Dino Buzzati – ANKTHI I LLAHTARSHËM I RHO

Përktheu: Arben Idrizi

Ankthi i nënave. për shkak se nënat e fëmijëve ishin të gjitha aty përreth, në pamundësi për të intervenuar, kërcënimi ishte shumë më perfid. në rast se i luajturi mendsh do të kishte vepruar sipas premtimeve, ato do të kishin asistuar, mund të thuhet, në masakrimin e krijesave të tyre. zot ta imagjinosh një situatë më shpirtkëputëse. sall në disa tragjedi klasike, që në të vërtetë prekun të pabesueshmën, ndoshta mund të gjendet ndonjë fjalë krahasimi.

Përnjëmend në kujtesën e njeriut s’ka pasur dramë kaq impresionuese, të çuditshme, të egër, romansore, të themi pra të pabesueshme si kjo e djeshit, në Terrazzano. Po qe se një subjektivist, i pajisur me fantazi të marrë, do t’ia kishte propozuar një producenti, për film, një ngjarje të tillë, sigurisht se do të merrte përgjegjën: “Asgjë e hairit. Po e zmadhoni. Absolutisht tepër e pabesueshme”.

Në të vërtetë, në krimin e shëmtuar të djeshit, ka një bollëk të atillë, një larmi të atillë, një përqëndrim të atillë elementesh dramatike dhe patetike, sa që reagimi i parë i atij që e ka marrë lajmin e parë ka qenë reagim mosbesimi: “Merre me mend. E pamundshme. Zmadhimet e zakonshme të kronistëve”. Ama ai që e ka zmadhuar dje ka qenë realiteti, që edhe një herë, në mënyrë të bujshme, e ka kapërcyer fantazinë njerëzore. Sikur shprehja të mund të mos tingëllonte mosrespektuese dhe mbi të gjitha po të mos ishte kobi i një familjeje – familja e punëtorit guximtar i djegur derisa përpiqej të arrinte dritarën djallëzore – do të mund të thuhej se kronika kurrë s’ka regjistruar një histori të zezë kaq të përsosur.

Kurrë s’janë parë, të gërshetuar në vuajtje ankthi dhe në kohë aq të shkurtër motive aq të shumta dhe të një fuqie aq të madhe.

Viktimat. Instrumenti i kërcënimit nuk do të mund të zgjedhej nga i çmenduri me arsye më të pashpirt: nja njëqind fëmijë.

Vetë fakti se qenë vënë në lojë jetërat e shumë të pafajshmëve, absolutisht të paaftë që të mbrohen, e ka ngritur klimën në ankthin më të llahtarshëm që mund të merret me mend. Në marrëzinë e tij shndritshme, Santato i ka rënë në të bukur mirë. Mendimi i rrëmbimeve të fëmijëve në Amerikë i ishte ngulitur në mendje.

Është aq e vërtetë sa që ka thënë: “Kujtojeni rastin që ka qenë në Amerikë…

Ne nuk e kemi një fëmijë të vetëm po i kemi një qind dhe jemi të vendosur t’i vrasim që të gjithë”. Në këtë shumëfishim namkeq qëndron tmerri më i madh i planit kriminal.

Teatraliteti. Ngjarja deliktuoze nuk është zhvilluar, siç ndodh zakonisht, tinëz, në terr, larg nga sytë e huaj, po bash në publik, në qiell të hapur, me pjesëmarrjen e turmës dhe autoriteteve, me anë të një bisede të gjatë e të arsyeshme, ku vajtimeve, psherëtimave, qortimeve iu përgjegjej me ftoftësi demoniake një qenie e akullt, thumbues e i paparashikueshëm, një njeri që marrëzia e kishte shndërruar në përbindësh të padeshifrueshëm, syrgjynosur në humnerën e mistershme të çmendurisë, të zotin për ligësitë më të tërbuara. E përballë tij ndërroheshin me radhë, në një rritje ankthi dhe terrori, personazhet e botës së arsyeshme, që përballë kësaj enigme të frikshme s’kishin tjetër armë, tekembramja, veçse shpresen te Zoti. Herë pas here e rrenin veten se flakët përgjëruese do ta preknin pjesën ende të pa qelbur të atij truri të çoroditur, apo të paktën, në ndonjë mënyrë të mistershme, do ta preknin zemrën e tij. Çdo herë përgjegjej, i fortë dhe i prerë, ai zë i mallkuar.

