Fragment ng “Ishuj në qiell” – Artur Klark

Stacioni nuk ishte thjesht një cilindër, po gjendeshin tre të tillë, njëri brenda tjetrit. Ndërkohë që largoheshe nga qendra, ndjesia e peshës rritej. Cilindri më i brendshëm ishte kati i dytë i ”Një te Tretës së Rëndesës së Tokës ” dhe, meqenëse ishte më afër me dhomat hermetike që ndodheshin në boshtin e stacionit, përdorej kryesisht për trajtimin e pasagjerëve e të bagazheve të tyre. Thuhej se po të qëndroje për një kohë të gjatë përballë sportelit, do të shihje njerëz më me rëndësi që kishte në të katër planetët…

Ky cilindër qendror rrethohej nga një kat më i gjerë, ai i ”Dy të Tretave të Rëndesës së Tokës ”. Nga njëri kat në tjetrin kalohej ose me ashensor, ose nëpërmjet shkallëve cuditërisht të përkulura. Kur zbrisje nëpër shkallë, kishe një ndjenjë të vecantë dhe në fillim m’u desh t’i mblidhja mirë forcat sepse ende nuk isha mësuar me një të tretën e peshës sime në tokë. Ndërsa zbritja me ngadalë shkallët (duke u mbajtur shumë fort pas parmakut), më dukej se bëhesha sa vinte më rëndë. Kur arrita në dysheme, lëvizjet e mia ishin aq të ngadalta e të rënda, sa me dukej sikur cdo njeri po më shikonte. Sidoqoftë, shpejt fillova të mësohesha me këtë ndjesi. Duhej të mësohesha, ne qoftë se kisha ndermend të kthehesha në Tokë.

Shumica e pasagjerëve ishin në katin e dytë e ” Dy të Tretave të Rëndesës”. Pothuaj të gjithë këta ishin nisur nga Marsi për në Tokë dhe, megjithëse javët e fundit të udhëtimit të tyre ishin ushtruar me peshën normale të tokës, -falë rrotullimit të anijes së pasagjerëve- dukej qartë se ende nuk po u pëlqente. Ata ecnin me kujdes të madh dhe vazhdimisht gjenin shkas për t’u ngjitur ”lart”, ne katin e sipërm, ku forca kishte të njëjtin vlerë si në mars.

S’kisha takuar kurrë më parë ndonjë kolon marsian dhe ata më magjepsën. Theksi ne te folur, rrobat e tyre, gjithcka tek ata kishte një pamje të cuditshme, megjithëse shpesh ishte vështirë të thoshe se ku pikërisht qëndronte vecantia. Të gjithë dukej se e njihnin njëri-tjetrin me emër: mbase kjo s’ishte ndonjë cudi pas udhëtimit të tyre të gjatë, por më vonë zbulova se po kështu ndodhte dhe në Mars. Kolonitë atje ishin ende të vogla, aq sa të gjithë njiheshin me njëri-tjetrin. Ata do ta kishin shumë të vështirë kur të vinin në Tokë…

E ndieja veten paksa të vetmuar midis këtyre të huajve dhe kaloi njëfarë kohe me ndonjë. Në katin e ”Dy të Tretave të Rëndesës”, kishte ca dyqane të vogla, ku mund të blije artikuj kozmetikë e dhurata. Isha duke parë në një prej këtyre dyqaneve, kur një grup kolonësh të rinj hynë brenda. Më i madhi ishte një djalë qe dukej sa unë, i shoqëruar nga dy vajza, që kuptohej se ishin motrat e tij…

 

Përktheu: Riza Ibrahimi

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.