Bodler i shkruan Jeanne Duval!

“Më lër t’i mbaj erë gjatë, gjatë flokëve të tu, duke zhytur tërë fytyrën time në to, si një i etur në burimin e ujit, t’i përziej me duar si një shami e parfumosur për t’i tundur kujtimet në ajër. Sikur ta dije gjithçka që unë shoh, gjithçka që unë ndjej, gjithçka që unë thith nga flokët e tu. Shpirti im udhëton në aromën e tyre ashtu siç shpirti i të tjerëve udhëton në muzikë. Flokët e tu mbajnë gjithçka në një ëndërr, plot me vela e pyje, mbajnë detëra të mëdhenj, të cilët më çojnë drejt klimave përrallore, ku hapësira është më e bukur e më e thellë, ku atmosfera parfumoset nga frutat, nga gjethet e nga lëkura humane. Në oqeanin e flokëve të tu unë shoh një port të mbushur me këngë melankolike burrash të ardhur nga çdo vend, me anije të çdo forme, të ngritura mbi arkitektura elegante e të komplikuara nën një qiell të pafund ku braktiset ngrohtësia e përjetshme. Në përkëdheljet e flokëve të tu unë gjej dhimbjen e orëve të gjata kaluar mbi një divan, në dhomën e një anije të bukur, lëkundur nga zhurma e paperceptuar e portit. Në vatrën e nxehtë të flokëve të tu, unë ndjejë erën e duhanit, përzier me atë të opiumit e të sheqerit. Në natën e flokëve të tu, unë shoh të shkëlqejë blu-ja tropikale. Në brigjet e tufave të flokëve të tu, unë dehem nga era e katramit, myshkut e vajit të kokos. Më gjatë le të kafshoj gërshetat e tu të gjatë e të zi. Kur të kafshoj flokët e butë e elastikë, më duket sikur ushqehem me kujtime”.

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.