Danjill Harms – Bota

Vetmevete thashë se po shihja botën. Por bota e gjithë nuk futej në shikimin tim dhe unë shihja vetëm se pjesët e botës. Dhe gjithësa pashë i quajta pjesë të botës. Dhe i vëzhgova cilësitë e këtyre pjesëve, dhe duke vëzhguar këto cilësi pjesësh, unë paskam bërë shkencë. E kuptova se ka cilësi të mençura pjesësh dhe ka cilësi jo të mençura pjesësh të tjera. I ndava ato dhe u vura emrat përkatës. Dhe në varësi nga cilësitë e tyre, pjesët e botës qenë të mençura dhe jo të mençura.

Dhe kishte pjesë të tilla botësh, të cilat mund të mendonin. Dhe këto pjesë këqyrnin pjesët e tjera dhe mua. Dhe të gjitha këto pjesë ngjanin me njëra-tjetrën, dhe gjithashtu, edhe unë ngjaja me to. Dhe bisedoja me pjesët e botës.

U thoshja: o pjesë të bubullimave.

Ato ma kthenin: pordhë të kohës.

Unë u thosha: edhe unë jam pjesë e tre kthesave.

Pjesët më përgjigjeshin: po ne jemi pikëza të vockla.

Dhe befas ato më humbën sysh, mandej dhe pjesët e tjera. Dhe u tremba mos po vithiset bota.

Dhe kuptova saora se nuk po i shihja pjesët një nga një, por i shihja njëherësh. Në fillim mendova se kjo është HIÇI. Por mandej i rashë më të që kjo është bota dhe se çfarë kisha parë më parë, nuk kishte qenë bota.

Dhe gjithnjë e kam ditur çfarë është bota, por, çfarë kisha parë më parë, nuk dija si ta quaja.

Dhe kur pjesët u zhdukën, atëherë cilësitë e mençura të tyre pushuan së qeni të mençura, ndërsa cilësitë jo të mençura të tyre, pushuan së qeni jo të mençura.

Por, sapo e kuptova se po shihja botën, saora nuk e pashë më. Dhe gjitha bota pushoi së qeni e mençur dhe jo e mençur. Por, ndërsa mendoja kështu, kuptova që edhe nëse bota do të shembet, unë nuk do të mendoja më kështu. Dhe shihja duke kërkuar botën me sy, por nuk po e gjeja më.

Mandej as për të parë s’kishte se ku.

Atëherë e kuptova se, përderisa kishte se çfarë të shihje, – përreth meje kishte qenë bota. Ndërsa tash ajo s’është më. Jam vetëm unë.

Dhe pastaj kuptova se unë nuk jam bota.

Por bota – nuk është unë.

Megjithëse në të njëjtën kohë jam bota.

Po bota nuk është unë.

E unë jam bota.

E bota s’është unë.

E unë jam bota.

E bota s’është unë.

E unë jam bota.

Dhe kurrëgjë më s’mendova.

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.