Erti Poka – Individi përbën masën!

Njeriu çuditërisht kërkon të jetë vetëm edhe psenë e kam vështirë ta kuptoj. Pra, ne duam që çdo gjë ta bëjmë vetëm duke qenë se në këtë mënyrë pretendojmë të jemi më superiorë. Në parim nuk duket fort keq, sepse disa gjëra është mirë që njeriu t’i bëjë vetë, por debati që unë dua të nxis është rëndësia e shoqërisë në jetën e individit.

Kur kemi folur për moralin, na ka shkuar mendja direkt tek një individ i moralshëm, të cilin e kemi përdorur edhe si shembull. Kur kemi folur për dashurinë, na ka shkuar mendja menjëherë tek ndonjë dashnor më famë. Ashtu si këto dy fenomene, kemi lakuar shpesh herë edhe fenomene të tjerë duke frymëzuar rëndësinë e individit në një shoqëri materialiste. Për hir të së vërtetës rëndësia e individit është mjaft e lartë kur ne flasim posaçërisht për të. Krejt e kundërta ndodh kur ne përgjithsojmë. Në momentin që ne e konsiderojmë një strukturë të pavarur, atëherë rëndësia e individit humb.

Në një klasë të përbërë nga 30 nxënës, 2 prej tyre janë nxënës ekselentë,ndërkohë që pjesa tjetër e klasës nuk është fort mirë në mësime. Opinioni individualist për nxënësit, të cilët në mësime janë shumë mirë korrespondon me notën e tyre, gjë kjo e cila ndodh edhe me klasën e cila nuk ka fort interes për mësimin. Pra mendimi i përgjithësuar është negativ edhe pse individët e shëndoshë brenda ekzistojnë. Në këtë moment rëndësia që ka e kundërta shuhet. Ky është një fenomen që i kthen individët në numra. Përgjithësimi kolektiv e shuan edhe veçantinë dhe këtë të fundit e quan fenomen, pra ajo që quhet e veçantë brenda një individi në shoqëri kthehet në fenomen.

Njerëzit janë mjaftueshëm egoistë të mos pranojmë se pa shoqërinë nuk do të kishte individ. Këtu mund të përfshihet edhe aspekti fizik,pra thjesht ekzistenca e masës, por edhe nevoja për të qenë i shoqëruar, pra koncepti i popullaritetit.

Shumë probleme të shëndetit mendor nisin nga shkëputja prej masës, pra nga mospranimi, nga bullizmi, nga vetmia etj. Pra veçse për mentalen dhe gjendjen tonë shpirtërore është e dëmshme edhe për shëndetin tonë në mënyrë bazike.

Nuk mund të pretendojmë se vetëm do të jemi më mirë, madje kjo është e tepruar. Njeriu pa shoqërinëështë dështim. Ditëve të sotme pa ekzistencën e shoqërisë nuk mund të ushqehesh, nuk mund të jetosh e nuk mund të kërkosh të përmirësoshesh. Pra ekziston një varësi ndërmjet qënies dhe masës. Gjëja e vetme që ne e bëjmë për veten është tentativa për të arritur katarsisin, lumturinë dhe qetësinë e lakmuar shpirtërore. Çdo gjë tjetër shkon për shoqërinë. Nëse ne mësojmë shumë në shkollë, kjo është për faktin se shoqëria ka përgatitur për ne një mësues, një ambient dhe nxënës të tjerë si ne. Mendoni pak! Nëse do të kishte vetëm një nxënës në një milionë banorë a do ishin ndërtuar shkolla dhe do të ishin përgatitur kaq shumë mësues? Jo! Kjo për faktin se shoqëria plotëson nevojat e veta dhe jo të individit, në favor të masës. Ky nxënës do të mësohej nga një mësues privat, por përsëri do të kishte nevojë për laboratore, për ambiente tëndryshme ku të vinte në praktikë atë se çfarë do të mësonte, por askush nuk do t’i siguronte këto ambiente për faktin se kjo nuk është nevojë e shoqërisë, është vetëm nevojë e individit.

Shoqëria racionalizon nevojat individualiste dhe gjen të përbashkëtat e individëve për të plotësuar nevojat e masës.

Numrat janë të rëndësishëm kur gjërat dhe strukturat standartizohen, prandaj ushtritë janë gjatë historisë janë klasifikuar sipas numrave. Pse nuk e linin gjithçka të varej tek një individ? Tek personi më i fuqishëm i një fisi ose një tribuje! Sepse, individit kurrë nuk i është dhënë kaq shumë besim dhe rëndësi. Individët formojnë masën dhe më pas zhduken, sepse struktura sapo ndryshoi dhe kur ndryshon struktura ndryshon edhe nevoja. Pikërisht në këtë moment nevojat e individit shumëzohen me zero dhe ne rradhë të parë vendosen nevojat jetësore të masës, e cila tashmë është objektiv.

Një libër nuk ka psë të shkruhet nëse nuk lexohet, një këngë nuk ka pse këndohet nëse nuk dëgjohet e një pikturë nuk ka pse vizatohet nëse nuk shikohet. Këtu dallohet edhe natyra utilitare e qënies e cila shndërrohet në masë.

Nëse nuk ka individ nuk ka masë, por edhe nëse nuk ka masë nuk ka individ, ose individi do të mbijetojë vetëm që të arrijë masën.

 

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.