesisht prejse Natyra bën të vetën. Breshka ngordh. Atëherë Akili ngrihet qetë-qetë dhe merr udhën për në shtepi. Ai tashmë e ka fituar bastin me Zenonin dhe me perënditë. Paradoksi bie. Dialektika, nga e jashtme bëhet (është bërë tashmë) thelbësisht e brendshme. Gara ka perftuar një përmasë të re, ashtu sikurse gjithçka tjeter. Akili është shpërblyer me diçka pafundesisht më të madhe e më të shenjtë se lavdia që do mund t’i falte rrjedha e shekujve: ai është përndritur. Rruges së kthimit ai var hijen e vet në degën e një peme dhe kridhet në lumë. Duart dhe gishtat i përgjaken duke keputur manaferra. Gjumi e zë ndërmjet dy pemëve, nën qiell dhe në ëndërr sheh gjithçka që do ndodhe pasi të zgjohet: Troja nuk shkretohet; Hektori i thinjur kremton dasmën e të nipit ; Iliada dhe Odisea nuk shkruhen dhe asnjë nga lexuesit e tyre nuk vijnë në jetë; Krishti kryqëzohet gjthsesi por jo nga romakët; aborigjenët e përtej-Atlantikut zbulojne Europën; ”Revolucioni Francez” nuk ndodh në Francë dhe jo aq vonë; Rusia pushton botën vetëm për 72 vjet (edhe pse gjatë kësaj kohe të gjitha kombet ishin në begati dhe në paqe pothuajse parajsore); njëfare Darsilventien Gerome fiton çmimin Agnus (barasvleres i çmimit Nobel) me 1984-ën; po atë vit një katastrofë natyrore shfaros mbi 40% të popullsisë botërore; një pedagog antropologjie dënohet pafajesisht me vdekje; dikush me fytyrën tënde gatuan një omletë, dy te rinj puthen për herë të parë një ditë të premteje me diell, dhe dielli vazhdon të linde nga Lindja, dhe… Akili zgjohet, dhe gjëja e pare që ben: vihet në kerkim të një breshke të gjallë.

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.