Disa nga filozofët që kanë vuajtur nga sëmundje mendore!

Soren Kierkegaard
I konsideruar si gjyshi i ekzistencializmit, apo ndoshta ekzistencialisti i parë, Soren Kierkegaard ishte thellësisht kritik ndaj filozofëve idealistë të kohës së tij si Hegelit dhe Schellingut. Ai kishte në fokus jetën si një “individ i vetëm”, duke vënë theksin tek zgjedhjet personale dhe realitetin njerëzor. Ai e cilësoi depresionin si një dështim, duke u shprehur se personi në depresion ka patur gjithmonë “një mundësi të barabartë ose ndoshta më të madhe të gjendjes së kundërt”. Kjo pikëpamje është edhe më prekëse, kur e kupton se vetë Kierkegaardi, dhe shumë prej anëtarëve të familjes së tij, vuanin nga simptomat e depresionit të thellë. Kierkegaard citohet të ketë thënë: “Depresioni im është mësuesi më besnik që kam njohur…”!

Sokrati
I njohur zakonisht si themeluesi i traditës filozofike perëndimore, Sokrati nuk ishte i rezervuar të fliste në lidhje me atë që sot ne tani mund ta përshkruajmë si sëmundja e tij mendore. Ky sinqeritet vinte pa dyshim nga bindja e tij e hapur se çmenduria, kur frymëzohet nga perënditë, mund t’i japë njeriut bekimet e tij më të mëdha – si dashuria, poezia dhe vetë filozofia. Sokrati u mbështet në “shenjën e tij demoniake” ose zërin e pavarur në kokën e tij, për ta paralajmëruar kur qe duke bërë një gabim. Ishte ky zë që e mbajti atë larg hyrjes në politikë.

David Hume
David Hume ishte anëtar i rëndësishëm i Iluminizmit Skocez, duke kërkuar të themelojë një ”shkencë të njeriut” që heton natyrën njerëzore dhe motivimet. Ai është një nga figurat më të rëndësishme të filozofisë perëndimore, i njohur për ndikimin e tij mbi Adam Smithin, Kantin dhe William Jamesin. Ndërsa qe ende një adoleshent dhe duke studiuar në Universitetin e Edinburgut, ai zbuloi “një Skenë të re të Mendimit” dhe kreu gjithsej 10 vjet studime të larta, ku ngarkesa e madhe e çoi atë buzë ezaurimit nervor. I ndjeshëm siç ishte, ai e kuptoi se vazhdimi në këtë rrugë do ta pengonte nga arritja e iluminimit që dëshironte të arrinte, ndaj dhe nisi një jetë aktive për të ruajtur shëndetin e tij mendor.

Adam Smith
Autor i “Pasuria e Kombeve”, vepra e parë e ekonomisë moderne, Adam Smith qe një figurë e rëndësishme në Iluminizmit Skocez, dhe njihet si babai i kapitalizmit. Megjithatë, ekzistenca e tij nuk përbëhet vetëm nga përkushtimi ndaj punës shkencore. Ai filloi të vuajë nga çrregullime mendore kur ishte duke studiuar në Oksford, dhe që tanimë mendohet të ishin simptomat e një ezaurimi nervor. Gjatë jetës së tij ai njihej se flite me vete dhe vuante nga sëmundje imagjinare, si dhe mungesa kronike e vëmendjes, që shkaktoi incidente të tilla si ecja për 15 milje jashtë qytetit, i veshur vetëm me këmishën e natës.

Friedrich Nietzsche
Siç e deklaroi vetë dikur, nëse ia ngulni sytë për një kohë të gjatë humnerës, kjo e fundit do t’iu ngulë vështrimin e vet. Shqëtësimi që Friedrich Nietzsche kishte me vullnetin për pushtet dhe vdekjen e Zotit, mund të kenë qenë ato që e çuan drejt çmendurisë. Një histori e përsëritur shpesh, tregon gjunjëzimin e tij përballë një kali që ishte duke u fshikulluar me kamxhik nga i zoti, dhe në fund të shekullit të XIX-të, ai filloi të dërgojë letra të çuditshme ku detajonte vuajtjet imagjinare. Ndërsa ideja e një mendje kureshtare të shkatërruar nga vetë studimet e tij është tërheqëse, mjekët e diagnostikuan asokohe me sifilis terciar, dhe diagnozat e mëvonshme përfshinin sëmundje maniako-depresive me psikozë periodike dhe çmenduri frontotemporale. Ndikimi i tij është ende i fortë shkollën postmoderniste nihiliste dhe ekzistencialiste të filozofisë.

Burimi: Filozofia.al

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.