Disa poezi të përzgjedhura shkruar nga Naim Frashëri.

 Lutja E Naimit
Det i p'an'i mirësisë, q'emrin tënd s'e zë dot ngoje,
Qysh e ngrehe gjithësinë pa lënë farë nevoje!
Fali njeriut urtësinë, mirësinë, njerëzinë,
Butësinë, miqësinë, dashuri, vëllazërinë
Epu sheshevet lul' e bar dhe pyjevet gjeth e fletë,
Resë shi, aravet bimë e mos lerë gjë të metë,
Fali erë trëndelinës, manushaqes, trëndafilit,
Kalliut bukë, mizës pjesë, zogut ngrënie, zë bilbilit,
E drurëvet epu pemë dhe uratë bagëtisë,
Dërgo dhëmbj' e kujdes për to në zëmërt të njerëzisë
Epi pjergulls' e vështit rrush dhe vozësë fali verë,
Mos e lerë pa të kurrë, kurrë thatë mos e lerë
Fali diellit flak e zjarr dhe hënës e yjet dritë,
Edhe detit uj' e kripë, gjithësisë jet e ditë.
Yjtë le të vinë rrotull dhe njerëzit të punojnë,
Të dëfrejn' e të gëzohen dhe si vëllezër të shkojnë.
Tregomu dhe shqipëtaret udhën e punës së mbarë,
Bashkomi, bëmi vëllezër edhe fjeshtë shqipëtarë,
Falmi, falmi Shqipërisë ditën e bardh' e lirisë,
Udhën e vëllazërisë, vahn' e gjithë mirësisë.
Nxirr të vërtetën në shesht, paskëtaj të mbretëronjë,
Errësira të përndahet, gënjeshtëra të pushonjë.
***
Fjalet E Qiririt
Në mes tuaj kam qëndruar
e jam duke përvëluar,
që t'u ap pakëzë dritë,
natënë t'ua bënj ditë.


do të tretem, të kullohem,
të digjem, të përvëlohem,
që t'u ndrinj mir' e të shihni,
njëri-tjatërin të njihni.


për ju do të rri të tretem,
asnjë çikë të mos mbetem,
të digjem e të qanj me lot,
se dëshirën s'e duronj dot.


unë zjarrit nuk i druhem
dhe kurrë s'dua të shuhem,
po të digjem me dëshirë,
sa të munt t'u ndrinj më mirë.


kur më shihni se jam tretur,
mos pandehni se kam vdekur;
jam i gjall' e jam ndë jetë
jam në dritët të vërtetë,


unë jam në shpirtin tuaj,
mos më kini për të huaj,
m'është falurë durimi,
andaj po digjem si trimi,


se ma k'ënda t'u bënj mirë,
të mos mbeti n'errësirë.
jakëni rreth meje rrini,
flisni, qeshni, hani, pini,


në shpirt kam dashurinë,
pa digjem për njerëzinë,
lemëni të përvëlohem,
nukë dua më të ftohem,


dua ta djek trupn' e kretë
për atë zotn' e vërtetë.
me zjarr ta djek mushkërinë
e të tretem për njerinë,


bashkë me gëzimt të tija
të vete te perëndia.
unë dua njerëzinë,
mirësin' e urtësinë.


në bëhi shokë me mua,
në më doni si u dua,
njëri-tjetërin në doni,
të paudhë mos punoni.


o zëmëra fluturake,
qasju pakë kësaj flake!
mase krahët t'i përvëlon,
po dhe shpirtin ta shënjtëron.


unë duke përvëluar,
njerëzit i kam ndrituar.
kam qënë mik me njerinë,
andaj i di e më dinë.


gjithë tuajt' i kam parë,
mëm' e at' e fis e farë,
si tani gjithë i kam ndër mënt,
që rrininë më këtë vënt.


edhe sot nër ju ata shoh,
se shpirtin e tyre ua njoh,
dhe unë si ju jam ndruar
e jam përzjer' e ndryshuar,


pa jam bërë shumë herë
zjar e uj' e balt' e erë.
jam një shkëndijë pej qielli
dhe një drudhëzë pej dielli.


edhe ndër qiej fluturonj,
edhe brënda në det qëndronj,
shumë herë fle në baltë,
diku ndodhem dhe në mjaltë


bënem qëngj e kec i pirë,
lul' e bar e gjeth i mbirë.
dua shumë fjalë t'u them,
po trëmbem mos i bënj ujem.
e ku shkruhenë në kartë
fjalët' e gjuhësë zjarrtë?
***
Zogu Dhe Djali
Një zok të bukur zuri një djalë,
Ay po dridhej dh’e i thosh ca fjalë:
“Nukë të vjen keq që jam i mitur,
Si ti i vogël e s’jam dhe rritur?
Jam bir i vetëm e mëma më pret,
E kam lënë keq brenda në folet.
Dheu me dëborë qjith’ u mbulua,
Më s’ka mbetur dhe gjëkunt pothua!
Vuanj i gjori dit’ edhe natë
E s’gjenj dot asnjë druthë të thatë!
E sheh sa u prish fort i shkreti mot,
Urie vdiqmë, më s’durojmë dot,
Zemërsë sime i lidhe gur,
Po mëm’ e zezë q’ësht’ e sëmurë?
Kërkonj e kërkonj, e kam që dije
Që s’munt të gjenj dot gjëzë t’i shpije.
Ah! kjo e keqe këtu më pruri,
E gracka jote ra e më zuri!
Më pret im mëzë, si ty jot ëmë.
Të mos t’i vete, ç’bënetë prëmë?
Të zesthitë na, përse na ngini?
Në punët tënë përse s’na lini?
Kam dhe unë shpirt dhe dua të rronj,
Të lëçinj, të breth, të los, të këndonj,
Unë, që s’kam ment, {si thotë njeriu),
Kujt i bëra keq? Ç’bëra un’ i ziu?
Le, mos më mundo, se Zoti të sheh,
Të mirën’ edhe të ligën’ e njeh,
E s’do të ligën, po do të mirën,
Do butësinë, nuk’ egërsirën,
Të drejtënë do dhe urtësinë,
S’do faqezinë e babëzinë,
Mua të lirë më bëri Zoti
përse me bën rob? Nga un, Ç’do ti?,.,.
Fjalët’ e zogut djali i dëgjoi,
Qau edh’ e puthi, pastaj e lëshoi.

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.