Dhimbja e parë – FRANZ KAFKA

Një akrobat i trapezit (siç dihet ky art zhvillohet lart, në kubetë e teatrove të mëdhenj të varietesë dhe është nga më të vështirët që ushtrojnë njerëzit) – në fillim vetëm për të arritur përsosmërinë e pastaj nga një zakon që i ishte bërë tiranik kishte vendosur që sa kohë do të punonte aty, të qëndronte ditë e natë mbi trapez. Për të plotësuar gjithë kërkesat e tij të vogla, merreshin disa shërbëtorë, që punonin me radhë atje poshtë, që të ngrinin e të zbrisnin ato për të cilat ai kishte nevojë atje lart me anë enësh të ndërtuara enkas. Mënyra e jetesës së tij nuk u sillte shqetësime të veçanta atyre që punonin atje rrotull; vetëm gjatë ekzekutimit të numrave të tjerë të programit, i mërziste pak që ai qëndronte atje – kjo nuk mund të fshihej dhe megjithëse në ato çaste ai rrinte palëvizur, herë pas here shikime të ndryshme të publikut drejtoheshin drejt tij. Po drejtori ia falte atë gjë pasi ishte artist i jashtëzakonshëm, i pazëvendësueshëm. Nga ana tjetër, e kishin parasysh se ai nuk jetonte në atë mënyrë për ndonjë trill, por që vetëm ashtu ushtrohej vazhdimisht që ta ruante përherë të përsosur artin e tij.

Nga ana tjetër, jeta atje lart ishte e shëndetshme dhe kur vinte stina e bukur, hapeshin dritaret anësore dhe në atë mjedis në gjysmëerrësirë, bashkë me ajrin e freskët, futej edhe drita ngadhënjyese e diellit. Ishte vërtetë bukur. Natyrisht marrëdhëniet e tij me njerëzit ishin tepër të kufizuara dhe vetëm herë pas here ndonjë akrobat tjetër ngjitej me litar deri tek ai; atëherë uleshin të dy në trapez duke u mbështetur majtas e djathtas në litarët mbajtës dhe bisedonin; ose mbi pullaz ngjitej ndonjë murator për të ndrequr diçka dhe përmes’ dritares së hapur shkëmbente me akrobatin nja dy fjalë; ose ndonjë zjarrfikës vinte për të kontrolluar ndriçimin e llozhës dhe i lëshonte ndonjë fjali plot mirësjellje, po që nuk merrej vesh mirë. Zakonisht rreth tij mbretëronte heshtja; vetëm në të rrallë ndodhte që pasditeve kur salla ishte e zbrazur, një nëpunës rastësisht ngrinte sytë lartë kah kubeja që humbte në lartësi dhe akrobati që s’e dinte se po e vështronin, dëshmonte mjeshtërinë e tij, ose bënte pushim.

Dhe kështu ai do të kishte jetuar i patrazuar sikur mos të ishin udhëtimet nga një qytet në tjetrin, të cilat s’i pëlqente fare. Është e vërtetë se sipërmarrësi interesohej që akrobati mos të pësonte zgjatje të kota, të cilat ia shtonin vuajtjet; për t’u transmetuar nga një vend në një vend tjetër të qytetit përdoreshin automobila garash, me të cilat personeli i cirkut përshkonte rrugët e heshtura të qytetit me shpejtësi të madhe natën ose në orët e para të mëngjesit, po megjithatë ajo zhvillohej shumë ngadalë për merakun që kishte ai; në tren i rezervonin një vagon të plotë; aty ai e kalonte tërë kohën lart, në rrjetën e caktuar për valixhet që ishte një farë përshtatjeje e keqe për mënyrën e tij të jetesës; në teatrin ku shkonin, para. të gjithave ishte rregulluar trapezi i tij; ishin marrë masa që të hapeshin të gjitha dyert e dritaret e sallës, të zbrazeshin korridoret… për sipërmarrësin ishte çasti më i bukur i jetës kur akrobati vendoste këmbën në shkallën prej litari dhe, sa çel e mbyll sytë, ishte prapë i varur në trapezin e tij. Megjithëse shumë nga këto udhëtime i kishin dalë mirë sipërmarrësit, çdo lëvizje e re ishte e mundimshme për të se, lëri të tjerat, po me siguri dobësonin nervat e akrobatit.

Një herë qëlluan prapë së bashku në udhëtim; akrobati i shtrirë në rrjetën e caktuar për valixhet; sipërmarrësi lexonte një libër i mbështetur në cepin pranë dritares, përballë tij; atë kohë akrobati nisi të flasë me zë të ulët; sipërmarrësi mbajti vesh. Duke kafshuar buzët, akrobati i tha se për ushtrimet e tij tani e tutje i duheshin dy trapeza njëri përballë tjetrit. Sipërmarrësi pranoi menjëherë. Mirëpo akrobati si për të dëshmuar se si pranimi, si refuzimi nuk kishin asnjë rëndësi për të, vijoi të thotë se për asgjë arsye tani e tutje nuk do zhvillonte ushtrimet e tij në një trapez. Vetëm nga mendimi që kjo gjë mund të ndodhte, ai nisi të dridhej. Sipërmarrësi pranoi, përsëriti miratimin e tij pa ia hequr sytë dhe tha se dy trapezë ishin më mirë se një dhe kjo gjë do të shërbente dhe shfaqja do të bëhej më e larmishme. Por akrobati papritmas ia plasi të qarit. I trembur thellësisht, sipërmarrësi brofi në këmbë, pyeti ç’kishte ngjarë dhe pa pritur përgjigjen, hipi mbi ndenjësen dhe nisi ta përkëdhelë atë të shkretin, duke afruar fytyrën e tij tek e vetja dhe kështu u lag edhe ai nga lotët e akrobatit. Vetëm pas shumë pyetjesh dhe fjalësh të mira, ky, duke qarë me dënesë, tha: “Si mund të jetoj me një… hekur në mes të duarve!” Tani sipërmarrësi e pat me të lehtë ta ngushëllonte; i dha fjalën se në stacionin më të afërt do të telegrafonte në vendin ku do të jepeshin shfaqjet e ardhshme që të merrnin masa për trapezin e dytë; qortoi veten që e kishte lënë akrobatin për aq kohë në një trapez të vetëm, e falënderoi dhe e lavdëroi me afsh që ia kishte vënë në dukje gabimin. Kështu, pak nga pak, mundi ta qetësoj akrobatin dhe u kthye në cepin e tij. Po tani ai vete nuk ishte më rregull; i shqetësuar hulumtonte akrobatin sipër librit që mbante ndër duar. Nëse këto mendime nxorën kokë dhe po e mundonin, a thua do të zhdukeshin më pas një herë e përgjithmonë? A nuk duhej dyshuar se ato do të shtoheshin? Mos e minonin ata qënien e tij? Sipërmarrësi pa se po flinte i qetë, pasi kishte qarë; atëherë vuri re se mbi ballin e lëmuar e fëminor të akrobatit, nisën të formohen rrudhat e para.
Përktheu: GJERJG VLASHI

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.