Fragment nga “Adami dhe Evelina” – Ingo Schulze

Adami e hoqi dorën nga kokëza e parmakëve të shkallëve, që të mos dukej sikur donte t’i pengonte asaj rrugën. Do të deshte tani t’i fuste të dyja duart në xhepat e pantallonave, por në dorën e majtë mbante qesen prej letre me fruta të cilën e kishte kapur u ngrit në këmbë.

“Nuk dëshiron të presësh?”

“Të pres?”

“Nuk duhet të flasim me njëri-tjetrin?”

“Përse?”

Adami shtrëngoi gojën i munduar.

“Për atë që ndodhi.”

Nuk e hiqte dot vështrimin nga thonjtë e lyer me të kuq të çelët, të cilat përshkëndisnin nga sandalet e saja.

“Në qoftë se ke për të më thënë ndonjë gjë…” Ajo e mori çadrën në krahë si të ishte ndonjë foshnjë dhe u ul përgjysmë mbi valixhe.

“Më vjen shumë keq, më fal!” Ai e vështroi në fytyrë aq gjatë sa pikasi më në fund tundjen e kokës së saj. Pastaj vështrimi ra përsëri mbi këmbët e saj. Në kohën që ai trembej se mos Evelina po i bënte ndonjë gjë vetes, ajo në të vërtetë kishte lyer thonjtë me llak.

“Më vjen shumë, shumë keq.”

“Edhe mua më vjen shumë keq, Adam.” Evelina tundi në këto fjalë e sipër kryet sikur të fliste me ndonjë kalama.

“Po sikur të thosha se nuk ndodhi asgjë nga që kujton ti, se Lili njihet me mua qysh…”

“C’po sajon tani”, e ndërpreu ajo. “Si kështu? Ti gënjen.”

Zëri i saj tingëlloi i pezmatuar, si t’i kishte pritur ato fjalë.

“Po largohem më parë se të këpusësh profka të tjera.”

“E ç’duhet të them atëherë?”

“Ti deshe të flisje.” Evelina u ngrit në këmbë.

“Po si po ikën kështu?”

“Ja që kështu. Po mundohem të iki prej këtej para se të pëlcasë tamam.”

“Cfarë të pëlcasë?”

“Përpara se ta kuptoj vërtet se çfarë ka ndodhur.”

“Nuk ka pikë rëndësie!”

“Ah, vërtet?

“Të më besosh!”

“Për mua është gjëja më e rëndësishme.”

“Nuk ka të thotë asgjë, sido që ta kapësh, nuk ka pikë rëndësie, kupton? Më pyet [farë të duash!”

“E çfarë të pyes? Sa kohë ka që vazhdon kjo? Mos është vetëm Renate Horn von Markleebergu? Kaq keq paske qenë për mish të kolmë? Të duhet patjetër kurvickat që të të ecë puna? S’guxon të ma kërkosh mua? Apo e ke për variacion? Apo si shpërblim për punën krijuese? I bën për vete me shërbimet e tua apo vijnë këtu se kanë mbetur thatë në shtëpitë e tyre?”

Adami shtrëngoi buzët duke fërkuar me dorën e lirë kraharorin.

“Gjithmonë para shpresuar se s’do merrja vesh asgjë nga këto, se nuk do të detyrohem asnjëherë të mendoj seriozisht për ato që ndodhin atje lart, ku krijesat e tua veshin bluza mëndafshi mbi lëkurën lakuriqe apo ato dekoltetë e llahtarshme, apo ato bythët që di t’i ngushtosh më mirë se çdo kirurg…”

“Evi…”, tha ai dhe goditi me dorën e djathtë kokëzën e parmakëve të shkallës.

“Pata shpresuar se tradhtia kishte të bënte vetëm me këpucët e mia, me kopshtin apo me kanapenë; aq më bënte, le ta përdorte ajo nëse kishe aq nevojë! Por të paktën të mos e mësoja, nuk desha ta shihja e as ta ndjeja, më kupton? Kur ika me vrap nga lokali i bashkisë, befas m’u afrua në vesh ai shkurtabiqi që më tha: Kujdes, hap sytë! Por unë nuk e dëgjova. Tani e ndjeva dhe e pashë. E tani mori fund. Fundi i deklaratës.”

 

Përktheu: Ardian Klosi

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.