Behar Jacaj – Frika, ngujimi dhe hasmi!

Para tre muajsh, nuk janë bërë akoma katër, të gjithë ne dolëm turravrap nga shtëpitë, mbushëm rrugët, morëm arratinë. Pati edhe urdhëresa që shumë kujt i’a ndalonte për një farë kohe futjen në banesë. Tre muaj më pas, ngujimi në shtëpi është një i detyrueshëm. Kaq mjafton për të kuptuar se Zoti, Natyra kanë një sens të adhurueshëm humori dhe jeta është mrekullisht e papërsëritshme. Përtej kësaj, nga arratia në ngujim është i njëjti “virus”, ose e njëjta “epidemi” që duhet patur kujdes, frika. Frika është ngjitësi. Është e pamundur të jesh i rrethuar nga njerëz të panikosur ose të frikësuar dhe të mos infektohesh nga alarmi i tyre. Nëse, falë ndonjë miti madhështie e paprekshmërie (tipar ky që gjendet lehtësisht tek adoleshentët), arrin të mos e prishësh terezinë, të frikësuarit mund të të kujtojnë atë shprehjen e famshme , sipas së cilës trimëria është virtyt i budallait. Sidoqoftë dhe cilido qoftë reagimi që bëjnë individët karshi një rreziku potencial, ai është një reagim automatik, i mësuar diku në fëmijërinë e hershme dhe mbi të gjitha është një reagim njerëzor. Si çdo gjë tjetër, që të rriten, frika dhe qëtësia, duhet që të ushqeshen. Ushqimi më i mirë për to janë faktet, argumentet dhe gjykimi. Shumëkush mund t’a ushqejë frikën me argumetin se, edhe në frigorifer shfaqet qeveria për të treguar masat dhe shtetrrethimin, edhe në mikrovalë i shfaqen mediat por që bërtasin për statistikat e të prekurve, ndërsa gojëthënat e këtij kushëririt mjek, apo asaj hallës infermiere vijnë nga të katër anët, si ajri. Gjykimi është më i rëndësishëm se faktet. Gjykimi i mirë është ai që i merr faktet me rradhë dhe i lexon siç duhen. Masat ekstreme nuk mund të jenë tregues i një gjendjeje apokaliptike. Shteti, qeveria kanë detyrë ligjore dhe morale që të mbrojnë qytetarët e vendit të tyre. Sa më e madhe frika aq më kollaj ruhet vreshti. Përveç kësaj, është në natyrën e tyre që qeveritë të bëjnë sikur veprojnë, që nesër, kur e sotmja të jetë një kujtim i shëmtuar, ato do mburren për një strategji gjeniale. As statistikat dhe opinionet e mediave nuk mund të vërtetojnë seriozitetin e rrezikut. Është kuptuar me kohë e vakt që mediat janë si korbat, sa më të shumta kufomat aq më i bollshëm ushqimi i tyre. Kushdo që thotë se: “gjendja nuk është mirë, por t’i mos bëj panik”, ai nuk tregon absolutisht asgjë, thjesht infekton me frikën e tij njerëzore. Po kush e tregon nëse kercënimi është rrezik real apo alarm i rremë? Koha, por natyrisht ajo e ka me nge. Nëse frika jote e ka me ngut dhe s’të lë të qetë, atëherë merru me të, bisedoje, ballafaqoje me apatinë e të tjerëve, lutu nëse të ndihmon, dhe mos harro se frymë është me fuqishme çdo lloj se frike. Meqënëse nuk kemi pushtet më të fuqishëm se shteti, dhe as dije më të madhe se mjekët, deri sa Koha të dalë në përfundimet e saj, ne duhet t’u bindemi ligjeve të shtetit dhe këshillave që japin mjekët. Higjenë dhe ngujim. Shoqëria jonë është e njohur me një lloj tjetër ngujimi. Me ngujimin e hasmërisë. Në atë lloj ngujimi kishte dy lloje besësh. Besa e vogël, një javëshe, dhe besa e madhe, një muajshe. Me këto dy besë, i ngujuari mund të shëtiste i lirë një javë ose një muaj, pastaj të ngujohej përjetësisht, ose të vdiste. Hasmi jonë i përbashkët na kërkon të kundërtën, të ngujohemi një javë, e shumta një muaj, pastaj të jetojmë të lirë.

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.