Pasiguria e shpirtrave. Ai që ka qenë i pranishëm në skenën e gjatë – e ishin funksionarë e gazetarë që për motive pune kishin njohur tragjedi të tmerrshme të panumërta – betohet se rezistenca e nervave dhe zemrës kurrë s’i është nënshtruar një prove të tillë. Nga një çast në tjetrin qetësia e jashtme e të çmendurit mund të thyhej dhe të shpërthente pa fre. Në çdo fjalë të re, në çdo ndërhyrje të re ishte për t’u frikësuar se marrëzia do të shpërthente me tërbim përgjakës. E s’kishte motive të arsyeshme për të llogaritur se ankthi do të merrte fund. Po qe se nuk do të kishte ndërhyrë një akt pothuajse çmendurak force, edhe sa kohë do të kishte mbetur e varur pezull në një fije jeta e një qind fëmijëve? Kërcënimet e të marrit ishin të tilla sa që me sa duket ishte e pamundur t’i mohohet çfarëdo që të kërkonte. Në mënyrë teorike, të dy vëllezërit Santato, e kishin krahun e nxehtë. Kush do të guxonte t’ju kundërvihet nëse një reagim i vockël i tyre tërbimi nënkuptonte masakrimin e fëmijëve?

Stili kinematografik. Në të ngjarjen, e vetë deklaratat e Arturo Santato e konfirmojnë, ndjehet mimetizmi. I vetëdijshëm a jo, protagonisti i shajnuar me sa duket i ka imituar modelet e markës moderne të ofruara nga letërsia dhe nga filmat policor. A dëshirohet me këtë t’i hedhet faji librave policor apo kinemasë? Do të ishte, të paktën, e padjallëzuar. Ai që shkruan histori aventurash apo prodhon filma, pa dyshim se nuk mund të merret me të çmendurit. Ama është e sigurtë se e tërë arkitektura e makinacioneve të fëlliqta është e prekur nga tendenca të tilla imituese.

Heroizmi. Për ta bërë dramën edhe më të ndjeshme dhe për ta përfunduar, për fat, me një bilanc pafundësisht më pak të kobshëm se sa që druhej, qe trimëria e një gruaje. Veprimi i mësueses Paola Del Carradore që guxoi ta çarmatoste e pastaj ta rrëzonte njërin nga dy banditët, duke e shkaktuar zgjidhjen e papritur, e ngriste përnjëmend në kuotën më të lartë fuqinë patetike të rastit. Të gjesh freski, mendjemprehtësi, guximin për t’u përballur me të çmendurin, pas gjithë atij ankthi dhe pikërisht në çastin më të volitshëm, pa dyshim është shenjë e një force shpirtërore dhe e një bujarie pakundshoqe, të denja për admirimin më të lartë. Dhe hiq më pak fisnik vrulli i punëtorit Sante Zennaro që për t’i liruar fëmijët e ka sfiduar dhe gjetur vdekjen. Në kronikën e Terrazzanos ka edhe motive paradoksale të satirës së zakonshme.

I krisuri Arturo Santato, natyrisht si i marrë dhe në kufi të egërsimit grotesk, i ka mishëruar ethët e famës dhe reklamës që në atë kohë dukej e varur në ajër. Më shumë se 200 milionë italianë, ai dukej i etur për t’u adhuruar, para ekraneve televizive.

Këmbëngulja me të cilën i kërkonte gazetarët, fotografët, radioreporterët është shumë domethënëse. S’do të ishte çudi po qe se do të kërkonte, mes aq shumë gjërash, të merr pjesë sonte në “Lëre ose dyfishoje?”. Për ta fituar një trohë nam ishte i gatshëm t’i masakronte qindra fëmijë. Ta themi të vërtetën:në përpjestime të vogla, sa e sa tjerë e tjera i përngjajnë.

Në fund, s’duhet harruar në tërë këtë tragjedi një personazh dje s’është parë, ngase ishte shumë larg, por jo i dorës së dytë shkaku i kësaj: mjeku i Aversas që, qëllimisht, e kishte liruar Arturo Santaton nga çmendia kriminale: shkaku i parë i pavullnetshëm i tërë kësaj që ka ndhodhur.

Ne s’kemi fije dyshimi se ai e ka marrë këtë vendim me vetëdije të plotë, pasi që e ka nënshtruar të riun ndaj provimeve më të përpikta. Megjithatë, lajmi duhet të ketë qenë për të një goditje e tmerrshme. Gjithçka, sipas këshillimeve klinike, e autorizonte ta linte të lirë Santaton. Epo! Ta imagjinojmë, mbyllur në studion e tij, tek i konsulton në ethe njërin pas tjetrit tekstet plot dituri të doktrinës së tij, duke kërkuar, nuk e din as ai vetë, ndonjë inkurajim apo zbulimin e ndonjë gabimi. Ama librat s’mund t’i thonë asgjë. As ai s’mund ta parashihte. Nuk ka shkencë që mjafton për humnerat e zeza të shpirtit njerëzor.

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.