“Eneida” Virgjili

(Nga libri III)
Tmerri sundon ngado, dhe vetë heshtja
të mbushte me llahtar. Thosha me vete:
“Mos vallë ajo është kthyer përsëri
drejt në pallat?” Dhe vrap atje u hodha.
Danajtë* tamam atje kishin vrapuar
dhe kishin shtënë në dorë gjithë pallatin.
Krejt i brengosur, kot e përsëritja
unë emrin e Kreuzës. Prapëseprapë,
thërrisja dhe thërrisja pa dyshim,
tek kërkoj e bredh posi i cmendur
nëpër shtëpi t’qytetit, m’del përpara
vetë hija e Kreuzës, fytyra e s’mjerës,
porse një hije shumë e madhe
se ajo që njihja unë. U shtanga n’vend,
m’u ngritën flokët, fjala mbeti n’grykë.
Ajo zuri të flasë e më paqtoi
me këto fjalë: “Po pse, o burrë i dashur,
të katandisesh në një brengë të tillë?
Pse bën si i cmendur? Të gjitha këto ngjarje
nuk ndodhin pa vullnetin e hyjnive;
as fati* dhe as vetë zoti i Olimpit
s’lejojnë me vete të marrësh ti Kreuzën.
Të pret ty një mërgim tepër i gjatë,
dhe detin e pamasë do të cash,
pra, do t’arrish te dheu i Hesperisë*
atje tek ato fusha aq pjellore,
që i lag Tibrit lidian* me rrjedhë të qetë.
Atje dy ditë të lumtura të presin,
të pret një fron, një grua mbretërore*,
prandaj mos qaj për Kreuzën e dashur.
Pra, lamtumirë dhe ruaje dashurinë
për djalin që kemi të dy bashkë.”
Një të folur kështu, ndërsa po qaja
dhe shumë gjëra doja që t’i thoja,
ajo aty më la, në cast m’u zhduk.
Tri herë me radhë doja ta qafoja,
tri herë përqafimi bosh më vajti;
nuk kapej hija mësa kapej ajri,
mësa mund të kapet ëndrra fluturake.
Kish ikur nata, kur te shokët mbërrita.
Kështu bëra cudi, kur gjenda grumbulli
gjith at turmë shokësh t’porsaardhur;
fëmija, burra, gra tok ishin mbledhur
për t’vajtur në mërgim; se c’turmë fatzezë!
Aty nga t’gjitha anët kishin ardhur
me placka e me shpirt të përgatitur,
t’vinin me mua për det kudo që t’shkoja.
Tashmë prej kreshtave të larta t’Idës
po ngjitej ylli i dritës dhe po sillte
ditën e re. Danajtë zotëronin
të gjithë portat. S’kishim më asnjë shpresë
Prandaj me babën n’shpinë iu sula malit”.
*Dajanët- grekët
*Hesperia- Perëndimi, toka perëndimore, Italia
*Lidian (etrurian), lumi Tiber (Tevere) vjen nga Etruria
*Një grua mbretërore- Lavinia, bija e mbretit Latin
Shqiperoi: Henrik Lacaj