Ervin Nezha – Një buqetë me trendafila (Rrëfenjë)

Sot, për herë të parë jam futur në një dyqan lulesh. Dua të blej një buqetë me trëndafila për time shoqe, Anxhelikën. Jeta jonë bashkëshortore është shumë e thjeshtë dhe e zhveshur nga çdo lloj komoditeti. Nuk mbaj mend kurrë t’i kem blerë diçka për t’ia dhuruar sime shoqeje. Por edhe ajo nuk më ka kërkuar gjë. E di që unë paguhem pak, kështu që nuk e ka çelur gojën. Vetëm një herë mbaj mend që më ka kerkuar t’i blej një buqetë me trëndafila. Por më duket se kjo ka ndodhur shumë vite më parë, (ndoshta dhjetë vjet), kur ne sapo ishim martuar. Qëlluam të ishim në ditëlindjen e Elizabetës, shoqes më të ngushtë të Anxhelikës. Asaj, të ftuarit i dhuruan lule, shumë buqeta me lule, por mbi të gjitha, Rikardoja, i shoqi, i dhuroi një buqetë me njëqind trëndafila të kuq, të mrekullueshëm. Sa u magjeps Anxhelika kur i pa!

– Dua që një ditë, për ditëlindjen time, të më dhurosh edhe mua një buqetë të tillë, – më tha me buzëqeshjen e saj lozonjare!

– Do të ta blej, do të ta blej edhe më te bukur, – ia ktheva me gjysmë zëri, teksa po tymosja një cigare.

Fytyra e saj u mrekullua nga pergjigjja që i dhashë, a thua se buqetën me trëndafila ia servira në çast! Më puthi ëmbël në buzë dhe u deh nga kënaqësia. Sigurisht që buqetën nuk ia solla kurrë, përkundër nuk do kishte përse të ndodhesha sot në këtë dyqan. Sa herë që vinte ditëlindja e saj, gjithmonë do qëllonte të më dilte ndonjë pengesë, herë s’do kisha mjaftueshëm para me vete e herë do më përhumbej kujtesa, kështu që kthehesha në shtëpi duarbosh. Ajo ia behte te porta sapo dëgjonte kollitjen time, me ngazëllimin e një fëmije priste të shikonte buqetën e ëndërruar në duart e mia. Mirëpo, pasi e pikaste se ato ishin të zbrazura kafshonte lehtazi cepin e buzëve të poshtme me dhëmbët e vegjël e të bardhë, dhe menjëherë kthehej me shpinë, në mënyrë që të mos ia shikoja sytë e trishtuar. Pastaj, të dy uleshim për darkën, të cilën si çdo mbrëmje e gjeja të shtruar mbi tryezë. Askush nuk fliste, të dy hetonim njëri-tjetrin me sy, derisa ftohtësia ime e përbindshme e çarmatoste Anxhelikën:

– Sot, kisha ditëlindjen i dashur, e di! – më thotë dhe me ndrojën që i dallohet në sy, pret përgjigjen time.

– Ah, – ia bëj sikur të jem personi më harraq në botë, – më doli nga mendja të të telefonoja. Pa shih, s’munda të të sjell asgjë, ia kthej pastaj me një sjellje komplet prej hipokriti.

– S’ka gjë, s’ka gje i dashur, – ma kthen me zërin e saj të ëmbël, ti lodhesh shumë.

– Jo, jo, s’duhej të kisha harruar – insistoj unë po me të njëjtin zë hipokrit, dukshem i tradhëtuar nga gjestet dhe fytyra. Ndiej duart e ftohta të Anxhelikës rreth qafës, më afron fytyrën e bukur dhe më pëshpërit, – ti më mjafton. Aty unë e ndiej veten njeriun më të urryer në botë, e përçmoj atë që jam.

Si nuk i solla qoftë edhe nje lule të vetme, i them vetes. Ajo do të gëzohej si fëmijë. Do ia sjell, vitin tjetër patjetër qe do ia sjell, – zotohem. Mirëpo viti kalon sërish, vjen ditëlindja e Anxhelikës dhe unë jam i njëjti përsëri. I vrazhdë, i ftohtë me pamjen e hipokritit të stampuar në fytyrë. Kështu kalojnë dhjetë vjet. Çdo vit Anxhelika ligështohet edhe më tepër nga një sëmundje e trashëguar që në fëmijëri. Një kollë e rëndë i merr shpirtin dhe spazmat e gjakut i vërshojnë orë e çast. Sot është sërish ditëlindja e saj. Kam vendosur më në fund t’ia blej atë buqetën e bukur që më ka kërkuar. Kështu bëj, futem në këtë dyqan, zgjedh njëqind trëndafila të kuq, të mrekullueshëm, (ndoshta më të mrekullueshëm se ato që Rikardoja i dhuroi Elizabetës dhjetë vjet më parë) dhe nisem për tek Anxhelika ime. Kthej rrugën e zakonshme, vendos buqetën e trëndafilave mbi mermerin e varrit të saj dhe i çliruar nga një barrë e rëndë, kthehem si zakonisht duarbosh në shtëpi…

( Pasdite, 22 nëntor 2018 ) – Ervin Nezha

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.