Behar Jacaj – Druvari dhe foleja e Sorrës!

Dielli ka marrë rrokullisjen e përditshme dhe rrezet e tij e theksojnë më shumë zbehtësinë e trishtë të vjeshtes. Eci me sëpatën mbi supin e djathtë, dorën e majtë e mbaj në xhep. S’e di pse po fishkëllej melodinë e një këngë te njohur. Fishkëllima ime, teksa u bindet notave të këngës, ngjan si një përshpirtje. Zogjtë kanë ikur. Sapo kanë filluar të ikin edhe gjethet. Pylli është i shkretë. Dëgjohet vetem fishkëllima ime. Përshpirtja ime. Eci me kokën poshtë dhe shikoj arnat që kam në gjunjë. Mendoj si do të dukesha i veshur me rrobatëkohës, ose me një kostum ceremonial, përshembull. Nuk e imagjinoj dot veten me kravatë, siç nuk imagjinoj dot duart e mia pa kallo. Për shkak të duarve, gjithmonë kam menduar se, në është siç thonë, që njeriu pas vdekjes mishërohet në një qënie tjeter, unë do bëhem fik. Gishtërinjtë i kam gjithë gunga, të shtrembër, si dru fiku.Për shkak të zanatit (zanat i thënçin) kam mendime të çuditshme për pemët.  Pemët i ndaj sipas shtatit, gjetheve, frutave dhe i veshi me cilësi njerëzore. Përshembull, pema e arrës gjithmonë më është dukur si një pasanik koprac, degë dhe rrënjet i ka të mëdha, por ajo që jep ështe sa një thërrime. Shkurret përherë me janë dukur adoleshentë; të pabindura, të parritura, rebele. Shelgjet me dëget e tyre që zgjatën dhe përkunden mbi ujë, kuptohet, si gra që qajnë kur janë keq, por qajnë edhe kur janë mirë nga frika se do bëhen keq. Domethënë gjithmonë. Hardhitë më duken të njejta me pijanecët, shtati i tyre gjithë dredha njëlloj si ecja e pijanecit. Edhe nevojën për tu mbajtur diku, e njëjtë. Plepat, se di pse, gjithmonë më janë dukur si priftërinjtë, ndoshta nga mungesa e frutave. Kështu mendoj unë për drurët dhe besoj se unë jam një dru fiku e shtrembër që thyet kollaj. Por, sot s’ja kam ngenë kokës timë të marrë dhe budalliqeve të saj. Sot duhet të bëj dru. Shikoj drurët me rrallë dhe mendoj cilin prej tyre t’a ndaj nga jeta. Vertet a u dhimbset jeta drurëve. Budalla. Drurët nuk ndiejnë asgjë, as dhëmshuri, as  gëzim, as trishtim. Atëherë ato janë të vdekura? Janë thjeshtë dru, kokë i diote, lëri filozofitë e shtroju punës…
E vendosa: jeten do ja marr ketij lisit këtu. Mjafton shtati i tij për të bërë drutë që me duhen për sot. Dreq. Qenka një sorrë atje lart. Sapo e tremba, e dëbova nga foleja e saj.  E shkreta sorrë, kur të kthehet nuk do t’a gjejë folenë. Në mendje më veton zhdukja e shtrehës time dhe dridhem.  Larg qoftë, dëgjoj zërin tim dhe nuk e kuptoj a ishte lutje apo urdhër ky tog fjalësh. Zemra më zbutet dhe mendoj se drutë që më duhen për sot mund ti bëj edhe duke prerë dy drurë të tjerë. Nisem. Fundja, pylli ka dru plot. Eci gjithnjë me kohën poshtë. Terrnimi i hapave më tregon vazhdimisht arnat e pantallonave, tek gjunjet. Ndalem. Dyzohem. Kthehem, me kokën lartë dukë parë folenë në degët e sipërme të lisit. Po ti moj sorrë c’ke bërë që të meritosh një lartësine e lisit? Ti nuk je e bukur si thëllënza. Nuk këndon bukur si bilbi. Nuk je punëtore si qukapiku. Atëherë pse dreqin duhet ta ndertosh folenë më të madhe dhe më lartë se të tjerët? Zëri më tregon se kam ndalur fishkëllimen dhe po i flas sorrës. Sorrës së ikur. Ndiej nëpër damarë zëmërimin që vërshon si lumejtë pas shirave. Kujtohem për atë sorren kryetarë që më mohoi ndihmën shtetërore. Sipas saj, unë nuk jam përfitues për dy arsye; e para se jam në gjendje pune, e dyta sepse paskam tokë shumë. Gjithë këtë pyllnajë me drurë, shkurre dhe ferra sorra kryetare e quan pasuri. Sorrë e mallkuar mendoj, dhe gjithë zemërimin e krahëve e lëshoj mbi bishtin e sëpatës. Kjo ngulet me forcë në mishin e lisit. Kujtohem që në dyert ku kam trokitur për të qarë ndonjë nga hallet e mia të pafundme, jam ndeshur vetem me sorra. Gjithandej sorra. Sorra që nuk bëjnë asgjë, vetem krihen dhe jetojnë në shtëpi të mëdha. Sorra që si sorrat, kanë një të folur idiote, të pa kuptimtë, krrra krrrraaa. Mishin e lisin coptoj më me forcë. Foleja e sorrës nuk prishet.Si duket sorra ka bërë punime cilësore. Lisi rrëzohet me vrull dukë lëshuar një zhurmë si një klithmë. Foleja e sorrës nuk prishet. Pavaresisht përplasjes, mbet e plotë në degët e lisit, tashmë të rrëzuara. Me ngut, nxjerri ndezësen nga xhepi i pantollonave të arnuar dhe i vë flakën. Ajo ndihet dhe zëmerimi im shuhet. Më vjen keq që nuk mund t’i lë një shenim sorrës. Do doja t’i thoja që shtëpinë t’a prisha me kënaqësi. Tani të lutem mos na çaj kokën me krrrrraaakrrraa-në tende idiote!

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.