Ervin Hatibi – Mërzia

Mërzia varfëron veç pjesë të trupit

Të cilat fshihen nën bust

Mërzia, piedestali që më larton

Kësaj rruge pa tradita, pa barrikada

Të pjek mërzia, mërzia, mërzia

Siç piqet një pikturë anitike, plasaritet verniku

Pluhuri mbi pikturë i josh qepallat të ulen

E tonet kuqërreme të burojnë nga mërzia

Prej pikturës e sajojnë dhomën e vetëvrasjes,

ku perdet u ulën

është dhoma e mirë e miqve, me çelës.

I je qepur një karrigeje të rëndë dhe nuk del kurrë

Nga titulli i librit, brenda të cilit sigurisht që ti

ekziston

Nën emra të rremë e kujtesë të njëllojtë

Në një cep të bibliotekës do ta gjej të vjetër librin.

Mërzia, mërzia

Merri gjymtyrët e mija e hidhi në ndonjë lojë

Ku veç mund të humbet

Veç të mos e prek me trupin

As të falem me to nuk dua

Ose i ndërroj gjymtyrët me flokët e mi

Ah, flokët e mi dy herë të prerë, aq të gjatë

Mes tyre gjendesha mes një kopshti trëndafilash ujitur

pa gjak

Ku stolat këndonin me zë të harruar

shatërvani…

Aty midis flokësh i shpëtoja njerëzisë

Tek me sy të mbyllur ecja e s’më shihnin

Kërkoj flokët e mi që qenë të verdhë

Po krejt ma thithnin të keqen dhe më linin mua

Veç mërzira të mira

Po tani që pa flokë kam mbetur, pa njerez kam mbetur

Mërzia

Ështe diçka e hidhur që nuk bën dot pa të me

Si edhe pa e quajtur pikëllim apo me fjalë më të ndera

është diçka që vërtet të kthen në bust.

Barkun me qime e kofshët t’i fsheh e t’i ruan

Në ujë të mbyturish

Që t’i kesh për pleqëri

Tani që zhduka edhe flokët e shenjtë

një figurë e lojës me letra jam bërë

Duke buzëqeshur me një lule gazi në dorë

Me ca rroba të stolisura fort

Bust, bust spathi, si fant

Me dy kokë e katër duart me thika e gjethe të gjumit

Tanimë mërzia si një gjarpër pëllumb

Në një fole thurur prej flokësh të ngordhur

Ngroh si vezë dy kokat e mia

Njëra është për vrasje, tjetra për vetvrasje.

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.