Diçka më shumë për nobelistin Ishiguro.

Kazuo Ishiguro u lind në Nagasaki të Japonisë, më 1954, por familja e tij emigroi në Angli kur ai ishte pesëvjeçar.
Studioi shkrimin kreativ në Universitetin e Kentit dhe magjistroi në Universitetin East Anglia, kurse romanin e parë, “A Pale View of the Hills” (Peizazhi i zbehtë i kodrave), e botoi në vitin 1982.
Që prej atëherë puna e tij e vetme ka qenë shkrimi.
Në vitin 1989 u shpërblye me Çmimin Man Booker për “The Remains of the Day”, kurse në 2005 revista Time e shpalli “Never Let Me Go” (Kurrë mos më le të shkoj), si romanin e vitit dhe ndër më të mirët e dekadës.
Akademia Suedeze e ka përmendur faktin se shkrimi i Ishigurus ndërlidhet me temat e “kujtesës, kohës dhe vetëmashtrimit”, veçanërisht në “The Remains of the Day”, botuar në vitin 1989, që konsiderohet si vepra e tij më e njohur, në bazë të së cilës është xhiruar filmi me Anthony Hopkins në rolin kryesor.
Veprat e tij të kohës së fundit kanë të bëjnë me fantastiken: “Never Let Me Go” është e vendosur në versionin distopik të Anglisë, derisa “The Buried Giant” (Gjiganti i varrosur), botuar para dy vjetësh, ka për temë një çift të moshuar që udhëton nëpër peizazhin e çuditshëm dhe përtejbotshëm anglez. “Ky roman me një qasje mbresëlënëse eksploron mënyrën në të cilën kujtesa ndërlidhet me harresën, historia me të tashmen, fantazia me realitetin”, u tha në shpjegimin e Akademisë Suedeze.
Në një deklaratë për BBC, menjëherë pas marrjes së lajmit, Ishiguro e ka konsideruar çmimin si “nderim madhështor”, për faktin se prej tash do të jetë “në gjurmët e shkrimtarëve më të mëdhenj”.
“Bota gjendet në një kohë shumë të pasigurt dhe do të dëshiroja që të gjitha Çmimet Nobel të shndërroheshin në një forcë për të bërë diçka pozitive aktualisht në botë”.
“Do të isha shumë i emocionuar nëse në ndonjë mënyrë sivjet do të bëhesha pjesë e një lloj klime për të kontribuar pozitivisht në këtë periudhë pasigurie”.
Përveç tetë librave, Ishiguro e ka botuar përmbledhjen e tregimeve të shkurta “Nocturnes”, dhe ka shkruar skenarë për filma dhe televizion.
Është adhurues i madh i muzikës dhe kitarist i shkëlqyeshëm.

-Pse Ishiguro fitoi Nobelin për Letërsi?
Në shpjegimin e Akademisë Suedeze thuhet se Ishiguro është shpërblyer për arsye se “në novelat e tij me forcë të madhe emocionale, e ka zbuluar humnerën përfundi ndjenjës sonë iluzionare të ndërlidhjes me botën”.
Letërsia e Ishiguros ndërlidhet me temat e kujtesës, kohës dhe vetëmashtrimit.
Veprat e tij më të njohura janë “The Remains of the Day” (Dita e Mbetur) dhe “Never Let Me Go” (Mos më le të shkoj).

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.