Fernando Pessoa – Nëse vdes i ri

Nëse vdes i ri
pa arritur të botoj qoftë dhe një libër të vetëm
dhe pa hedhur bojë vargjesh në letër,
lutem që, nëse dikush ndjen keqardhje,
të mos ndjejë hiç.
Se edhe nëse ndodh, kështu paskësh qenë e shkruar.
Por dhe sikur vargjet e mia të mos shohin dritë botimi,
kanë pasur bukurinë e tyre - nëse mund t’i quajmë të bukura.
Megjithëse, hollë-hollë, s’mund të jenë të bukura e njëkohësisht të pabotuara
se rrënjët mund të rrinë fare mirë nën tokë,
ama lulet çelin veç në ajër të pastër, që kushdo të mund t’i sodisë.
S’ka sesi të ndodhë ndryshe; kurrgjë s’mund t’i pengojë.
Nëse vdes shumë i ri, dëgjomëni mirë:
isha veç një çamarrok që lodronte.
Kam besuar në një zot - si dielli dhe uji -
që njerëzit nuk e përfillin.
Isha i lumtur se kurrë s’lypa gjëkafshë,
hiç më shumë se ato që ma kish ënda;
nuk gjeta hiç më shumë se shpjegimi i vetë
fjalës “shpjegim” - që në thelb nuk shpjegon gjë.
Dëshira ime e vetme ishte të qëndroja nën diell dhe shi –
nën diell kur ky rrezatonte,
nën shi kur ky pikonte
(kurrsesi të anasjellën),
të ndjeja të ngrohtin, të ftohtin dhe erën,
kaq dhe asgjë më shumë.
Dikur dashurova, e besova se do më dashuronin,
por nuk më dashuroi kush.
Kurrkush s’më dashuroi dhe ka veç një arsye
për këtë: kështu paskësh qenë e shkruar.
Rrugës së kthimit u ngushëllova me diellin e shiun
dhe pastaj zura vend mu tek pragu i shtëpisë.
Lëndinat, nëse u hedh një sy, s’janë dhe aq të blerta për të dashuruarit
- jo aq sa janë për ata që nuk i dashuron njeri.
Fundja, të ndjesh për dikë do të thotë ta kesh vështrimin pak të turbulluar.
1915
(shqip: e.q.)
Nuk jam tue mendue për asgja
dhe kjo gja qendrore, që asht asgjaja,
m'asht falas si ajri i mbramjes,
i freskët në krahasim me verën e nxehtë të ditës.
Sa bukur, s'jam tue mendue për asgja!
Mos me mendue për asgja
asht m'e pasë shpirtin të vërtetë dhe të plotë.
Mos me mendue për asgja
asht me jetue intimisht
baticën e zbaticën e jetës...
Nuk jam tue mendue për asgja.
Asht vetëm, sikur të më ketë kapë keq,
nji dhimbje në shpinë a bri',
nji shije e idhtë në gojën e shpirtit tim:
sepse, në fund të fundit,
nuk jam tue mendue për asgja,
po bash për asgja,
për asgja.

Perktheu: Edon Qesari

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.