Dino Buzzati – Ditët e humbura!

Disa ditë pasi hyri në zotërim të vilës madhështore, Ernes Kazirra, duke u kthyer nga jashtë, dalloi së largu një burrë që po dilte nga një portë dytësore e murit rrethues me një arkë mbi shpatulla që e ngarkoi në një kamion. Nuk arriti dot ta ndalonte
para se të nisej. Atëherë e ndoqi me makinë. Kamioni bëri një rrugë të gjatë deri në periferinë e largët të qytetit, duke u ndalur buzë një rrëpire të thellë. Kazirra zbriti nga makina dhe u afrua të shihte. I panjohuri e shkarkoi arkën nga kamioni dhe si bëri ca hapa, e vërviti në greminën e tejmbushur me mijëra e mijëra arka të tjera të njëjta.
Iu afrua burrit dhe e pyeti:
– Të pashë që po nxirrje jashtë atë arkën nga parku im. Çfarë kishte brenda? Po gjithë këto arka të tjera çfarë janë?
Tjetri e vështroi dhe buzëqeshi:
– Kam akoma në kamion, për të flakur poshtë. Nuk di gjë? Janë ditë.
– Çfarë ditësh?
– Ditët e tua.
– Ditët e mia?
– Ditët e tua të humbura. Ditët që ke humbur. I prisje, s’është kështu? Erdhën. Çfarë bëre me to? Shikoji, të paprekura, ende të fryra. Kurse tani…
Kazirra vështroi me vëmendje. Formonin një grumbull të stërmadh. Zbriti poshtë, në brendësi të greminës dhe e hapi një kuti. Brenda gjendej një rrugë vjeshte dhe në fund Graciela, e fejuara e tij që po ikte përgjithmonë. Kurse ai as që po i
telefononte. Hapi një të dytë. Ishte një dhomë spitali dhe mbi shtrat vëllai Jozefi, i sëmurë, që e priste. Por ai gjendej jashtë për punë. Hapi një të tretë. Në portikun e shtëpisë së vjetër mjerane qëndronte Duku, qeni besnik që e priste prej dy vitesh, i katandisur kockë e lëkurë. Ai as që e çonte ndër mend të kthehej.
Ndjeu të pështjellohej nga njëfarë gjëje këtu, në murin e stomakut. Shkarkuesi i kamionit qëndronte drejt, buzë rrëpirës, i
palëvizshëm, si një ekzekutues.
– Zotëri! – klithi Kazirra. – Më dëgjoni. Më lini që të marr me vete të paktën këto tre ditë. Ju përgjërohem. Të paktën këto të treja. Unë jam i pasur. Do t’iu jap ç’të dëshironi.
Shkarkuesi bëri një gjest me të djathtën, si për të treguar një pikë të paarritshme, si për të thënë që ishte tepër vonë e që nuk mund të zgjidhej dot më gjë tani.
Pastaj u tret në ajër, e në çast u zhduk edhe grumbulli i stërmadh i arkave misterioze. Kurse hija e mbrëmjes, po zbriste teposhtë.
Përktheu: Eris Rusi

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.