Dino Buxati – Natën me hënë

Gjithçka në kopsht ishte poezi dhe qetësi hyjnore.

Festa e madhe e vdekjes kishte filluar në muzg. Tani ishte në kulimin e harbimit. Dhe do të vazhdonte deri në agim. Kudo kjo nuk ishte veçse masakër, torturë, vrasje. Çengelë që thyenin këmbë e rrëmonin në rropullitë, darë që shkulnin kafkullat, ngulje shtizash, bluarje dhëmbësh, gjilpëra që injektonin gjithfarë mpirëndjellësish, lëngje gërryese, që e shkrinin për së gjalli prenë. Që nga banorët më të vegjël të myshqeve: krimbat, qeniet mikroskopike, amebat, deri te larvat, merimangat, bubuzhelat, dyzetkëmbëshat, po, po, deri të kokëzogëzat, akrepat, thithëlopat, urithët, bufët, ushtria pa fund e xhelatëve mizorë, bënin kërdinë në atë lojë, duke vrarë, duke shqyer, copëtuar, përpirë. Ashtu si në një qytet të madh, çdo natë, dhjetëra mijëra keqbërës, të etur për gjak e të armatosur deri në dhëmbë, dalin nga strofkat e tyre, futen në shtëpitë dhe therin njerëz në gjumë.

……………………………………………………..

Tmerr, ankth, pikëllim, agoni, vdekje për mijëra e mijëra krijesa të tjera të Zotit, ja se çfarë është gjumi i natës në një kopsht, tridhjetë me njëzet metra. Dhe po ashtu në fushën përreth, po ashtu, gjithmonë, përtej maleve me farfurimën prej qelqi nën dritën e hënës së zbehtë e misterioze. Dhe në botën mbarë e njëjta gjë, cep më cep, me të rënë nata: rrënim, shfarosje, kasaphanë. E kur nata tretet dhe dielli lind, fillon një kërdi tjetër, me të tjerë gjakësorë të paskrupuj, por me të njëjtin tërbim. Kështu ka qenë gjithmonë, që nga origjina e vjetër, kështu do të jetë përgjatë shekujve, deri në fundin e botës.

 

Përktheu: Zija Çela

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.