Fragment nga “Amerika” – Franz Kafka

Karlit po i vinte keq që në këtë dhomë, e cila ishte caktuar nga zoti Poulandër për të, për të kaluar një natë të qetë, ta shqetësonin kaq keq. Vajza nuk po largohej, sillej atje, ecte, qëndronte, fliste apo i varej mbi kokë. Dëshira më e madhe që kishte kapluar tashmë Karli Rosmanin ishte të flinte, kështu të nesërmen do të mund t’ia mbathte sa më herët. Nuk kishte ndonjë dëshirë të shtrihej në krevat, qe më mirë aty në kanape. Po priste me padurim të largohej ajo; të vraponte pastaj tek dera dhe ta kyçte… dhe të shtrihej në kanape. Ndjente nevojë të madhe që të flinte, por kurrsesi këtë nuk dëshironte ta bënte në prani të Klarës. Ndaj për një kohë mbeti ashtu i shtrirë me sytë përpjetë dhe me fytyrë gati të ngrirë, duke ndjekur me shikim një mizë që fluturonte, pa e kuptuar dot se ç’ishte.

Klara iu afrua dhe i nguli me forcë sytë aq sa ai u detyrua t’ia shihte.

– Tani po iki, – tha ajo. – Ndoshta më vonë ndjen nevojën që të kthehesh tek unë. Dera e apartamentit tim është ajo që vjen e katërta pas kësaj dere, nga kjo anë e korridorit. Do të kalosh pra, tri dyer, e katerta është imja. Nuk do të zbres më në sallon, jam në dhomën time. Por, po të them se më ke lodhur shumë sonte. Nuk po zbres pikërisht që të të pres ty, nëse do të vish, eja. Mos harro se më ke dhënë fjalën se do të luash për mua në piano. Apo, mos vallë të mundova aq shumë sa nuk mund të lëvizësh…

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.