Danieli, i Drejti- Hajnrih Bel

Ndër këta dhjetë vjet, viti mbas provimit ku u rrëzua, pati qenë më i keqi; ata të cilët i hynin një jete në dukje vetëm më të mirë, mund të ishin po aq të pagdhendur sa edhe ata të cilët asgjë nuk thoshin e asgjë nuk dinin, dhe që fjalët e babait në telefon u kursenin muaj të tërë dhembjesh e përpjekjesh; një buzëqeshje e nënës, një shtrëngim duarsh të dielën pas meshës, një fjalë e thënë me nxitim- kjo ishte gjithë drejtësia e botës, ndërsa ajo tjetra, ajo e vërteta, që ai kishte dëshiruar gjithmonë, por që s’e kishte arritur kurrë, ishte ajo për të cilën dëshirohej aq shumë xhaxha Tomasi. Dëshira për të arritur atë i kishte siguruar nofkën “Daniel, i drejti”. U tremb kur u hap papritur dera dhe portieri futi brenda t’ëmën e Uilit.

-Marie, -tha ai, -cfare, pse…

-Daniel, -tha ajo,- në…, -por ai e ndërpreu.

 

-Nuk kam kohë, nuk kam kohë asnjë sekondë, -tha me vrull, doli nga salla dhe u ngjit lart, në katin e dytë; aty, gumëzhima e nënave që prisnin vinte më e shurdhët. Ai u afrua tek dritarja që binte mbi oborr, vuri një cigare në buzë, por harroi ta ndizte. Tridhjetë vjet më janë dashur për t’u ngritur mbi gjithcka e për të pasur një përfytyrim të qartë për atë që dua. Kam larguar hakmarrjen nga drejtësia, marr rrogën, tendos fytyrën dhe shumica pandehin se unë ia kam arritur qëllimit në jetë, por unë s’ia kam arritur qëllimit; unë tani po filloj, dhe puna e parë që do të bëj, do të flak tutje, si flakin një kapelë të përdorur, do të kem tjetër fytyrë, ndoshta atë të vërtetën

Vircokun ai do ta kalonte këtë vit; donte që asnjë fëmije të mos t’i ndodhte ajo që i kishte ndodhur edhe atij; jo, asnjë fëmije, së paku jo këtij që e kishte takuar si të ndeshte vetveten.

 

Perktheu: Ardian Klosi

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.