“Çorapi” tregim nga Agron Tufa

12 vjeçe isha… Baba e nana u arratisën, me premtimin se kishin me u kthye të na marrin. “Ju nuk u prekin, se jeni fëmijë të vegjël”, thanë. “Asht e paligjshme”, – na shpjeguen. Na puthën. Na përqafuan. Na shtrënguan fort. Por nuk i përmbajtën lotët. “Ti je tash për ta dhe nana, dhe baba, dhe motra”, më thanë. Humbën në muzg. Si ikën ata, ndjeva se hija e randë e kullës më ra përsipër. Më ndrydhi. Nuk i pamë ma kurrë… Por ditë të vështira erdhën: na internuen. Atyne s’u bâhej vonë pse ishim fmijë. Nana e baba kishin gabue te kjo pikë. Mandej atje, n’at’ Tepelenë… Ajo botë e ashpër, untija, të ftoftët e sëmundja na lidhi edhe ma fort. I vogli nuk ndahej prej meje asnji hap.

Po luejshim me fëmijët e tjerë kur shpërtheu mina. Pashë si u hodhën n’ajri copat e trupit të tij. Ia mblodha ato copa në çarçaf. E kur ia varrosëm, i thashë motrës tue u dridhë:

  • Edhe nji vëlla që kishim, si s’e mbrojtëm dot…!

U kthyem në kazermë. Prej gjithë atij vëllau më kishte mbetur në dorë vetëm nji çorap. I përcëlluem. Çdo natë të jetës teme e kam vnue mbi zemër at’ çorap. Me tê më ka xanë gjumi. Edhe tash qi jam plakë. Sa herë e kam la me lot at’ çorap? Me qindra? Me mija? Më kanë bâ vaki në jetën teme të gjatë shumë vdekje. Por djega e vdekjes së vëllaut tem 8 vjeçar, përvëlon edhe sot, njilloj si atëhere. Si në grimën e shpërthimit.

Kam lënë amanet me më shtí në dhé me çorapin e tij mbi zemër. Si pëllamba e tij e vocërr kur ma vente netëve të trishtueme në kazermë. Unë besoj te Parajsa. E kam nji ide të saj. Po Parajsa për mue asht nji oborr kampi në Tepelenë. Andaj, kur të shkoj atje ku venë e s’kthehen, aty më pret vllau em i vogël me një top lecke, të vazhdojmë lojën e ndërpreme…

Nga vëllimi me tregime “Kur këndonin gjelat e tretë”

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.