Faik Konica – Ai që është i qytetëruar!

E njihni të gjithë atë që “ka parë botë”, që është i qytetëruar. Çdo qytet i Shqipërisë e çdo katund sadomos i madh ka të tijën. “Njeriu që është i qytetëruar” i lag përditë me vaj leshrat, vishet me “të ngushta” (ca pak të idikura), mban një stap të lehtë në dorë – e shikon sipër-poshtë gjithë botën. Vajzat çuditen, pleqtë shkëndallëzohen, djelmtë i bien prapa, duke thirrur e duke vërshëllyer a duke i hedhur gurë, – mjeshtri i shkollës i qaset të lidhë fjalë. Mendjet e larta merren vesh aq udobisht njëra me tjatrën! – “Si vete sot? – Si vini?, – thonë në Evropë! Vërtet, ju kërkoni ndjesë! – Si vini, si shkoni? Si kurdoherë, më pëlcet zemra. Ku rrohet në këtë vend, me këta njerëz që s’dinë të vishen, të hanë, të flasin! Ah, Evropa e shkretë! Kur isha në Evropë…” Kur ish në Evropë, ish si peshku në ujë. Gjithë shijen, gjithë hollësinë e shoqërisë së qytetëruar i ka thëthitur. I ka parë të gjitha sa janë për të parë e ca të tjera, i njeh të gjithë. Ka folur, ka lidhur miqësi me fytyrat e njohura të Evropës së tërë.

Po ku ka lindur, në pyeç, ky njeri aq i hollë e aq i çuditshëm? Pa dyshim, do të jetë rritur në “Rue de la Paix” të Parisit, në “Strand” të Londonit a në “Grahen, të Vjenës”. Mos kërko aqë larg…Ka parë ditën në Dardhë, në Mollë, a në breg të Pulës. Eshtë rritur në mes të bajgave të gomarit a të kakardhisë së deles.

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.